1 vjet pas marrjes së mandatit, për komoditet qeveritar, Zaev ua fali “gjynahet” Thaçit dhe Bajramit

Sot mbushen një vjet, prej kur lideri i LSDM-së, Zoran Zaev e mori mandatin nga presidenti Gjorge Ivanov, që të formojë kabinetin qeveritar. Pas një loje disamujorshe nga ana e presidentit i cili nuk ia jepte mandatin, pasi që paraprakisht Nikolla Gruevski dhe partia e tij VMRO-DPMNE, nuk kishin arritur marrëveshje për formim të qeverisë me BDI-në, shkruan Portalb.mk.

Asokohe, pas një presioni shumë të madh të brendshëm dhe ndërkombëtar, Ivanov, pas shumë refuzimeve, ftoi Zaevin që ta marrë mandatin, por të betohet në një deklaratë, e cila nuk ishte bërë asnjëherë më parë, pasi që rendi juridik i Maqedonisë e parashikon të njëjtën, por sipas Kushtetutës, presidenti e ka obligim të ia japë mandatin, pra pa kushte.

Zaev dhe Ivanov
Zaev gjatë marrjes së mandatit nga Ivanov

Megjithatë Zaev pranoi dhe e nënshkroi publikisht deklaratën në të cilën betohej se:

  • Garantojmë se do ta mbrojë identitetin, sovranitetin, integritetin territorial, pavarësinë dhe multietnicitetin e Republikës së Maqedonisë;
  • Garantojmë se do ta mbroj rendin kushtetues dhe tërësinë territoriale të Republikës së Maqedonisë;
  • Garantojmë mbrojtje të interesave shtetërore dhe avancim të jetës së të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, religjioze apo gjuhësore;
  • Garantojmë se procesi i miratimit të vendimeve për qytetarët e Republikës së Maqedonisë do të jetë në pajtueshmëri me parimet themelore demokratike dhe sundimin e ligjit, duke mos e sjellë Maqedoninë në situatë të përkuljes apo varësisë prej ndonjë shteti tjetër.
  • Asnjë dokument, platformë, deklaratë, akt ose veprim, të cilën do të jenë në kundërshtim me qëndrimet e lartpërmendura, nuk munden të jenë kusht as bazë për  formimin dhe veprimin e Qeverisë së Maqedonisë.

Me marrjen e mandatin, pas dy javëve u formua qeveria, fillimisht në përbërjen qeveritare ishin: LSDM kishte 49 deputetë në Kuvend, BDI 10 deputetë dhe Aleanca për Shqiptarët tre deputetë, transmeton Portalb.mk.

Kabineti qeveritar
Kabineti qeveritar

Shumica e ngushtë parlamentare, shfaqi nevojën që të zgjerohet koalicioni me qëllim të komoditetit të numrave. Kështu që, nga nëntori i vitit 2017-të, kryeministri Zaev, paralajmëroi rikonstruim të Qeverisë, me këtë rast paralajmëroi zgjerim të shumicës parlamentare.

Zgjedhjet lokale acaruan partnerët qeveritar, gjegjësisht kryeministri Zoran Zaev dhe parti e tij LSDM publikisht e përkrahu BDI-në nëpër të gjitha komunat ku ai garonte, ndërkaq nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët dhe opozitarja Lëvizja BESA i përkrahnin kandidatët e njëri tjetrit.

Zgjedhjet lokale mbaruan, sherri brenda koalicionit qeveritar vazhdoi. Problemi kryesor ishte që kandidati i Aleancës për Shqiptarët për kryetar të Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, i cili asokohe ishte ministër i Shëndetësisë i kishte fituar zgjedhjet dhe tani partia kërkonte që në vend të tij, me Ministrinë e Shëndetësisë të udhëheq dikush tjetër. Megjithatë, kryeministri Zaev nuk ia dha këtë pozitë Aleancës, por emëroi një funksionar nga partia e tij. Aleancës për Shqiptarët i ofroi një post të ri, zëvendëskryeministri, që Ziadin Sela e refuzoi duke e quajtur ministri byreku. Pas kësaj, Aleanca doli nga qeveria, por jo edhe partneri i saj i koalicionit RDK-ja me kryetar Vesel Memedin, që kishte vetëm një deputet.

Me këtë rast, numrat e shumicës parlamentare mbetën në 59, megjithatë kishte paralajmërime për zgjerim të shumicës me deputetë tjerë.

I pari që iu bashkëngjit shumicës parlamentare, ishte deputeti i koalicionit të VMRO-DPMNE-së, Çedomir Sazdovski, duke shtuar kështu numrin në 60. Në ndërkohë, shumicës parlamentare iu kyç edhe deputeti i Partisë Demokratike Turke, që më herët ka qenë në koalicion me VMRO-DPMNE-në, Jusuf Hasani, përcjellë Portalb.mk.

Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë

Pas kësaj, bisedimet mes kryeministrit Zaev dhe partive opozitare shqiptare vazhduan. Aleanca për Shqiptarët, për këto bisedime kishte qëndrim të qartë duke theksuar se nuk kthehet në qeveri, ndërkaq krahu i Lëvizjes BESA me kryetar Bilall Kasmin, pas disa muajve bisedime të njëjtat i ndërpreu.

Më 15 maj, kryeministri Zaev arriti marrëveshje me Menduh Thaçin, gjegjësisht PDSH-në që ka 2 deputetë, Lëvizjen BESA ku kryetar është Afrim Gashi që ka 3 deputetë, Lidhjen e Romëve, ku kryetar është Amdi Bajram që ka 1 deputet.

