Media serbe: SHBA-ja ofron 100 milionë dollarë për anëtarësimin e Kosovës në Interpol

Amerikanët janë të gatshëm që ta paguajnë çdo shtet që në vjeshtë do të votojë për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën ndërkombëtare të policisë – Interpol.

Kështu shkruan portali nga Beogradi informer i cili shton se për këtë Washingtoni i ka ftuar për ndihmë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sipas këtij portali, transmeton Koha.net, SHBA- ja tashmë ka përgatitur buxhetin prej 100 milionë dollarësh për të lobuar që Kosova të bëhet anëtare e Interpolit.

Asambleja e Përgjithshme e Interpolit do të mbahet nga 18 deri më 21 nëntor në Dubai.

Sipas portalit serb, lobistë nga Kosova administratës amerikane i kanë siguruar shumë para.

“Washingtoni është i gatshëm që shteteve të varfra e të pavendosura anëtare të Interpolit t’ua paguajë të gjitha shpenzimet e shkuarjes në Asamble e si kompensim ato kanë vetëm një detyrë – të mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Interpol” , shkruan informer, transmeton Koha.net.

Sipas burimeve të portalit nga Beogradi, Amerika është e vendosur që më mos t’ia lë rastit dhe të lejojë që të ndodhë sërish bllokimi i Kosovës.

Këto burime shtojnë se vjet Rusia e Kina e ndihmuan Serbinë që ta pengojë anëtarësimin e Kosovës dhe për këtë arsye shqiptarët në marrëveshje me amerikanët e tërhoqën kandidaturën. Kësaj radhe iu shkon për shtati se Asambleja e Përgjithshme tubohet në Emiratet e Bashkuara të cilat e kanë njohur Kosovën. Me kohë i kanë siguruar së paku 100 milionë dollarë për lobim, por po kërkojnë nga Emiratet e Bashkuara që ta financiarisht ta ndihmojnë planin.

Se SHBA-ja i ka përgatitur paratë që ta paguajë pranimin e Kosovës në Interpol, pohon edhe shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq:

“SHBA – ja është vendosur që ta shtyjnë Kosovën në Interpol, Organizatën Botërore të Tregtisë, UNESCO dhe në Këshillin e Europës. Nga Emiratet e Bashkuara Arabe kërkohet që t’i paguajë disa vende për të votuar për Kosovën”, ka thënë Daçiq.

Ministri serb i policisë Nebojsha Stefanoviq, duke komentuar këto informata thotë se Serbia dhe MPB e saj po bëjnë çdo gjë që ta pengojnë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare e sidomos në Interpol.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button