Beneluks, BRIKS dhe përralla me mbret

Ne vijim të skemës së etabluar, rrallë NATO, pak BE, shpesh konferenca multilaterale, më shumë Kinë dhe Rusi dhe me bollëk vizita në Prishtinë dhe Tiranë, politika e jashtme e Maqedonisë tashmë qartazi e pasqyron fragmentimin, kaosin dhe qeverisjen e segmentuar mono-etnike që sundon brenda vendit. Ne këtë drejtim, dallohet qartë ndarja e ndikimit të pjesëmarrësve politikë qeveritarë edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku alternativa ndaj anëtarësimit në BE tashmë ofrohet në formën e Beneluksit rajonal ose afrimit me BRIKS (grup joformal, ku përfshihet Brazili, Rusia, India dhe Kina). 

Perfaqësuesit shqiptarë, qe nominalisht janë përgjegjes për raportet me Brukselin, tashmë kanë shkuar një hap tutje, duke e zgjeruar fokusin e punës përmes pranisë në nivele të ndryshme në Amerikë, por edhe Katar dhe gjetiu – vende këto që vështirë lidhen me orientimin pro-evropian. Praktika e krijuar e vizitave mono-etnike dhe që tani aplikohet gjerësisht, e ka vënë në harresë periudhën kur në delegacionet e udhëhequra nga ish-kryeministrat, pothuajse çdo herë kishte edhe përfaqësues shqiptarë të kabinetit qeveritar. Për të qenë absurdi më i madh, ndarja e sferave të ndikimit pasurohet me iluzionin e krijuara nga vizitat e shpesha, por edhe të panevojshme në Tiranë dhe Prishtinë, prej të cilave ka pak rezultate të prekshme. Nuk ka asnjë dyshim që integrimi ndër-shqiptar është më se i duhur dhe tejet i natyrshëm, por kjo nuk mund të arrihet vetëm me pjesëmarrjen e ministrave shqiptarë, meqë bashkëpunimi detyrimisht kalon mes institucioneve shtetërore dhe jo përmes organizimeve lokale-partiake.    

Si pasojë, në vend të perfaqësimit si partnerë të barabartë ndaj vendeve të treta, shfaqen ide si ato për një Beneluks rajonal, për tu refuzuar me automatizëm nga Ministria e punëve të jashtme – aty ku shqiptarët nuk kanë asnjë prej tre pozitave kyçe. Njëherazi, askush nuk ka pergjigje për ndonjë kundër-propozim, të natyrës se çka do të ndodhë nëse një nismë e këtillë vjen nga Serbia ose për ndonjë grup ku do të përfshihej edhe Beogradi? Për ironi, nocioni Benelux është përdorur për herë të parë në vitin 1946 nga revista The Economist – e njëjta e cila para tre viteve e futi në qarkullim edhe nocionin e Jugosferës. Andaj, parashtrohet pyetja logjike se nëse bazohemi në unionin e paragjykuar nga kjo revistë prestigjioze, çka do të ndodhë nëse parashikimi i tyre materializohet sërish, ashtu si me Benelux? Duke mbetur me preferencat dhe aleancat e vijëzuara rajonale, sa për fillim, përkushtimi dhe aftësia për Balkan Benelux mund të demonstrohet përmes realizimit të bashkëpunimit të shumëpremtuar policor me Shqipërinë dhe Kosovën.

