Venat varikoze (të lëshuara), ndikimi i çorapes në përmirësim

“Venat varikoze janë patologji e venave, nuk është acarim. Siç quhen në gjuhën popullore varicet, ato konsistojnë në zgjerimin jonormal të venave, e cila kthehet në insufiçente, pra nuk funksionon siç duhet, zgjerohet dhe duke ndodhur kjo gjaku që kalon përmes tyre lëviz shumë ngadalë ose qëndron plotësisht pa lëvizur”, thotë specialisti i kirurgjisë vaskulare dhe endovaskulare Alban Malaj. Mënyra e jetesës, punët që bëjmë, pesha e trupit e shumë faktorë të tjerë shton mjeku, ndikojnë në krijimin e variçeve të këmbëve.

Z. Malaj dëshiroj t’iu pyes për venat varikoze (variçet). Shumë flitet për to, por në shumë raste pak e dimë se sa të rrezikshme mund të jenë? Mund të më thoni se çfarë janë?

Kjo rrezikon trombozën, sepse duke mos lëvizur, gjaku mpikset. Sa i përket kapilarëve, ata janë vena shumë të vogla milimetrike, të cilat përfshihen në sistemin e patologjisë së venave varikoze (variçeve). Duke qenë milimetrike, ato janë shenjat e para të një problemi venoz të përgjithshëm. Janë shenjat e para të një hipertensioni venoz ne periferi. Venat normalisht kanë një presion të gjakut shumë të ulët dhe në momentin që ato fillojnë të vuajnë dhe gjaku lëviz më ngadalë, ky presion rritet. Ky konsiderohet hipertension venoz në periferi.

Por cilat janë arsyet kryesore që kjo ndodh?

Arsyet kryesore janë gjenetika, qëndrimi gjatë në këmbë dhe mbipesha. Këta janë kryesoret, por ka edhe kombinime të këtyre. Ka shumë persona që mund të kenë një peshë normale, por qëndrimi i gjatë i tyre në këmbë bën që të krijohen venat varikoze. Kjo ndodh për shembull tek ata që punojnë kamerierë apo banakierë, të cilat rrinë me orë të zgjatura në këmbë. Kur kjo ndodh, gjaku nuk lëviz shumë dhe krijon zgjerim të venave e njëkohësisht hipertension venoz. Në këtë rast, simptomat e para janë ndjesia e këmbëve të rënda në darkë, nxehtësi  në shputat e këmbëve. Që aty ne kuptojmë se personi ka filluar t’i dëmtojë venat me mënyrën e jetesës ose, në këtë rast, mënyrën e punës. Venat e këmbëve nuk kanë “një zemër” që të shtyjë gjakun nga poshtë-lart. Ky qarkullim i gjakut bëhet me anë të shtypjes së muskujve. Kontraktimi i muskujve të këmbës shtyp edhe venat duke bërë që gjaku të dërgohet lart në pjesët e tjera të trupit. Por kur personi qëndron statik në këmbë, nuk ndodh ky procesi shtypje-lirim.

Shfaqja e venave varikoze, ndodh vetëm në këmbë apo ka edhe pjesë të tjera të trupit ku mund të shfaqen?

Variçet krijohen në pjesët e poshtme tek këmbët, ose në pjesët gjenitale. Këtu kemi varikoçelin feminil tek femrat dhe varikoçelin maskil tek meshkujt. Ky i fundit shfaqet me fryrje të venave në pjesën e testikujve. Ndërsa në rastin e varikoçelit feminil ka fryrje të venave në pjesën e vezoreve. Tek femrat kryesisht kjo ndodh pas 2 apo më shumë shtatzënive, ndërsa tek meshkujt duhen parë arsye të tjera siç mund të jetë mënyra e qëndrimit, gjenetika etj.

Cilat janë format më të komplikuara të venave varikoze në këmbë?

Forma më e komplikuar është tromboza. Gjaku i mpiksur mund të shkojë në pjesët e sipërme të trupit. Mund të drejtohet për në zemër, nga zemra në mushkëri dhe kjo mund të jetë fatale. Pra, këtu kemi një rast ku nga një problem i vogël siç mund të konsiderohen variçet, rezulton në fatalitet. Problem tjetër mjaft serioz është edhe ulcera venoze. Kjo është një plagë e njomë në të cilën, për shkak të hipertensionit venoz siç thashë më parë, lëkura dëmtohet. Ulcerat venoze që janë shumë të vështira për t’u mbyllur dhe duhen trajtuar përmes kirurgjisë. Kjo do të thotë që në mënyrë kirurgjikale hiqen venat varikoze, pastrohet dhe plaga dhe pastaj me mjekime të posaçme arrihet të mbyllet. Prezenca e ulcerës venoze ul shumë kualitetin e jetës.

Që do të thotë…

Do të thotë se në këtë rast pacienti nuk ka një plagë që do e trajtojë sot për nesër, por ka një plagë, të cilën duhet ta mjekojë për muaj rresht.

