Shtëpia e Bardhë: Irani ka program sekret të armëve bërthamore

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, deklaroi se Irani është duke vazhduar një program dinamik dhe sekret të armëve bërthamore dhe se këtë gjë është përpjekur ta fshehë nga bota, por nuk ka arritur, transmeton Anadolu Agency (AA).

Këto komente Sanders i bëri në një deklaratë me shkrim në lidhje me konferencën e djeshme për shtyp të kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili ka deklaruar se Izraeli ka informacione rreth programit bërthamor të Iranit.

Ajo tha se janë të vetëdijshëm në lidhje me procesin bërthamor të Iranit dhe se po ndjekin nga afër çështjen e informacioneve dhe dokumenteve të pretenduara nga Izraeli.

“Kjo situatë vërteton faktin që SHBA-ja e di prej shumë kohësh: Irani vazhdon një program dinamik dhe sekret të armëve bërthamore. Këtë është përpjekur ta fshehë nga bota dhe populli i tij, por nuk ka arritur”, deklaroi Sanders.

– “Irani nuk duhet të posedojë armë bërthamore”

“Regjimi iranian ka treguar se do të përdorë armë destruktive kundër fqinjëve të tij dhe vendeve të tjera. Kjo është arsyeja pse Irani kurrë nuk duhet të posedojë armë bërthamore”, ka komentuar Sanders.

Ndryshe, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një deklartë në Tel Aviv në lidhje me programin bërthamor të Iranit ishte shprehur se inteligjenca izraelite ka siguruar “një informacion të fshehtë prej 55 mijë faqesh të arkivuara në 183 CD rreth programit bërthamor të Iranit”.

Gjithashtu, edhe Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo në një deklaratë me shkrim në lidhje me deklaratat e Netanyahut për Iranin kishte theksuar se dokumentet në fjalë kanë treguar se “Irani ka vazhduar për vite me radhë programin e armëve bërthamore”.

“Irani ka vazhduar zhvillimin e armëve bërthamore dhe sistemit raketor. Irani deri më sot ka fshehur nga bota dhe nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike një arkivë të madhe atomike”, ka thënë Pompeo.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button