Kosovë, një muaj paraburgim për Dejan Slaviç i dyshuar për krime lufte

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh kundër të pandehurit Dejan Slaviç për shkak të dyshimit se ai ka kryer krime të luftës gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Gjykata Themelore në Prishtinë thuhet se urdhri i paraburgimit është përcaktuar me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se Slaviç në bashkëkryerje ka kryer veprën penale, “Krimet e luftës kundër popullatës civile”, e paraparë dhe e dënueshme sipas Kodit Penal të Jugosllavisë dhe të gjitha rregullat e ligjeve ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë, ndërsa aktualisht e penalizuar në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Të pandehurit Dejan Slaviç i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji dhe atë duke filluar nga data 05.05.2018 deri me datën 05.06.2018”, thuhet në njoftim.

Gjykata ka analizuar të gjitha arsyet, thuhet në njoftim, mbi caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Slaviç si dhe ka marrë parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete për ta siguruar praninë e të pandehurit dhe pas analizimit të tyre, ka konstatuar se masa e paraburgimit është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, theksohet në njoftim.

Sipas një komunikate nga e ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë thuhet se shtetasi serb, Dejan Slaviç, i lindur në vitin 1974 të shtunën e kaluar është arrestuar në kalimin kufitar me Serbinë në Jarinje dhe iu caktua një masë paraburgimi deri në 48 orë, me dyshimin për kryerjen e krimeve të luftës.

Siç thuhet në njoftim, ai ka jetuar në Obiliq të Kosovës deri në vitin 2003 dhe aktualisht jeton në Llazarevc të Serbisë. Kjo zyrë ka vlerësuar se “arrestimi i tij ka qenë një praktikë jodemokratike bazë të listave të fshehta, të cilat, sipas eksperiencave të kaluara, janë përgatitur kryesisht në bazë të raporteve të rreme”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button