Azilantët në Gjermani, agjencia për refugjatët akuzohet për mitmarrje

Zyrtarë të emigracionit në Bremen të Gjermanisë dyshohen për mitmarrje, në këmbim të përmirësimit të aplikimeve të azilkërkuesve.

“Der Spiegel” thotë se Jutta Cordt, kryetarja e Zyrës federale të Emigracionit dhe Refugjatëve “BAMF”, kishte informacion mbi parregullsitë masive në këtë qytet, të cilat nisin që prej shkurtit të vitit 2017, transmeton TCH.

Kanali televiziv “NDR” dhe e përditshmja “Süddeutsche Zeitung” përmendin gjithashtu një shkëmbim të brendshëm “e-mail”-esh, ku tregohet se “BAMF” ka qenë në dijeni të procedurave të dyshimta, por ka ngurruar ta hetojë çështjen.

Mediet në fjalë citojnë një mesazh të postës elektronike, në të cilin kreu i Departamentit përgjegjës kërkon që situata të ekzaminohet “pa zhurmë” dhe “pa hyrë shumë në detaje”.

Vet “BAMF” i mohon pretendimet mediatike, e thotë se nuk ka marrë asnjë “e-mail” të këtij lloji. Në muajin prill, megjithatë, Prokuroria e Bremenit njoftoi se një ish-zyrtare e degës së “BAMF” në këtë qytet ishte vënë nën hetim, pas akuzave se ajo dhe 4 persona të tjerë kishin marrë ryshfet në këmbim të dhënies së azilit për rreth 1.200 refugjatë, pavarësisht se këta individë nuk i plotësonin kriteret e nevojshme.

Episodet thuhet të kenë ndodhur në periudhën e viteve 2013-2016. Për rrjedhojë, 18 mijë kërkesa azili të shqyrtuara në Bremen që prej vitit 2012 do të verifikohen edhe njëherë gjatë 3 muajve të ardhshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button