Tango 12, topi për Euro2012

Prodhuesi, kompania Adidas, është zotuar se ky top i ka kaluar me sukses të gjitha testet dhe nuk do të kritikohet sikurse Jabulani. Kurse nga e kaluara, vijnë modele të ndryshme të topave, me të cilët u zhvillua gara kontinentale. Secili kishte diçka më ndryshe se tjetri.

Do të jetë më i shpejtë se Jabulani, njoftoi kreu i Adidasit, Herbert Hainer në prezantimin e topit zyrtar, me të cilin do të luajnë 16 ekipet pjesëmarrëse në Euro 2012, në Poloni dhe Ukrainë. Topi quhet Tango, 12 kurse nga Adidasi shpresojnë se futbollistët nuk do të kenë ankesë për të sikurse për Jabulanin, me të cilin u luajt në Kampionatin botëror 2010, në Afrikën e Jugut, top i cili u testua edhe nga NASA.

“Topi fillon të lëvizë në mënyrë të çuditshme kur mbërrin shpejtësitë mbi 79 km/h. Problemi më i madh është se peshon vetëm 440 gramë dhe në shpejtësi të larta, ndryshon kahje”, kishte thënë NASA, pas testit të Jabulanit. Por, këto rezultate u dëshmuan edhe në kushte ideale për lojë. Në Botërorin 2010, pati ankesa të shumta.

“Topi është katastrofal. Turp që me një top të tillë të zhvillohet një garë e rëndësisë kaq të madhe”, deklaroi portieri i Italisë, Gianluigi Buffon, para Botërorit në Afrikën e Jugut.

Adidasi ka thënë se ka marrë mësim dhe si rezultat prodhoi Tangon 12, top i cili, sipas tyre, i ka tejkaluar të gjitha testet në tetë shtete të ndryshme. Adidasi ka punuar dy vjet për të sjellë topin e Evropianit 2012, që besojnë se është i përkryer në çdo aspekt. Topi nuk do të lëvizë ‘çmendurisht’ në shpejtësi të mëdha.

Historiku i topave në Evropiane:

Euro 1972: Adidas Telstar Mexico. Me të u luajt edhe në Kampionatin botëror 1970.
Euro 1976: Adidas Telstar. I njëjti rast sikurse Telstar Mexico. Me këtë top u luajt edhe në Kampionatin botëror 1974.
Euro 1980: Topi me të cilin u zhvillua Euro 1980 në Itali. Topi Tango 12 i ngjan këtij topi.
Euro 1984: Tango Mundial, topi me të cilin u luajt në Evropianin në Francë, ishte i pari që nuk përmbante material nga lëkura.
Euro 1988: Tango Europa. Version i përmirësuar i Tango Mundialit. Ai u prodhua në mënyrë që sa më tepër t’i rezistojë ujit.
Euro 1992: Në Euro ’92, në Suedi, u luajt me topin Etrusco Unico.
Euro 1996: Në Angli u luajt me topin Questra Europa.
Euro 2000: Teresta Silverstream. Dizajni ishte inspiruar nga liqenet e Holandës dhe të Belgjikës.
Euro 2004: Toteiro ishte topi me të cilin u luajt në Euro 2004. Toteiro ishte topi i parë që në vete nuk mbante penj.
Euro 2008: Europass. Top me të cilin u luajt në Evropianin e Austrisë/Zvicrës.
Euro 2012: Tango 12. Nga Adidasi kanë paralajmëruar se ky është topi ideal. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button