Erdogani në Sarajevë premton investime multi-miliardëshe

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili të dielën do t’i drejtohet përkrahësve të tij nga e mbarë Evropa në Sarajevë para zgjedhjeve të 24 qershorit, ka premtuar investim multi-miliardësh në autostradën kyçe që lidh Beogradin dhe Sarajevën.

Erdogani arriti në kryeqytetin boshnjak në atë që zyrtarisht ishte përshkruar si vizitë pune, por ngjarja kryesore do të jetë fjalimi i tij para mijëra turqve që kanë arritur në Sarajevë nga vende të Evropës Perëndimore që kanë ndaluar tubimet politike në tokën e tyre, raporton Reuters.

Ministrat e Transportit të Bosnjës dhe Turqisë nënshkruan një dokument qëllimi për ndërtimin e autostradës që lidh dy kryeqytetet ballkanase, projekt ky që llogaritet se do të kushtojë 3 miliardë euro, por që deri më tani ka qenë i bllokuar nga serbët e Bosnjës, të cilët kundërshtojnë shtegun e rrugës.

Erdogani tha se pret që ministrat do të pajtohet për detajet teknike deri në verë, kur do të hapen tenderët për ndërtimin e seksioneve rrugore. Ai shtoi se një projekt i tillë i madh do të duhet të përfshijë kredi nga banka turke Exim, transmeton Koha.net.

Mijëra turq kanë ardhur nga Gjermania, Holanda dhe Austria por edhe nga Ballkani e Bosnja. Organizatorët thanë se presin që në tubim të vijnë deri në 15 mijë njerëz.

“Turqia është mëmëdheu ynë”, ka thënë Coskun Celiloglu, një student maqedonas me prejardhje turke. “Erdhëm në Sarajevë vetëm për një ditë për të përkrahur shpëtimtarin tonë Erdogan”.

Policia siguroi rrugët dhe mbushën sallën “Zetra Olympic”, ku përkrahësit e Erdoganit valëvitnin flamujt turq dhe boshnjakë.

“Nëse mijëra njerëz që vijnë nga vende të ndryshme të Evropës nuk mund të takojnë liderin e tyre që dëshirojnë ta dëgjojnë, kjo nuk do të ishte e drejtë për mua. Prandaj do t’i takojmë ata këtu”, tha Erdogani në një konferencë për media.

Një ditë para vizitës së tij, agjencia shtetërore turke e lajmeve “Anadolu” raportoi se ka informata nga agjencitë e inteligjencës për një tentim potencial për vrasjen e Erdoganit derisa ai do të qëndrojë në Ballkan.

I pyetur për këtë raport, Erdogani tha: “E dëgjova këtë lajm dhe në të vërtetë, për këtë arsye jam këtu”, duke shtuar se informata ka ardhur nga Agjencia Turke e Inteligjencës. “Kërcënime dhe operacione të tilla nuk mund të na zhvendosin neve nga kjo rrugë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button