Mocion për votën e shqiptarëve në Britani

Trembëdhjetë deputetë britanikë kanë nënshkruar një mocion të paraqitur në parlament ku mbështetet e drejta e shqiptarëve me banim në Britani për të votuar në zgjedhjet në Shqipëri.

Parlamenti vëren se 100 vjet pasi Shqipëria shpalli pavarësinë nga Perandoria Osmane i njeh dëshirat e shqiptarëve me banim në Britani për të ndihmuar në ndërtimin e një shteti më demokratik shqiptar si dhe pranon se aftësia për të votuar luan një rol jetik në këtë ndihmesë.

Mocioni është botuar edhe në faqen zyrtare të parlamentit britanik dhe për të ka lobuar Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës KuqeZi në Britani, Dritan Dema.

Në radhët e deputetëve, ku nismëtarja është kryetarja e grupit parlamentar të Liberal-demokratëve, partnerë të koalicionit me kryeministrin Cameron, Lorely Burt, ka deputetë nga pesë parti të përfaqësuara në parlament. Mes tyre ka konservatorë, 3 liberal-demokratë, pesë laburistë, ku spikat edhe ministri hije i drejtësisë. Andy Slaughter, një mik i vjetër i shqiptarëve në Britani.

Deputetët shprehin keqardhjen që shqiptarët me vendbanim në Britani, nuk janë aktualisht në gjendje të votojnë në zgjedhjet shqiptare, ndryshe nga shqiptarët në vende të tilla si Kosova dhe Maqedonia.

Ata i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare për të mbështetur kauzën e shqiptaro-britanikëve në sigurimin e së drejtës së votës në zgjedhjet shqiptare, në mënyrë që të sigurohet barazia demokratike e të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga vendndodhja gjeografike.

Çështja ka mbërritur edhe tek ministri britanik për Evropën, