Gëzuar Muaji i Ramazanit

“Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë…”  (El Bekare, 185)

Të dashur besimtarë, motra e vëllezër,

Me një kënaqësi të veçantë po ju lajmëroj se, nga dita e nesërme, për një muaj rresht do të jemi duke agjëruar, duke u lutur e kryer ibadete që e përforcojnë besimin tonë, që e shtojnë devotshmërinë, dashurinë, respektin, humanizmin tonë.

Muaji i Ramazanit është muaji i dritës, është muaji i Natës së Kadrit, muaj i të vetmes rrugë të drejtë, është muaj  indriçimit të mendjes e të zemrës, është muaj i përkushtimit ndaj më të dashurve tanë, ndaj fqinjëve tanë si dhe ndaj jetimëve, skamnorëve, të varfërve dhe ndaj atyreve që janë në nevojë.

Motra e vëllezër! Agjërimin nuk duhet kuptuar vetëm si abstenim i përkohshëm nga kënaqësitë trupore e shpirtërore. Agjërimi është një lloj marrëveshje unanime për të përcjellë mesazhe të përbashkëta. Mbarë bota myslimane agjëron dhe, përmes këtij akti të shenjtë kjo botë dëshmon se është në gjendje të sakrifikojë me vullnet e dëshirë për të dëshmuar se ka përkushtim të pa luhatur ndaj Krijuesit Fuqiplotë, dëshmon se ka dashuri dhe dhembshuri ndaj krijesave të Zotit Mëshirëplotë, dëshmon se ka vetëdije dhe shpirt human për ta ngrohur e përkëdhelur shpirtin e çdo krijese të Zotit Absolut. Prandaj, motra e vëllezër, ju ftoj që t’i bashkëngjiteni me plotë gëzim e lumturi kësaj bote e cila ka rastin që për një muaj të tërë të jetë sa më pranë Allahut xh. sh., t’i lutet Atij dhe vetëm prej tij të kërkojë falje dhe mirësi.

Mbi të gjitha, besimtarë të dashur, në këtë Muaj të Agjërimit, jemi të nderuar si të përzgjedhur për të rrezatuar vetëm dashuri, mirëkuptim, tolerancë; jemi të porositur që të mbajmë fort në dorë bajrakun e lirisë dhe të paqes. Nuk ka kacafytje, nuk ka nervozizma, nuk ka sharje e ofendime, sepse, në këtë muaj ne agjërojmë, ne jemi më pranë Zotit, plotë dashuri e respekt. Prandaj, motra e vëllezër, duke ju ftuar në agjërim, ju uroj një muaj të begatshëm me të gjitha të mirat e Zotit si dhe një agjërim të mbarë.

Ju qoftë për hajër ky muaj i bekuar i Ramazanit dhe paçi bekimin e Allahut Mëshirëplotë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button