Hipokrizia prapa “bombës”

Është shumë ironike kur shefi i opozitës së tanishme, Hristijan Mickoski, shihet duke shpallur lajmin “bombë” për gjoja skandal të madh korrupsioni sipas të cilit firma e vëllait të kryeministrit Zaev bashkëpunuaka me REK Manastrin. Sigurisht, pas kësaj pasoi demanti nga firma në fjalë sipas të cilit firma që vozit për REK Manastirin nuk ka të bëje me ata. Këto gjëra më së miri shpalosen në një proces të mirëfilltë gjyqësor sipas dëshmive të paraqitura nga të dyja palët. Por ironia qëndron në atë që të gjitha gjërat që VMRO-DPMNE i ka bërë në të kaluarën mundohet ti identifikojë tani në veprimet e qeverisë së re.

Kështu, Mickoski akuzon për skandale të mëdha korrupsioni në kohën që mega-skandalet e kësaj natyre ende nuk po arrijnë të shpalosen në gjykatë sepse të gjitha rastet e udhëhequra nga Prokuroria Speciale shtyhen që shtyhen përditë sepse o të akuzuarit janë sëmurë, o avokatët e tyre ndjejnë një si tip marramendjeje. Të akuzosh për skandale korrupsioni që dalin nga informata të vakta dhe lehtësisht të kontestueshme e të mos bësh asgjë për zbardhjen e rasteve të mëdha është më tepër se ironi, është hipokrizi.

Poashtu, Mickoski akuzon që me anë të konflikteve ndëretnike fshiheshkan skandalet e mëdha të korrupsionit në vend. Bre, bre! VMRO-DPMNE arriti në atë gjendje të flasë për mbulim të problemeve të shtetit me anë të konflikteve etnike! Ata që në kulmin e skandalit me përgjimet e insinuan rastin e Kumanovës pas të cilit u detyruan të dorrëhiqen personazhet kryesore të bombave të atëhershme, Mijalkov dhe Jankulovska, tani flaisin për mbulim të problemeve me anë të temave etnike. Ata që në emër të konfliktit ndëretnik u munduan ta rrëzojnë rendin kushtetues të vendit me 27 Prill dhe këtë ta arsyetojnë si akt patriotik tani flasin për simulime të karatkerit etnik. Kjo po që nuk është vetëm ironi por hipokrizi e pastër.

Mickoski do të mund të flasë për akuza të vërteta për korrupsion vetëm kur të ketë fakte që mund të llogariten si relevante. Mbi të gjitha, Mickoski nëse është aq i shqetësuar për mbarëvajtjen e proceseve reformuese në vend duhet të bëjë çmos për të vendosur drejtësinë në vend, të bashkëpunojë me PSP dhe të dëshmojë vet për skandalet e ndryshme ku vet VMRO është involvuar, sepse ai këto punë i din mirë, si ish-sekretar general i partisë.

Po qe se vërtetë angazhohet për vendosjen e drejtësisë, Mickoski duhet ti përkrahë pa kushte reformat në gjyqësor të rekomanduara nga Pribe dhe jo të kërkojë të vendosë mënyra të reja për ndëshkimin disiplinor të gjyqtarëve dhe në këtë mënyrë, kontrollimin e veprimtarisë së tyre.

Ndërsa nëse Mickoski është shumë i shqetësuar për marrëdhëniet ndëretnike dhe për keqpërdorimin e tyre në procese tjera, duhet të përkrahë adoptimin e Ligjit të gjuhëve dhe sinqerisht të angazhohet për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike të cilat partia e tij i solli në buzë të konfliktit ndëretnik.

Mbi të gjitha, nëse Mickoski vërtet është i interesuar që drejtësia të mbisundojë duhet të përkrahë tërësisht procesin e ngritur lidhur me ngjarjet e 27 Prillit. Nuk mjaftojnë frazat boshe se dhuna është e papranueshme, por duhet angazhim i mirëfilltë që ata që tentuan me dhunë dhe terror ta rrezikojnë rendin kushtetues të dënohen në mënyrë adekuate.

Derisa nuk arrin t’i bëjë këto, frazat e Mickoskit dhe të tjerëve si ai se qenkemi dëshmitarë të skandaleve të korrupsionit të lartë, madje të tilla që mbulohen me anë të konflikteve ndëretnike, janë thjesht mënyrë banale dhe e pasuksesshme e ikjes nga realiteti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button