Banorët pengojnë projektin e EVN

Banorë të fshatit Saraqinë të Tetovës, fshat i banuar me shumicë maqedonas, i bëjnë obstruksion projektit të EVN për lidhje në trafo stacionin kryesor në Tetovë, që më pas do të përforconte rrymën për banorët e Dërvenit të komunës së Zhelinës. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i komunës së Zhelinës, Fatmir Izairi, i cili tha se bëhet fjalë për një projekt që ka filluar që para dhjetë viteve por nuk ka përfunduar për shkak të kontesteve pronësoro-juridike. Sipas tij, projekti në fjalë është shumë i rëndësishëm për banorët e Dërvenit të cilët kanë probleme furnizimin me rrymën elektrike. Izairi tha se gjetën një zgjidhje që rrjeti të kalojë paralelisht me kanalet e ujësjellësit Zhelinës, kurse i tërë projekti kap shifrën rreth 600 mijë eruo, dhe do të furnizon me rrymë zonën industriale në Zhelinë dhe banorët e malësisë së Dërvenit.

“Për momentin ky projekt në komunën e Zhelinës nuk ka asnjë problem, ndërsa hasim në një problem në vendbanimin Saraqinë, ku përmes këtij fshati duhet të lidhemi me largpërçuesin kryesor. Si duket atje banorët për interesa të ngushta personale momentalisht kanë bërë një obstruksion dhe unë kam kërkuar nga Bashkësia Lokale e Zhelinës që të vendosin kontaktet me ata banorë atje që të gjejnë zgjidhje. Them se nuk është mirë që ata të bllokojnë këtë projekt për të prishur raportet e mira fqinjësore dhe shpresojmë se do të gjejmë zgjidhje. Njëkohësisht komuna e Tetovës këtij projekti i ka dhënë leje pasi që Saraqina i takon komunës së Tetovës dhe mendoj se ata banorë në atë vend do ta kuptojnë se ai është një projekt në interes për rreth 12 mijë banorë të Dërvenit dhe shpresoj se ata do të lejojnë që ky projekt të përfundojë ashtu si ka përfunduar edhe në komunën e Zhelinës”, deklaroi Izairi.
Nga EVN-ja kanë theksuar se janë në bisedime me banorët për të tejkaluar këtë problem.

“Bëhet fjalë për një investim prej 600 mijë eurove. Deri më tani është kryer faza e parë dhe ne jemi në realizim të fazës së dytë. Është një projekt shumë i rëndësishëm për përmirësimin e furnizimit me rrymë elektrike në rajonin Zhelinë-Grupçin. Në këtë projekt do të vendoset një kabllo i gjatë 6 kilometra me fuqi prej 400 KV dhe do të përmirësojnë dukshëm rrjetin e furnizimit me rrymë për rata banorë. EVN i ka të gjitha lejet e nevojshme nga përgjegjësit dhe ka pajtueshmëri nga banorët lokal që të realizojë këtë projekt. Në moment ka disa mospajtim që shpresojmë se do t`i tejkalojmë me bisedime. Presim shumë shpejt që të zgjidhen këto mosmarrëveshje dhe të vazhdohet me projektin“- thotë Atanas Kovaçevski, zëdhënës i EVN Maqedonia./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button