Afron finalja e Europa League, Marsejë-Atletico në Lion

Për kupën më të vogël të futbollit kontinental, që do të dorëzohet mbrëmjen e së mërkurës në stadiumin e Lionit, ka nisur numërimi mbrapsht.

Nga njëra anë Marseja e drejtuar nga trajneri Rudi Garcia, e nga ana tjetër Atletico Madridi i Diego Simeones, gati për betejë në sfidën e fundit sezonale dhe atë që vlen sa një trofe, transmeton Top Channel. 

Spanjollët, që eliminuan Arsenalin në gjysmëfinale, kanë eksperiencën dhe cilësinë e duhur për t’u imponuar, në një kompeticion që e kanë fituar dhe në vitet 2010 e 2012, para dy finaleve të humbura në Champions kundër Realit të Madridit.

Trajneri Diego Simeone do të ketë sërish në dispozicion anësorin Filipe Luis, ndërsa në qendrën e mesfushës, në balotazh janë Partey dhe Gabi, me këtë të fundit më të avantazhuar për shkak të eksperiencës.

Marseja, ndërkohë, ka mbërritur në epilogun e turneut në mënyrë surprizuese, falë cilësisë së futbollistëve fantazistë. Thauvin dhe Payet janë futbollistët te të cilët do të mbështeten francezët, për të synuar ngritjen e kupës në vendlindje. Në dyshim për marsejezët, për shkak të dëmtimeve, janë Rolando dhe Mitroglou.

Trajneri Rudi Garcia duhet të vendosë gjithashtu nëse Luis Gustavon do ta hedhë në mbrojtje apo në mesfushë, si alternativë për të befasuar rivalët më 16 maj, në “Parc Olympique Lyonnais”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button