Resori i kulturës t’i takojë një shqiptari, pse kaq shumë reagime?

Kandidimi i Asaf Ademit, për ministër të Kulturës së Maqedonisë, si radhë e Lëvizjes BESA, ka ngjallur reagime të shumta në opinionin e Maqedonisë. Megjithëse reagimet nuk bazohen në vetitë dhe potencialin e tij personal, por në atë se: “Pse kultura u desh të jetë kurban i pazareve politike dhe ajo t’i takojë një shqiptari?”, artistët nga i njëjti presin të flasë me punë, të mos veprojë në bazë të lokalizmit, të mos investojë në betonim dhe ta zhbëjë projektin “Shkupi 2014”, shkruan Portalb.mk.

Iniciativa kulturore “Jadro” reagoi në lidhje me atë: “Se pse Ministria e Kulturës iu dha Lëvizjes Besa”, por për Portalb.mk ata sqaruan se reagimi nuk kishte baza etnike, por se pse Kultura u desh të pësojë nga ristrukturimi qeveritar – pazaret politike.

“Ne nuk kemi reaguar se pse ministri do të jetë shqiptar, siç menduan publiku, por kemi reaguar se pse Ministria e Kulturës u desh të pësojë nga ristrukturimi qeveritar. Ne nuk duam të spekulojmë se Kultura do të pësojë nëse vjen anëtari i BESA-s në krye të saj, por vetë ndryshimi i kuadrit do të vështirësojë dhe stagnojë punën e Ministrisë”, thanë nga udhëheqësia e iniciativës kulturore “Jadro”.

Sulejman Rushiti
Sulejman Rushiti, regjisor

Për regjisorin Sulejman Rushiti, marrja e Ministrisë së Kulturës nga Lëvizja BESA, është marrëveshje politike, dhe gjykimi i vërtetë i kuadrit të BESA-s do të jetë – puna.

“Parimisht asnjë Ministri nuk duhet të ketë eksluzivitet etnik. Nuk duhet as të paragjykohet në aspektin etnik por edhe të përkatësie politike. Resorët ministrore ndahen në bazë të marrëveshjeve politike. Personalisht nuk dua të paragjykoj. Le të gjykojmë në bazë të  punës së ministrit në të ardhmen”, tha Rushiti.

Për publicistin dhe kryetarin e Shtëpisë Botuese “Shkupi”, Azam Dauti, emërimi i Asaf Ademit si ministër i Kulturës paraqet gjasë, që duke e “zhbërë Shkupin 2014”, të rikthejë frymën liridashëse në Shkup.

“Është gjasë e ministrit të ri të Kulturës, që premtimin elektoral të LSDM-së për, e që përputhet me kërkesat e shqiptarëve dhe jovmroistëve të Shkupit: “zhbërjen e përmendoreve të Shkupit 2014” edhe ta bëj. Këtë, nuk duhet ta bëj për inat, por për shkak se ky projekt ia ka ndërruar frymën liridashës qytetarit të Shkupit.

Nga ana tjetër, ishpjesëtari i departamentit të Kulturës pranë LSDM-së, Boban Karapeovski, thotë se në nuk ka rëndësi se cilës parti dhe cilës etni i takon një ministër, por se sa ai i njeh mirë punët e kulturës në Maqedoni.

Karapeovski beson se kuadri i BESA-s do të mund ta kryejë punën mirë.

“Nuk është e rëndësishme se cilës parti i jepet, sepse ajo del nga marrëveshjet partiake, por shumë më e rëndësishme është se kush do të jetë në krye të të asaj Ministrie. Duhet të jetë person i sferës së kulturës, që i njeh mirë punët se si zhvillohen në atë fushë, dhe që do të mund të bëjë edhe politikë, edhe menaxhim, por edhe do ta krijojë politikë kulturore dhe kulturë. Nuk ka rëndësi se cila parti do ta marrë, por çfarë zgjidhje kuadrovike do të bëhet. Besoj se kuadri i BESAS-s mund ta kryejë mirë atë punë”, tha për Portalb.mk, Karapeovski.

Çka mund të bëj më shumë se tash, ministri i ri i Kulturës?

Azam Dauti, publicist

“Ne si punëtor kulturor, gëzohemi që Ministrinë e Kulturës e merr në duar kuadër shqiptar. Mirëpo, a do të jetë i suksesshëm apo jo, varet se a do të arrij që së pari të eliminoj faktorin e keqpërdoruesve, të cilët në programet kulturore, në mënyrë klandestine kanë kaluar projekte kulturore, duke mos plotësuar kriteret aplikuese të Ministrisë. Kur një projekt në mënyrë klandestine kalon në Ministri, a mund të ketë vlera artistike aty?!”, tha publicisti Azam Dauti.

Publicisti Dauti gjithashtu vlerësoi se: “pa krijimin e mekanizmit mbrojtës për zhvillim dhe kujdes të barabartë kulturor në Maqedoni, është shumë vështirë të avancohet kultura shqiptare, vetëm përmes programeve kulturore”.

Kurse pjesëtari i Lëvizjes BESA, Zeqirja Ibrahimi, kandidimin e Asaf Ademit e ka cilësuar si veprim politik, dhe ka dhënë “besën”, se ministri i Kulturës nga radhët e BESA-s, nuk do të lejojë: korrupsion, vjedhje, betonim dhe “marri të tjera që i kanë bërë ministrat e kulturuar”.

Zeqirija Ibrahimi
Zeqirija Ibrahimi, BESA

“Është fakt se ministri i Kulturës do të propozohet nga Lëvizja BESA, sepse funksioni i ministrit është politik, siç është fakt se ai do të jetë ministër që nuk do të lejojë korrupsion, vjedhje të artefakteve, betonimin dhe marri të tjera, që i kanë bërë “ministrat e kulturuar”, ndërsa lajmi më i rëndësishëm është se ministri i ri i Kulturës do t’u dëshmojë të gjithëve se kultura nuk duron racizëm, se i respekton të gjitha bashkësitë etnike dhe fetare dhe i afirmon të gjitha vlerat shpirtërore pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Dhe, ai nuk do të jetë vetëm shqiptar, por do të jetë ministër i Kulturës së Republikës së Maqedonisë, e pastaj shqiptar etj”, ka thënë Ibrahimi.

Se Asaf Ademi është kandidat për ministër të Kulturës, është vërtetuar edhe nga zëdhënësi i njërit fraksion të Lëvizjes BESA, me kryetar Afrim Gashi, Orhan Murtezani.

“Po e vërtetë është, Asaf Ademi është kandidat për ministër të Kulturës”, ka thënë Murtezani.

Ndryshimi i ministrit të Kulturës në Maqedoni erdhi si rezultat i ristrukturimit të Qeverisë së Maqedonisë, ku njëri fraksion i Lëvizjes BESA me kryetar Afrim Gashi, është bërë pjesë e përbërjes qeveritare. Si “shpërblim” për besimin e tre deputetëve, që iu bashkuan shumicës parlamentare, BESA mori Ministrinë e Kulturës, të cilën, nga qershori i 2017-s, e udhëhoqi Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, me Robert Allagjozovskin.

Përskaj BESA-s, me ristrukturimin e qeverisë, pjesë e shumicës parlamentare janë bërë edhe PDSH-ja, me kryetar Menduh Thaçi, dhe Lidhja e Romëve ku kryetar është ish partneri VMRO-DPMNE-së, Amdi Bajram.

Asaf Ademi – kandidat për ministër të Kulturës

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button