BDI: Pushteti legjislativ dhe ekzekutiv guximshëm ta zgjidhin çështjen emrit me Greqinë

Faza e parë e mbledhjes së Kryesisë së Bashkimit Demokratik për Integrim të filluar më 16 mars 2018 që synon ndërtimin e politikave programore, strategjike, orientuese dhe kadrovike të BDI-së për dy dekadat vijuese përfundoi me takimin maratonik të drejtuesve të BDI-së të premten ku u miratuan konkluzat për vijueshmërinë e zbatimit të programit nga ana e ekzekutivit si dhe u diskutua mbi pushtetin lokal dhe prioritetet programore për komunat, informojnë nga BDI

“Seria e mbledhjeve të Kryesisë përfshiu raportime të detajuara të drejtuesve të pushteteve të drejtuara nga ana e Bashkimit Demokratik për Integrim që përfunduan me konkluza konkrete programore të afatizuara për zbatim në drejtim të ngritjes së cilësisë në arsim, shëndetësi, kulturë, përfaqësim të drejtë, adekuat dhe cilësor, decentralizim të shtuar, politika lokale, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie shoqërore, ambient jetësor, infrastrukturë, etj, Anëtarët e kryesisë vlerësuan ecurinë e zbatueshmërisë së programit për secilin dikaster drejtues veç e veç dhe dhanë orientime konkrete për vijimin e punës në frymën e plotësimit të premtimeve zgjedhore dhe adresimit të pritjeve të qytetarëve”, thonë nga BDI.

Në kumtesë gjithashtu thuhet se në këto mbledhje është diskutuar edhe për aktualitetet politike, përfshirë çështjen e emrit, marrëdhëniet me fqinjët, integrimin në NATO, reformat sistemore, raportin e progresit të Komisionit Evropian, negociatat me Bashkimin Evropian, zgjerimin e shumicës parlamentare, barazinë gjuhësore, etj.

“Kryesia konstatoi ecurinë e suksesshme dhe shpresëdhënëse të negociatave për tejkalimin e pengesës së fundit në drejtim të integrimit të plotë EuroAtlantik dhe inkurajoi pushtetet legjislative dhe ekzekutive që guximshëm të përmbyllin edhe kontestin shumëvjeçar me Greqinë në periudhën para nesh”, thuhet në kumtesë.

Nga BDI shtojnë se në përmbyllje të fazës së parë që shënon edhe rrumbullakimin e veprimtarisë tematike të BDI-së si subjekt politik pas miratimit në tërësi të pjesës normative të Marrëveshjes së Ohrit, kryetari Ahmeti paralajmëroi mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, si organ më i lartë në mes të dy Kongreseve, për muajin qershor të këtij viti.

“Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm do të jetë nisma në ndërtimin e përbashkët të Bashkimit Demokratik për Integrim për dy dekadat para nesh e gjithnjë në dobi të shoqërisë së përgjithshme dhe proceseve progresive të vendit tonë”, thonë nga BDI.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button