AMIKU

(Amik Kasoruho, Nyrembergu i munguar, dhuna, Kosova)

Nuk ka shumë njerëz si ai. Dikush do të thoshte se ai nuk jeton më dhe se më me vend do të ishte të thuhet se “pak kishte njerëz si ai”. E vërtetë në njëfarë mënyre! Ka disa vite që ka kaluar në amshim. Por a nuk jemi të gjithë vizitorë në këtë botë ? Jetojmë jetët tona. Kalojmë sfidat, mbi disa prej tyre ngadhënjejmë, mbi disa jo. Lëmë gjurmët tona. Ikim dikur. I tillë ishte edhe Amik Kasoruho me gjithë atë sofistikim shpirtëror dhe përfektësi intelektuale të mishëruar në mënyrë kaq kompakte me guximin njerëzor. Një oqean lëvizës plot mendje.

Kam përcjellë shumicën e paraqitjeve të tij. Një shqiptar shumë krenar, të cilin atdheu e kishte bërë të vuaj shumë. I privuar nga liria qysh në moshën 17 vjeçare, Amik Kasoruho ka paguar me çmim të lartë mënyrën e tij se si ka ndjerë vetën shqiptar dhe se si ka perceptuar lirinë. E megjithatë thoshte se ka plot optimizëm brenda tij dhe se jep këtë optimizëm falas. Për shumë çka i jam mirënjohës Amikut. Ai shtronte shinat e mendimeve dhe shpaloste tematikat e botës së brishtë shqiptare. Dy nga to përmenden këtu: Nyrembergu i munguar dhe Kosova.

Tek Amik Kasoruho kam dëgjuar për herë të parë një analizë racionale mbi mungesën e një Nyrembergu shqiptar. Ai nuk e shihte këtë thjeshtë si një vënie kufiri politik të ndarjes së shoqërisë shqiptare me dhunën. Një traumë a nuk di njeri se si ta quajë më saktësisht, por kaq ashpër po reflekton edhe sot në përditshmërinë e trishtë të dhunës ndër-individuale ndër shqiptarë.

Më vonë një rrëfim i një njeriu tjetër, më kristalizoi edhe më shumë këtë rezultat mbijetues të dhunës së dikurshme në të sotmen e dhunshme. Ishte ky Hysen Haxhiaj. Ndër pak shqiptarë, ai pranoi se nuk di të dashuroj më. Ai pranoi një segment të vërtetës që nuk po kapërdihet nga shoqëritë shqiptare, relacionin inteferues ndërmjet dhunës dhe dashurisë. Kjo e para nuk do të ekzistonte sikur të mos kishte fuqinë të interferonte të dytën kaq shumë. E dyta kur është e fuqishme nuk lë vend për të parën. Një rreth vicioz i shkaktuar shumë nga mungesa e Nyrembergut shqiptar, nga mungesa e drejtësisë.

Në Kosovë për dallim nga Shqipëria, ka një kontekst tjetër. Burimi i dhunës në Kosovë është “lufta” e cila nuk u ndal kurrë për spektaklin. Mund të pyesni me plot habi se si nuk qenka ndalur, por duhet të pranojmë se shoqëria kosovare po jeton çdo ditë me luftën e para 2 dekadave dhe rrethanat nga dekadat e tjera më parë. “Sistemi” i pa shpallur i tablosë së meritave nga kombinatorika politikë-luftë, tani e dy dekada dikton jetën institucionale, sociale dhe sidomos atë të favoreve ekonomike në vend. Natyrisht as të mos krijohet iluzion se profiterët vijnë vetëm nga tabori i elitës politiko-biznesore të lidhur me luftën. Profiterë ka gjithandej. Ka edhe të tillë pa pikë “merite”.

Kosova nuk është një krijesë e re që ka pikur nga qielli. Kosova meriton shumë më tepër. Siç thotë Amiku, Kosova madje ka bërë edhe Shqipërinë e sotme. Mjafton thënia e tij “Shqipëria filloi të lindte në Kosovë që në shekullin e XIX-të”.

Të gërditur nga realiteti i përditshëm që shohim, duhet të pranojmë megjithatë se sot në Kosovë ka një “elitë” e cila në relacionin e veçantë që ka me vetveten, janë të bindur se janë ata “pika zero” nga të cilët po fillon Kosova. Keq dhe e rënd për ta thënë, por këtu njerëz si Amiku edhe po të shfaqen, përbuzen me gjithë mirësjelljen dhe elegancën kulturore që kanë. Për botëkuptimet e sotme dhe shembujt që krijon “elita”, ata janë shumë të varfër dhe shumë pa muskuj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button