fbpx

Recesioni po kthehet?

Shkruan: Aneta Dodevska

Se ndërmarrjet janë duke u fundosur në krizë, ndërsa të punësuarit largohen nga puna konfirmoi edhe Enti për statistikë. Tetë muaj me radhë – prodhimtaria industriale në minus. Në prill të këtij viti në krahasim me muajin e kaluar të kaluar ka rënie prej 7.2 për qind. Ky trend negativ që filloi në shtator të vitit të kaluar, assesi s’ka të ndalur.

Prodhimtaria industriale


Prill 2001/prill 2012 – 7.2 %
I-IV 2011/ I –IV 2012 – 8.1 %

Rënie dramatike është regjistruar në industritë kyçe: tek nxjerrja e mineraleve dhe gurit rënie prej 7.2 për qind, në industrinë përpunuese minus prej 7 për qind, ndërsa në kuadër të këtij sektori rënie të madhe ka në prodhimin e veshmbathjeve prej -28.6 për qind, më pas tek prodhimtaria e metaleve – 18.8 për qind. Është përgjysmuar prodhimtaria e mobileve, këtu statistika regjistron minus prej 45.9 për qind. Tek sektori i furnizimit të energjisë elektrike dhe gazit, në prill është vërejtur rënie prej 10.3 për qind.

Prodhimtaria industriale sipas sektorëve

Nxjerrje e mineraleve dhe gurit        – 7.2 %
Industria përpunuese                        – 7 %
Prodhimi i veshmbathjeve                 – 28.6 %
Prodhimtaria e metaleve                    – 18.8 %
Prodhimi i mobileve                        –  45.9 %

A është ky trend i pandalshëm negativ paralajmërim për një recesion të ri në vend? Ekspertët u pajtuan me vlerësimet e para. Njëzëri janë se krizat thellohen. 
Profesori Tome Nenovski theksoi se ajo që po ndodh në ekonominë e Maqedonisë është pasojë logjike e asaj që ndodh në Evropë. 

“Prodhimtaria industriale mund të jep disa drejtime lidhur me ekonominë, por pasqyra e tërësishme fitohet kur të analizohen llogaritë e përgjithshme nacionale. Shkëmbimi tregtar me Greqinë zvogëlohet për shkak të porosive të pakësuara nga anë, megjithatë mendoj se tërë zona evropiane ka hyrë apo së shpejti do të hyjë në recesion. Meqë Maqedonia është tërësisht e hapur ndaj botës, pashmangshëm, ndikimet e papërshtatshme të jashtme do të ndikojnë edhe mbi ne. Nëse vazhdojnë negativitetet në rrethimin mund të ndodh edhe recesioni, por t’i presim treguesit e parë për realizimin e Bruto Prodhimit Vendor për kuartalin e parë”, thekson profesori Nenovski. 

Që të shpallet recesion, domosdo duhet që  dy kuartale me radhë rritja ekonomike të jetë negative. Gjatë pesë muajve të fundit, çdo muaj në vazhdim statistika shënon rënie të prodhimit industrial, i cili nga ana tjetër sipas ekspertëve paralajmëron recesionin. 

Profesoresha Shenaj Haxhi Mustafa nga Universiteti i Tetovës thekson për rrezikun e recesionit të ri, por thekson se Qeveria duhej të merr masa konkrete për të amortizuar goditjen.

 “Nëse e kemi parasysh faktin se skenarin e njëjtë e kishim edhe në vitin 2009 kur ekonomia u godit nga kriza globale, konsideroj se skenari i njëjtë përsëritet dhe nuk shoh se ekzistojnë apo se bëhen përpjekje më serioze në vendin tonë ndaj ngritjes së aktivitetit ekonomik për të evituar ndonjë goditje më të madhe. Nëse paraprakisht nuk janë bërë aktivitete përgatitëse në drejtim të zbutjes së goditjes, ndoshta në vend se shteti të investojë në administratë më mirë të orientohet në ndihmë të drejtpërdrejt për ekonominë, për industritë edhe këtu do të duhej të ketë ndonjë formë më konkrete të subvencioneve”, vlerëson Haxhimustafa. 

Ajo që ndodh në kompanitë, godet edhe të punësuarit. Rënia e prodhimtaria industriale dhe recesioni i mundshëm janë kërcënim direkt për mbylljen e reparteve, reduktimin e prodhimtarisë dhe përfundimisht – largimin e punëtorëve.

Në prill të këtij viti në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar numri i të punësuarve është zvogëluar për 1.7 për qind dhe analiza tregon se zvogëlim më të madh ka në sektorët në të cilat është regjistruar edhe rënia më e madhe e prodhimtaria industriale: në sektorin e industrisë për veshmbathje, nxjerrje të mineraleve dhe gurit, prodhimtarinë e pajisjes elektronike, prodhimtarinë e makinave dhe pajisjeve. Matjet e fundit që janë të disponueshme tregojnë se 2 për qind e të punësuarve fare nuk marrin rrogë.

Prill 2011/2012

Punëtorët në industri      – 1.7 %
Punëtorët që nuk kanë marrë rrogë 2 %

“Para se gjithash ne duhet të dimë se çka do të ndodhë me konsumin personal, se a do të vjen deri te ndonjë rritje apo jo, më pas çka do të ndodh me konsumin investues, e këtu është e sigurtë se investimet janë duke u zvogëluar, buxheti dihet më, duhet të dimë sa do të bie eksporti. Prej këtyre komponentëve varet lëvizja e Bruto Prodhimit Vendor. Personalisht mendoj se nëse kemi shkallë të rritje prej 1 deri në 1.5 për qind duhet të jetë të kënaqur në këtë situatë të rëndë ekonomike”, konsideron Fiti.

Si masë që mund t’i ndihmojë ekonomisë Qeveria theksoi linjën e re kreditore për mbështetje të ndërmarrjeve përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Me 100 milionë eurot e kësaj kredie, Qeveria pret që të amortizohet pozita e likuiditetit të ekonomisë. Me 10 milionë euro shtesë do ta përforcojë bankën e Maqedonisë për mbështetje të zhvillimit që të mund të ndajë kredi. 

Dhe derisa ekspertët paralajmërojnë që të shkurtohen shpenzimet e arkës shtetërore për rrogat administrative – Qeveria, me sqarim se do t’u ndihmojë qytetarëve që ta tejkalojnë krizën, paralajmëroi 4.000 punësime të reja, gjysma e tyre në komuna me shkallë të lartë të papunësisë dhe gjysma tjetër me angazhim publik. Do të ndajë edhe nga 3.000 euro për vetëpunësim të 450 personave, do të paguajë pushime verore dhe dimërorë për fëmijët e familjeve të kërcënuara sociale.

Biznesi nuk pret përmirësim të gjendjes në prodhimtari. Anketa e fundit statistikore tregon se menaxherët kanë vlerësuar se në prill është përkeqësuar gjendja me sasinë e prodhimit porse nuk presin përmirësime gjatë tre muajve të fundit. Se kriza po thellohet tregon edhe informata se vetëm 58.8 për qind e kapaciteteve të përgjithshme prodhuese punojnë me fuqi të plotë. Trysnia nga kriza do të rritet, porositë do të ulen. Gjykuar sipas pritjeve të ekonomistëve, biznesin dhe qytetarët  i presin ditë të vështira.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close