SHPIRTI I MESDHEUT

Ai shkruan për flamujt dhe stemat; për luftërat dhe betejat; për princërit dhe mbretërit; për demokracinë dhe tiraninë; për mitet dhe traditat; për popujt dhe religjionet; për qytetet dhe sheshet; për klimën dhe motin; për molet dhe portet; për ishujt dhe faret; për dallgët dhe rrymat detare; për shkumën e detit, retë dhe shirat; për agun dhe muzgun; për brigjet dhe guacat; për burimet dhe lumenjtë; për peshkatarët dhe rrjetat; për sfungjerët dhe aromat e detit; për zhargonet dhe sharjet; për hartat dhe panairet; për veglat dhe zejet; për notin dhe përmbytjen; për parfumet dhe kremtet; për njësitë e peshës dhe të masës; për qiparisin dhe dafinën; për ullinjtë dhe vreshtat; për guvat dhe dënimet; për ëndrrat dhe fjalët; për katranin dhe kërpin.

Ai shkruan për Mesdheun, këtë mozaik gjuhësh, kulturash, kombesh, religjionesh dhe qytetërimesh.

Autori është Predrag Matvejeviqi. Vepra quhet “Libër dore për Mesdheun”, që në shqip u përkthye nga Arben Leskaj.

Aty rrëfen mesdhetari për Mesdheun, popujt e të cilit askush nuk i njeh, por as popujt e tij nuk e njohin veten sa duhet. Flitet aty edhe për shqiptarët, një popull autokton i Ballkanit, të cilët, siç shkruan autori, i qaseshin detit, i largoheshin, u qepeshin maleve, zbrisnin luginave, duke ndryshuar si horizontin ashtu edhe këndvështrimin e pamjes së gjërave sa herë që zhvendoseshin.

 “Shqiptarët i thonë detit det: kjo fjalë, me sa duket, nuk ekziston në asnjë gjuhë tjetër dhe ata janë të vetmit në Mesdhe që e quajnë me këtë emër”.

Shqiptarët i përkasin kësaj hapësire ku lindi qytetërimi perëndimor. Fryma mesdhetare ka qenë e pranishme në letërsinë shqipe. Mesdheu është djepi i Europës, është zona frymëzuese e poetëve. Në brigjet e Mesdheut lindën ligjet dhe poetika e veçantë. Lamartini i shkruante De Radës se në këto brigje kishte lindur poezia dhe atje do të kthehej.

Është ky libër i shkruar në kohën kur autori kritikohej ashpër nga njerëzit e partisë; kur gazetat refuzonin t’ia botonin shkrimet. I veçuar nga shoqëria, ai deshi të shkruante një libër që bazohej te mënyra se si do të rrëfente dhe jo si do ta shpaloste erudicionin e tij.

Është ky një doracak mbi hapësirën ku njerëzit u besojnë përrallave më shumë se gjetkë dhe presin një ngjarje që duhet të ndodhë; ku njerëzit ëndërrojnë vetëm në fëmijëri dhe e shohin të ardhmen si përsëritje të së kaluarës; ku popujt kanë natyrë të zhurmshme dhe kalojnë shpejt nga shakaja në zemërim, nga gëzimi në ligështim dhe anasjelltas; ku i është ngritur përmendore besimit dhe supersticionit; ku shpirti plaket më ngadalë se sa trupi.

Mesdheu është hapësira ku ka lindur demokracia; ka lindur në jug dhe është zhvilluar në veri.  Është hapësira ku pesimizmi ka depërtuar në histori dhe në interpretimin e saj; ku mitet u kthyen në mitologji dhe historia degjeneroi në historizëm; ku njerëzit janë të lidhur pas traditës dhe janë robër të një fryme konservatore.

Mesdheu është hapësira ku u ushtruan tiranitë; ku të gjithë njerëzit e shohin të njëjtin det, por secili e sheh të vetin; ku fjala bëhet pasthirrmë a dalldi, sepse e folura nuk mjafton më, prandaj mesdhetarët shajnë shumë, sepse shpesh u bie dielli mbi kokë.

Është ky një libër ku, sikurse thotë Katerina Resta, paraqitet “gjeopolitika e Mesdheut”.

Mesdheu, afshi i të cilit arrin dhe e kapërcen Shkupin, siç shkruan autori, ndjehet deri në liqenin e Ohrit dhe ngjitet përpjetë Vardarit, me laramaninë, bukurinë dhe çmendurinë që i ka me tepri; është hapësirë e bukur që ka prodhuar gjëra madhështore në të gjithë fushat e dijes dhe artit.

Mesdheu është djepi i filozofisë dhe shkencës së Europës Perëndimore dhe bazamenti i qytetërimit dhe kulturës europiane. Shumëkulturaliteti mesdhetar ka ndikuar në zhvillimin e filozofisë perëndimore.

Mesdheu është hapësira që e ka njohur traditën antike greko – romake, bizantine e orientale. Bizantinët, shkruan autori, e mbartën filozofinë greke tek arabët, kurse ata, nëpërmjet filozofëve të njohur, si Avicena, Averroes, Ibn Halduni, e kthyen në Europë filozofinë e Aristotelit, e cila ishte harruar.

Mesdheu është pikëtakim specifikash kulturore dhe qytetëruese, që mund të jetë model bashkëjetese, dialogu dhe miqësie. Historia e botës është historia e Mesdheut, thotë Aleksej Kishuas. Dhe nëse sërish do të mendohej Europa ajo duhet të niset nga Mesdheu. Në shenjë të hapjes dhe mikpritjes. Dhe gjithçka ka filluar me migrimin, i cili e ka pasuruar kulturën mesdhetare, por sot Mesdheu është bërë fortifikatë e Europës. Është bërë muri i saj. Muri i qytetërimit perëndimor.

Libri i Matvejeviqit për Mesdheun, sikurse ai i Maria Todorovës për Ballkanin, janë shkruar nga autorë që e ndjejnë dhe e duan rajonin të cilit i përkasin. E duan me veset dhe virtytet që i ka. E duan sepse e njohin më thellë. E njohin shpirtin e tij.

Ky libër, që i sjell aromat dhe çuditë e Mesdheut, u botua për herë të parë më 1987, në Zagreb dhe është përkthyer në shumë gjuhë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button