Prindërit të revoltuar nga deklarata e ambasadores Kara, por ja çfarë thonë nga Qeveria dhe MASH

Deklarata e ambasadores së Turqisë në Maqedoni, Tülin Erkal Kara ku Shkollën Private “Kolegji Jahja Kemal” e cilëson si organizatë terroriste, ka ngjallur revoltë te publiku në Maqedoni, veçanërisht te prindërit që i kanë besuar “Kolegjit Jahja Kemal” edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të tyre, shkruan Portalb.mk. Për deklaratën e Karas, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Qeveria e Maqedonisë nuk deshën të komentojnë, por njoftuan se “Maarif” nuk është shkollë dhe nuk funksionon në bazë të dispozitave ligjore e ndërsa për ” Kolegjin Jahja Kemal” dhe të gjitha shkollat tjera thanë se nëse punojnë në pajtueshmëri me ligjin, do të punojnë pandërprerë.

“Të gjithat shkollat e regjistruara në Republikën e Maqedonisë duhet të punojnë në pajtueshmëri me dispozitat ligjore, dhe në këtë drejtim kontrolli ndaj të gjitha shkollave private dhe publike, si edhe në këtë rast, Shkolla Private “Kolegji Jahja Kemal” është i njëjtë dhe vlen njëjtë sikurse për shkollat tjera. Fondacioni “Maarif” nuk është themeluar sipas dispozitave ligjore nga fusha e arsimit”, thanë për Portalb.mk nga MASH.

Nuk komentohet dhe argumentohet deklarata e Karas

Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk mund të komentojnë deklaratat e ambasadores”, thanë nga MASH, kurse nga Qeveria e Maqedonisë shkurt disa herë u përgjigjen se qëndrimi i MASH-it është edhe qëndrim i Qeverisë së Maqedonisë duke refuzuar të përgjigjen në pyetjen: “Se a do të kërkojnë dëshmi dhe argumente nga ambasadorja e Turqisë në Maqedoni, Tülin Erkal Kara për deklaratat e saja dhe se a pajtohen edhe ata me deklaratën e njëjtë – se ” Kolegji Jahja Kemal” është organizatë terroriste?”.

Nga MASH porosisin se secila shkollë që do të punojë në pajtueshmëri me ligjin, do të punojë në mënyrë të pandërprerë.

“Sikur institucion kompetent mund të dërgojmë porosi deri te çdo shkollë në Republikën e Maqedonisë e cila punon në pajtueshmëri me dispozitat ligjore, do të punojë në mënyrë të pandërprerë”, thanë nga MASH.

Prindërit: zonja Kara baltosi fëmijët, ata nuk edukohen për terrorizëm

Zërijeta Jajaga dhe Xhevat Ademi janë prindër të nxënësve që ndjekin mësimet në shkollën private “Kolegji Jahja Kemal” dhe që të dy shprehen të indinjuar nga deklarata e ambasadores Kara.

Zërijeta Jajaga

Zonja Jajaga të njëjtën e sheh si baltë që iu hodh fëmijëve të saj.

“Ndjehem shumë e indinjuar nga gjuha e urrejtjes që e përdori ambasadorja e Turqisë, sepse ajo nuk na ofendoi vetëm neve si prind, por e patolerueshme është se si baltosi krijesat më të çiltra – fëmijët duke i quajtur “terrorist potencial”. Jam nënë e dy fëmijëve që shkollohen në “Yahya Kemal Collegue” dhe me plot bindje them se fëmijët e mi më së paku janë terrorist potencial. E çmoj lartë punën dhe angazhimin e stafit mësimdhënës. Përvoja ime si prind flet se falë angazhimit të arsimtarit të matematikës Ozgur vajza arriti rezultate shumë të mira në garat e matematikës që organizon Kengur. Thjesht në këtë shkollë çmohet puna”, tha Jajaga për Portalb.mk.

Xhevat Ademi

Kurse zotëri Ademi thotë se ai si prind në asnjë moment nuk do të kishte lejuar që fëmija i tij të edukohet për prirje terroriste.

“Nuk është në praktikën diplomatike që ambasadorët të lëshohen në kështu kualifikime aq më tepër për institucione për të cilat lobonin vetëm e vetëm që ta kryenin veprimtarinë arsimore. Si prind jam i revoltuar nga ajo deklaratë ku thuhet se fëmijët të cilët edukohen në ato qendra, arsimohen për të qenë terrorist potencial. Unë si prind asnjëherë nuk do të kisha lejuar që fëmija im të edukohet për prirje terroriste”, tha Ademi për Portalb.mk.

Portalb: Gjatë arsimimit të fëmijëve tuaj, a keni vërjetur influencë të ndonjë radikalizmi që do t’i bënte terrorist nxënësit e shkollës “Kolegji Jahja Kemal”?

“E them me bindje të plotë, se te djali im, shokët e tij, në asnjë moment nuk kam hetuar tendenca apo prirje dhe qëllime joarsimore, apo diçka për të cilat aludon zonja ambasadore. E lus zonjën ambasadore që të kryejë punën për të cilën është obliguar, e mos të merret me fëmijët tanë”, tha Xhevat Ademi, prind.

“Jo në asnjë mënyrë nuk kam honeps se promovohet ndonjë frymë ekstremiste apo radikale. Im bir është maturant dhe mëson me një klasë me nxënës të përkatësive të ndryshme etnike ku mbi të gjitha çmohen vlerat”, u shpreh Zërijeta Jajaga, prind.

Ambasadorja Kara e quan organizatë terroriste kolegjin Jahja Kemal: a janë edhe nxënësit terroristë? (VIDEO)

Të gjitha këto vijnë, pasi që dje, ambasadorja e Turqisë në Maqedoni, Tülin Erkal Kara gjatë promovimit të Fondacionit “Maarif” deklaroi:

“Të bëj një apel deri te ju dhe opinioni, ejani, të gjithë së bashku, fëmijët tanë t’i regjistrojmë në shkollën, Fondacionin “Maarif”, derisa ne si prindër nuk dëshirojmë që fëmijët në të ardhmen të jenë terroristë, duhet ata ti drejtojmë në shkollën “Maarif”, sepse institucionet “Jahja Kemal” në asnjë rast nuk na përfaqësojnë neve. Ejani që të luftojmë kundër kësaj organizate terroriste, në mënyrë thelbësore, dhe ajo të mos mbetet në nivel deklarativ”, ka thënë Kara.

Përndryshe, Shkolla Private “Kolegji Jahja Kemal” edhe më herët ka qenë cak i sulmeve nga Qeveria e Turqisë në krye me Rexhep Taip Erdogan, duke u cilësuar bashkëpunëtore e oponentit ideologjik të tij, Fetullah Gylen.

Ndryshe, Shkolla Private “Kolegji Jahja Kemal” është shkollë private në Republikën e Maqedonisë, është themeluar më vitin 1996 në Shkup me akt të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në bashkëpunim me organizatën themeluese, ku më pas hapi edhe filijane në Gostivar, Strugë, Bogovinë, Tetovë dhe Strumicë. Mësimi në këtë shkollë zhvillohet në katër gjuhë: shqipe, maqedonase, turke dhe angleze.

Shkolla mban emrin e pronarit të saj, Jahja Kemal Bejatli, poet turk i lindur në Shkup më vitin 1884.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button