EMINJA

Mbrëmë duke u kthyer vetë prej hamamit,

shkova pranë bahçes erëmirë të imamit;

Kur atje, në bahçe, n’lulishtë me jasmina,

Me ibrik në dorë qëndronte Eminja.

Po ç’ishte mrekullia! O pasha imanin,

Pa mend do ta lente edhe vetë sulltanin!

Kur e pashë si ecte, vithet si i përdridhte…

– As hajmali e hoxhës zjarrminë s’do të ma hiqte!

Selam unë i dhashë, po për fenë time

S’deshi të dëgjojë e bukura Emine,

Me ibrik të argjendtë në lulishtë shëtiste

Me lëvizje të lehta lulet i ujiste;

Fryu erë e malit, gjoksin ia përshkoi

Gërshetat e bukura krejt ia ngatërroi,

Erë e mirë e flokëve si zymbyl i kaltër,

S’pati për mua Eminja, as një pikë hatër!

Për pak nuk u lëshova, pasha të madhin Zot,

S’ma vari Eminja, zjarri më shkoi kot.

Vëngër më shikoi, ma bëri me dije,

Se s’çan kokë për mua as sa një fije!

 
Nga Aleksa SHANTIQ

Përktheu Xhabir AHMETI

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button