“Maqedonia ka nivel të ulët të personave të infektuar me HIV”

Maqedonia nga ky vit ka marrë përsipër detyrimet financiare përmes buxhetit të shtetit dhe ka siguruar 90 milionë denarë për investime dhe zbatimin e programeve parandaluese të HIV dhe programeve parandaluese për tuberkuloz, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në hapjen e sotme të takimit të Ministrave të Shëndetësisë në Evropën Juglindore, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Filipçe para të pranishmëve theksoi se aktivitetet e programit të HIV po zbatohen në kontinuitet në bashkëpunim me 15 organizata të shoqërisë civile dhe organizata të të prekurve nga vendi.

“Këto çështje nuk duhet të varen nga vullneti politik, sepse ato janë çështje të të drejtave themelore të njeriut, prandaj, përveç financimit, nevojiten mekanizma të qëndrueshëm dhe stabile, përshtatjen e duhur të legjislacionit jo vetëm në aspektin e qëndrueshmërisë financiare të këtyre programeve, por edhe në sigurimin e mbështetjes së mjedisit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në mënyrë që askush të mos lihet anash”, tha Filipçe.

Ai potencoi se Maqedonia ka nivel jashtëzakonisht të ulët të personave të infektuar me HIV, madje edhe në grupet më të rrezikshme, duke shtuar se kjo është për shkak të bashkëpunimit të shkëlqyeshëm midis qeverisë dhe sektorit joqeveritar, i cili sipas tij, ka përvojë të madhe dhe kontakt të drejtpërdrejt me grupet më të rrezikshme.

Kryetarja e Bordit të Fondit Global nga Gjeneva, Aida Kurtoviç tha se qëllimi i takimit dy-ditor është që tetë vendet e Evropës Juglindore të gjejnë mënyra për të punuar së bashku për të luftuar HIV-in dhe për të mbajtur këtë sëmundje në një nivel të ulët.

Ajo theksoi se takimi i Fondit Global që mbahet këtë vit në Shkup është mirënjohje për Republikën e Maqedonisë në rolin udhëheqës dhe punën e madhe që është bërë këtu, jo vetëm me OJQ-të, por edhe në qëndrueshmërinë e programit për luftimin e HIV, AIDS dhe tuberkulozit.

Në Bordin e Fondit Global, përveç ministrave, marrin pjesë edhe zëvendësministra të Shëndetësisë dhe sekretarë shtetërorë në ministritë përkatëse nga Bullgaria, Rumania, Mali i Zi, Kroacia, Bosnjë e Hercegovina, Moldavia, Kosova, Shqipëria dhe Serbia.

Vendimi që në Maqedoni të mbahet takimi i Bordit drejtues të Fondit Global u mor njëzëri sepse vendi ka trajtuar me sukses këtë sfidë deri më tani dhe shkalla e HIV-it është e ulët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button