Mbahet forumi i biznesit Shqipëri-Maltë

Shqipëria mund të shërbejë si ‘qendër ekonomike rajonale’ për shtrirjen e investimeve të huaja në një treg ballkanik me më shumë se 20 milion konsumatorë, si dhe mund të jetë një ‘portë hyrëse’ rajonale drejt tregut evropian.

Kështu tha presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në Forumin e Biznesit Maltë–Shqipëri, ku po i prin një delegacioni me 31 përfaqësues të komunitetit të biznesit shqiptar të Dhomave të Tregtisë së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, transmeton Telegrafi.

Në ditën e parë të Forumit, që u çel me fjalimin e mirëseardhjes nga presidentja e Maltës, Coleira – Preca, presidenti Meta vuri theksin tek nevoja për të intensifikuar marrëdhëniet ekonomiko-tregtare dhe investimet e ndërsjellta.

Ai prezantoi para komunitetit të biznesit maltez potencialet dhe mundësitë e shumta që ofron Shqipëria për investitorët e huaj në të gjithë sektorët e ekonomisë.

Presidenti Meta i ftoi investitorët maltez të vlerësonin oportunitetet investuese në Shqipëri për të gjitha avantazhet krahasuese që ofron ekonomia shqiptare.

Gjatë fjalës së tij, presidenti Meta shpalosi projektet sektoriale të resurseve të mëdha turistike, të potencialit në projektet e energjisë së rinovueshme, të nevojës për investime private në modernizimin e bujqësisë dhe industrisë agro-përpunuese, të stimulimit të sektorit të manifakturës përmes zonave të lira ekonomike dhe parqeve industriale, të zhvillimit të sektorit të shërbimeve financiare, të tregjeve të kapitaleve si dhe sektorit të Teknologjisë së Informacionit (ICT).

Ndërsa, presidentja e Maltës Coleira – Preca, vlerësoi se Malta dhe Shqipëria duhet t’i japin një hov të ri bashkëpunimit ekonomiko-tregtar dhe të shfrytëzojnë të gjitha oportunitetet e biznesit për të eksploruar tregje te reja investimesh.

Në mbyllje të Forumit u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi mes Dhomave të Tregtisë si dhe u zhvillua një seancë takimesh “BtoB” mes dhjetëra bizneseve shqiptare dhe malteze për inicimin e projekteve konkrete në fushën e investimeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button