Meqë folët pak për kirurgjinë, cilat janë format e reja të trajtimit kirurgjikal të variçeve? Deri në çfarë pike ka ecur teknologjia në këtë aspekt?

Forma më e përhapur është kirurgjia tradicionale, që do të thotë heqje kirurgjikale të venave dhe ndjekja në kohë me kirurgun vaskular. Kujdesi pas operacionit që i jepet nga mjeku nuk konsiston vetëm në mbajtjen nën kontroll të plagëve kirurgjike deri në mbylljen e tyre, por edhe këshillimin e pacientit për të rregulluar faktorët e tjerë që mund të çojnë në rishfaqjen e venave varikoze. Kështu një pacient, i cili i është nënshtruar një operacioni kirurgjik dhe është mbi peshë, duhet ndjekur në kohë për rënien nga pesha. Në këtë mënyrë ulet probabiliteti i zgjerimit të venave të tjera, të cilat në momentin e operacionit nuk janë insufiçiente dhe nuk hiqen. Trajtimet e reja janë trajtimet me lazer, trajtimet me lëndë ngjitëse, trajtimi me radiofrekuencë, trajtimi me dëmtim mekanik të brendshëm të safenës, të cilat rezultojnë në zhdukje totale të venës safene. Por, këto trajtime jo shumë invazive të venave varikoze kanë edhe një përqindje rikanalizimi pas disa  vitesh. Kemi shumë pacientë të cilët vite më parë janë trajtuar me lazer apo radiofrekuencë dhe u është rihapur vena safene e madhe dhe kanë nevojë për trajtim të ri të variçeve. Të zgjedhësh tipin e operacionit, në radhë të parë duhet të shihet anatomia. Nëse kemi një venë kryesore sipërfaqësore (vena safena magna) mbi 8 apo 9 mm, është mirë që të trajtohet me kirurgji tradicionale.

Në përgjithësi, cila është forma e trajtimit që rezulton më efikase?

Forma më efikase varet gjithmonë në varësi të anatomisë. Kur kemi probleme të venave varikoze në fazat e para apo të mesme, ndërhyrjet me lazer apo radiofrekuencë janë shumë efikase. Por, siç ndodh shpesh në vendin tonë pacientët paraqiten shumë vonë me vena sipërfaqësore shume të dilatuara dhe në këto raste ndërhyrja me kirurgji tradicionale është kryesorja dhe më efikase.

Po sa i përket dietës ushqimore, është e rëndësishme?

Sigurisht që po. Siç thashë më parë. Nëse një person që ka të shfaqura venat varikoze dhe nuk mban nën kontroll peshën, patologjia sigurisht që do të përkeqësohet.

Çfarë mund të bëjmë për parandalimin e venave varikoze?

Çorapi elastokompresiv është shumë i rëndësishëm, sepse ndihmon në uljen e presionit të gjakut në vena. Ky është një çorap që ka një gradë komprimimi më të lartë dhe ndihmon në qarkullimin e gjakut. Çorapi jepet me recetë mjekësore, në bazë të gradës se insufiçiencës së venave përcaktohet grada e komprimimit dhe përmes recetës merret në farmaci. Shumë simptoma përmirësohen me mbajtjen e çorapit elastokompresiv. Është e rëndësishme ti jepet pacientit çorapi i duhur, i cili duhet të jetë i certifikuar nga organizatat ndërkombëtare apo kombëtare të kirurgjisë vaskulare.

Ju përmendët edhe raste fatale që mund të vijnë nga variçet. Në përgjithësi, e njohin pacientët rrezikun që mund të vijë nga ato?

Shumë pacientë nuk e njohin rrezikun. Të rinjtë kryesisht njohin vetëm dhimbjet, rëndesën dhe kruarjen e këmbëve. Por ka pacientë që u është krijuar një trombozë dhe vijnë me një gjendje të rënduar. Po ashtu kemi shumë pacientë që vijnë me ulcera venoze. Këto rastet e rënda janë si rezultat e mos vlerësimit të dëmeve që mund të shkaktojnë varicet.

Cila është grupmosha më e prekur nga venat varikoze?

Grupmoshat variojnë nga 30 deri në 55 vjeç. Për mua, ajo që është më e rëndësishme është trajtimi jo invaziv. Kjo do të thotë që çdo pacient që shikon vena të fryra, çdo person që bën një punë që e detyron të qëndrojë me orare të zgjatura në këmbë, çdo person që ndjen rëndesë të këmbëve, duhet të bëjë një vizitë tek kirurgu vaskular. Në varësi të gradës së patologjisë ne i japim edhe këshillat e duhura. Pra, synimi ynë kryesor është parandalimi. Kjo është më e rëndësishmja. Përmes çorapeve, terapive dhe këshillave mjekësore, pacienti ndërgjegjësohet për problemet që mund t’i vijnë në të ardhmen. Me këshilla dhe kujdes të kontrolluar nga mjeku, venat varikoze mund të parandalohen.
Dr. Alban Malaj, kirurg vaskularShendeti.com.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button