Tetovë, asfalti në Dervish Cara pret “ngritjen” e temperaturave

Edhe pse në një pjesë të  rrugës Dervish Cara në Tetovë kanë filluar punimet e rrugës që në nëntor të vitit 2011, akoma kjo rrugë nuk është kompletuar në tërësi. Më saktësisht, kjo rrugë është gjysmë e bllokuar, gropat janë të hapura dhe parkimi i veturave në mes të rrugës e bën kalimin nëpër këtë rrugë edhe më të vështirë. Por, se kur do të mbarojë ndërtimi i kësaj rruge akoma vazhdon të jetë një dilemë, pasi që nga Komuna e Tetovës thonë se kushtet atmosferike nuk kanë lejuar mbarimin e kësaj rruge.   

“Kjo rrugë do të asfaltohet brenda një jave dhe arsyeja e mos asfaltimit kanë qenë kushtet klimatike”, thonë nga zyra për informim pranë Komunës së Tetovës.

Në këtë pjesë të rrugës Dervish Cara, në nëntor të vitit 2011 filloi sanimi i rrugës, duke bërë kështu zgjerimin dhe ndërtimin e trotuareve të reja dhe vend parkingjeve përreth kësaj rruge, por që atëherë e deri më sot një pjesë e rrugës Dervish Cara pret ngritjen e temperaturave dhe përmirësimin e motit.

Qytetarët e Tetovës thonë se janë të revoltuar nga mos rregullimi i kësaj rruge në tërësi. Lavdim Tahiti thotë se “rruga është një tmerr i vërtetë. Mua më bie rasti të kaloj në këtë rrugë shpesh dhe me të vërtet më duhen afër 10 minuta për 100 metra pasi ajo është e demoluar në tërësi”. 

Ndërsa Arbër Ceka thotë se “unë banoj këtu afër dhe gjatë kohës së dimrit kemi pasur shumë vështirësi, sidomos kur bie shi, pasi që edhe gropat nuk dallohen”. 

“Me të vërtetë është bërë mirë pasi që është zgjeruar shumë dhe është shkurtuar për dalje deri tek bulevardi Iliria, por mos asfaltimi i kësaj rruge ka zgjatur mjaft kohë, por shpresojmë se do të rregullohet”, thotë Egzon Luma, qytetar i Tetovës./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button