Proporcionalisht me fuqinë në nivel qeveritar, pala maqedonase trajton alternativa më grandioze ndaj BE-së, por me gjasa po aq të ulta sa edhe ideja e lartëcekur. Nën frymëzimin e vizitave në Nizhny Novgorod të Rusisë, Kryetari i shtetit e zbuloi potencialin e Azerbejxhanit, si dhe të Kazakistanit, që u përshkrua si urë e bashkëpunimit kulturor mes lindjes dhe perëndimit. Në një klimë të këtillë, apologjetët qeveritarë e ri-promovojnë idenë e integrimit me lindjen, në formën e bashkëpunimit me BRIKS-in. Anash rëndësisë triviale politike, ushtarake dhe ekonomike të Maqedonisë ndaj këtyre vendeve, gjasat për bashkëpunim mbeten minimale kur në njërin prej këtyre shteteve nuk kemi as përfaqësi diplomatike, kurse tjerat mbulohen në nivel minimal dhe vetëm në kryeqytet. Duke mos e anashkaluar rolin ekonomik të shteteve në ngritje dhe mundësitë e shkëlqyeshme që ofrohen për zhvillimin e mundshëm industrial dhe tregtar, kjo nuk duhet të njëjtësohet me lidhje të forcuara politike, aq më pak si alternativë e fshehur ndaj anëtarësimit në BE.  

Në realitet, dështimi i Maqedonisë gjatë shtatë viteve të fundit nuk mund të fshihet dhe tregues më i mirë për këtë është Mali i Zi, që në idenë e propozuesit, do të përfshihej në përallën e quajtur Benelux. Shteti që tani i fillon negociatat për anëtarësim, as nuk ekzistonte si i tillë në vitin 2005, kur Maqedonia e fitoi statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Në retrospektivë, Mali i Zi e filloi marrëdhënien kontraktuale me Brukselin në vitin 2007, plot shtatë vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes për stabilizim dhe asociim të Maqedonisë, që atëherë ishte shteti i parë ballkanik me këtë status. Së këndejmi, Mali i Zi mund të jetë pasqyrë se si mund të shfrytëzohen vitet e humbura – vetëm me punë serioze dhe përkushtim maksimal. 

E në ndërkohë, kryesimi me Këshillin e Bashkimit Evropian i kalohet Qipros, që aktualisht udhëhiqet nga një parti komuniste. Gjykuar sipas historisë së marrëdhënieve problematike me Turqinë dhe sipas prioriteteve të kryesimit gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, nuk pritet ndonjë fokus i posaçëm ndaj zgjerimit të BE-së. Përjashtim këtu mund të jetë Serbia dhe Mali i Zi, që për arsye të pashpallura u zgjodhën si destinacione të vetme ballkanike gjatë vizitës së Ministrit së jashtëm qipriot. Duke e trajtuar me kujdes porosinë që i bartet rajonit nga ky trajtim i privilegjuar, rritet edhe më shumë nevoja për shtytje nga Shkupi zyrtar, ku defokusimet alternativave me ngjyra nuk janë të dobishme. Për më tepër, kapacitetet e cunguara institucionale të Maqedonisë vazhdimisht ceken si problematike dhe kjo e pamundëson veprimin në tre rrafshe të ndryshme, që në një masë të madhe janë edhe kundërthënëse. Mbi të gjitha, integrimi evropian ka mekanizma tashmë të etabluara dhe ndonëse disa prej tyre kanë mangësi serioze, është më mirë të arrihen rezultate konkrete në këtë drejtim, se sa të shpiken rrugë të reja. 

Për fund, nëse ndërlikimet dhe procesi i gjatë i anëtarësimit në BE mund të nxisin ndonjë mendim eventual për alternativë, mbetet një pyetje tjetër kyçe – çka ndodh me anëtarësimin në NATO? Dy muaj pas Samitit të Çikagos, Maqedonia gjendet në vendnumëro, njëjtë si edhe në vitin 2008. Në qoftë se vazhdohet me veprimet e njëjta si edhe deri sot, ka pak gjasa që rezultati të jetë i ndryshëm nga kjo që e shohim tani. Me këtë ecuri, nuk do të jetë habitëse që Mali i Zi ose madje ndonjë vend tjetër të anëtarësohet para nesh në Aleancën Veriatlantike, ku mbështetja nga shtetet aleate është dëshmuar në vazhdimësi. Të paktën, mbetet të shpresojmë që nuk do të propozohet ndonjë alternativë edhe ndaj NATO-së, prej atyre vendeve që tashmë kanë mbetur jashtë ose në pritje të anëtarësimit.  

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button