Zaev: Duhet siguruar ambient që nuk do t’i diskriminojë personat e prekur nga HIV

“Secili prej nesh është i ndryshëm dhe i veçantë në mënyrën e vet, prandaj sëmundja nuk duhet të jetë matës për atë çfarë është një personalitet”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev në hapjen e sotme të takimit të 39-të të Këshillit të Fondit Glogal për luftë kundër HIV-it, malarias dhe tuberkulozit, raporton Anadolu Agency (AA).

“Është koha e fundit që të sigurojmë ambient i cili nuk do t’i gjykojë e as do t’i diskriminojë personat e prekur nga HIV ose nga tuberkulozi. Vetëm në këtë mënyrë do të garantojmë mbrojtje dhe realizim të të drejtave themelore të njeriut. Qeveria e Republikës së Maqedonisë e udhëhequr nga koncepti ‘Një shoqëri për të gjithë’ angazhohet për të krijuar një shoqëri të çliruar nga paragjykimet”, tha Zaev.

Ai theksoi se Maqedonia është lider në rajon lidhur me financimin e programeve për luftë kundër HIV-it dhe tuberkulozit nga ana e shtetit.

“Gjatë 14 viteve të fundit për luftën kundër HIV-it dhe tuberkulozit për Republikën e Maqedonisë janë ndarë si fond 34 milionë dollarë. Duke filluar nga ky vit Republika e Maqedonisë në tërësi ka marrë përsipër detyrimet financiare të projekteve për luftë kundër HIV-it dhe tuberkulozit. Përë këtë dedikim Qeveria për vitin 2018 ka ndarë 1.5 milionë euro ose tre herë e gjysmë më shumë në krahasim me vitin e kaluar”, tha Zaev.

Ai potencoi se duke investuar në afat të gjatë do të shpëtohen shumë jetë njerëzish, për të shtuar se financimi shtetëror doemos edhe më tej do të rritet me çka do të garantohet qëndrueshmëria afatgjate e programeve për luftë kundër HIV-it dhe tuberkulozit dhe do të përfshihen një numër më i madh i personave të prekur.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, momentalisht vendet janë duke rritur mbështetjen financiare shtetërore ndërsa Fondi global mbështet vendet me shkallën më të lartë të këtyre sëmundjeve ndërsa me kapacitet më të vogël ekonomik.

“Meqë përforcimi i qëndrueshmërisë është një proces rrjedhës, dialogu nga ky takim ministror duhet të vazhdojë në kuadër edhe mes vendeve në nivel politik dhe teknik me përfshirjen e sektorëve të ndryshëm, përfshirë edhe komunitetet e involvuara dhe shoqërinë civile”, shtoi Filipçe.

Në takimin dyditësh të 39-të të Këshillit të Fondit Global kundër HIV-it, malarias dhe tuberkulozit, marrin pjesë 300 delegatë nga mbarë bota.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button