Mister me pemën që mbolli Makroni në Shtëpinë e Bardhë

Është zhdukur në mënyrë misterioze pema e lisit që presidenti francez Emmanuel Macron i dhuroi homologut amerikan Donald Trump, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara. Por Ambasadori francez në Shtetet e Bashkuara ka shpjeguar se fidani nuk është zhdukur në mënyrë misterioze, por është çuar në karantinë.

Pema e dhuruar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, për homologun e tij amerikan Donald Trump, është zhdukur në mënyrë misterioze.

Dy krerët e shteteve mbollën së bashku një fidan lisi, gjatë vizitës së Macron në Shtetet e Bashkuara javën e kaluar.

Por një fotografi e agjensisë së lajmeve Reuters të shtunën tregonte vetëm një njollë të verdhë mbi barin në lëndinën jugore të Shtëpisë së Bardhë, ku u mboll fidani.

Në mungesë të një arsyeje zyrtare për zhdukjen e fidanit, shumë filluan të spekulonin online se ky lloj lisi mbillet më mirë gjatë vjeshtës, duke i dhënë kohë të rrisë rrënjët më thellë në mënyrë që të përballojë thatësirën e verës së ardhshme.

Por më vonë, Ambasadori francez në Shtetet e Bashkuara Gerard Araud shpjegoi se pema ishte vendosur në karantinë, diçka e detyrueshme për çdo organizëm të gjallë që importohet në SHBA dhe se fidani do të rimbillej më vonë.

Ambasadori madje shpjegoi se pema nuk ishte mbjellë në të vërtetë gjatë vizitës së Macron, pasi rrënjët e saj ishin të mbuluara me plastikë.

Edhe faqja zyrtare e Doganës dhe Mbrojtjes Kufitare të Shteteve të Bashkuara shpjegon se bimët e huaja “të destinuara për rritje kërkojnë paraprakisht një certifikatë fitosanitare të huaj” përpara se të sillen në vend.

E cilësuar nga Presidenti francez si një kujtesë për lidhjen mes Francës dhe Shteteve të Bashkuara, pema e lisit europian vinte nga një fushëbetejë e Luftës së Parë Botërore në Francën veri-lindore, ku mijëra ushtarë amerikanë u vranë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button