PDSH, Lëvizja BESA dhe Amdi Bajram hyjnë në qeveri

Megjithatë, befasues ishte fakti që lideri i LSDM-së i futi në qeveri personat të cilët në të kaluarën i kishte kritikuar. Për Menduh Thaçin madje publikoi një përgjim, ku dëgjohej se si Thaçi i thoshte shefit të atëhershëm të Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, se ishte me të deri në vdekje.

Nga ana tjetër, Bajram ka qenë gjatë kohë me VMRO-DPMNE-në, por ia ka kthyer shpinë pasi që partia humbi në zgjedhjet lokale. Bajram, në të kaluarën ka qenë kritikues i ashpër i LSDM-së, madje në disa raste ai ka përdorur gjuhë të urrejtjes kundër liderit Zoran Zaev.

Me këtë, momentalisht shumica parlamentare gjithsej numëron, 67 deputetë, ndërkaq ka gjasa që t’i bashkohet shumicës edhe një deputet nga koaliconi i VMRO-DPMNE-së, gjegjësisht Pançe Minov.

Zgjerimi i Qeverisë, nuk i siguron asaj dy të tretat në Kuvend

Njohësit e çështjeve politike në Maqedoni konsiderojnë se zgjerimi i koalicionit qeverisës mundëson komoditet për shumicën parlamentare, e cila ishte e brishtë pas largimit të Aleancës për Shqiptarët. Megjithatë, nënvizojnë se numrat janë larg përpjekjeve e të kryeministrit Zoran Zaev për të siguruar një përkrahje më të gjerë parlamentare, për t’i dhënë vizë ndonjë marrëveshjeje eventuale që do të mund të arrihej me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit.

“Ky rikonstruim i Qeverisë nuk ka asnjë ‘isharet’ të rikonstruimit, po thjeshtë qëllimi është vetëm të rritet numri i deputetëve që do të mbështesin atë. Zoran Zaev si kryeministër është i vetëdijshëm se nuk mund të sigurojë dy të tretat e votave (në Kuvend). Ai në këto rrethana synon vetëm ta stabilizojë Qeverinë e tij dhe ta bëjë Parlamentin më funksional sepse mazhornaca duket qartë se është e lëkundshme”.

“Pjesëmarrësit e rinj, përkatësisht partitë politike që tani bëhen pjesë e Qeverisë, nuk hyjnë në Qeveri me platformë politike apo kërkesa konkrete politike, por hyjnë në Qeveri që të jenë pjesë e saj dhe të përfitojnë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Alajdin Demiri ish-diplomat.

Kuvendi i Maqedonisë

Ndërkaq, politologu maqedonas Nikolla Dujovski për REL vlerëson se kryeminstri i Maqedonisë, Zoran Zaev me zgjerimin e koalicionit qeverisës do të sigurojë vetëm komoditet në qeverisje dhe asgjë më shumë.

“Zaevi synon të stabilizojë Qeverinë, përkatësisht shumicën parlamentare me disa deputetë plus, megjithatë më duhet të theksoj se nuk jam i sigurt se ky veprim i tij si kryeministër ndërlidhet me rrugëtimin e vendit drejtë zgjidhjes së kontestit të emrit”.

“Ndoshta do të dukem cinik, por sigurisht se në procesin e zgjidhjes së kontestit të emrit nuk mund të jetë pjesë Amdi Bajrami apo Menduh Thaçi”, thotë Dujovski.

Ndërkaq, Alajdin Demiri ish-diplomat konsideron se krahas sigurimit të stabilitetit të shumicës parlamentare me zgjerimin e paralajmëruar të Qeverisë, kryeministri Zoran Zaev zhvillon bisedime me liderin e opozitës maqedonase, Hristian Mickoski për arritjen e një konsensusi për çështjen e emrit.

“Kontesti i emrit kërkon një konsensus më të gjerë, që realisht ka mundësi të ndodhë, por në nivele të tjera. Nuk është Parlamenti dhe kjo mazhorancë që mund ta sigurojë atë. Mendoj se negociatat me VMRO-DPMNE-në për rirreshtim, sa i përket ndryshimit të emrit kanë filluar dhe ata do të realizohen në një nivel tjetër”, thotë Demiri.

Analistët politikë kanë komentuar edhe reagimet e opinionit në rrjetet sociale, të cilët kanë thënë se vendimi i kryeministrit Zoran Zaev është i pamoralshëm për të futur në Qeveri PDSH-në e Menduh Thaçit dhe partinë e komunitetit rom të Amdi Bajramit.

Qytetarët kanë kritikuar këtë vendim, pasi ndaj Menduh Thaçit, Prokuroria Speciale ka iniciuar proces gjyqësor për parregullsi zgjedhore, ndërkaq Amdi Bajrami ka qenë në koalicion me VMRO-DPMNE-në dhe shpesh ka kritikuar Zaevin.

Por, analistët thonë se vendimi i Zaevit është pragmatik dhe ka për qëllim që t’i jepet shtytje proceseve reformuese.

“Në këtë moment, shumica parlamentare është shumë e ngushtë dhe kryeministri Zoan Zaev nuk ka shumë hapësirë për manovrim. Zgjedhjet në dhjetor të vitit 2016, kur VMRO-DPMNE ishte shumë e fuqishme si parti, kanë lënë pasoja afatgjate”, shprehet Dujovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button