Kina blen Superkupën e Spanjës

Superkupa e Spanjës do të zhvillohet në Pekin duke filluar që nga viti i ardhshëm. Horge Perez Arias, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Spanjolle të Futbollit, ka firmosur dje një akord në kryeqytetin kinez për zhvillimin e 5 edicioneve në 7 vitet e ardhshme të ndeshjes që vë përballë fituesin e Kampionatit dhe Kupës në Spanjë. Nga kjo marrëveshje, federata spanjolle ka përfituar 35 milionë euro.

Perez Arias ka firmosur marrëveshjen me firmën kineze UVIS, një gjigand i marketingut ndërkombëtar që ka bërë edhe më përpara marrëveshje të këtij lloji. Ata kanë një marrëveshje në fuqi me Federatën Italiane të Futbollit për zhvillimin e tre edicioneve të Superkupës së Italisë në Pekin, ndërsa janë luajtur 2 edicione: Lacio-Inter (2009) dhe Milan-Inter (2011). Pritet që këtë sezon, në Pekin të zhvillohet edhe ndeshja e tretë, ajo mes Napolit dhe Juventusit, por data nuk është caktuar ende.

Por marrëveshja mes Federatës Spanjolle dhe kësaj kompanie duhet të miratohet më parë nga klubet, të cilët nga ana e tyre duan të përfitojnë sa më shumë nga kjo marrëveshje ekonomike e rëndësishme, pasi bëhet fjalë për shiten e imazhit të tyre.

Ndërkohë, është mësuar se kinezët janë të interesuar për të blerë edhe ndeshje të veçanta, duke ofruar 10 milionë euro për zhvillimin e një “El Clasico” të kampionatit, Real-Barça apo Barça-Real në Pekin.

Lajme të ngjashme

Back to top button