Thaçi: Nga marrëveshja finale do të fitojnë edhe Kosova, edhe Serbia

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar gjatë qëndrimit të tij në Sofje të Bullgarisë ku po merr pjesë në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor, se ka pajtueshmëri me presidentin e Serbisë,. Aleksandar Vuçiq për përmbylljen e dialogut me një marrëveshje ligjërisht obligative, transmeton REL.

Është dakordim i përbashkët i dy presidentëve që dialogu të vazhdojë në një të ardhme të afërt me lehtësimin e Bashkimit Evropian dhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe akterëve tjerë që duan të ndihmojnë, tha Thaçi.

“Ky është një momentum i ri, që kërkon mobilizimin e të gjitha forcave dhe energjive të skenës politike institucionale, të shoqërisë civile dhe medieve në Kosovë”, tha Thaçi, duke besuar se epilogu i bisedimeve do të jetë njohja e Kosovës nga Serbia dhe sigurimi i ulëses për Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Nuk do të jetë proces i lehtë për Kosovën, por as për Serbinë. Nuk do të jetë një ‘100 përqindësh’ as për Kosovën dhe as për Serbinë. Por, si Kosova ashtu edhe Serbia me këtë marrëveshje do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian”, theksoi Thaçi.

Ai tha se me marrëveshjen finale do të ruhet integriteti dhe sovraniteti i Kosovës.

“Jam i sigurt që procesi do të përmbyllet me një konkluzion ‘win-win’, që nënkupton se edhe Kosova edhe Serbia do të kenë të ardhme konkrete evropiane pas zbatimit të asaj marrëveshje. Pra, nuk do të ketë humbës dhe nuk do të cenohet njëri apo tjetri shtet, por do të gjinden modalitete bashkëpunimi sipas standardeve evropiane për akomodimin sa më afirmativ të komunitetit serb të Kosovës”, tha Thaçi.

Gjatë qëndrimit në Sofje, ai ka takuar presidentin serb Vuçiq, si dhe liderët e shteteve tjera të Ballkanit dhe ata të Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button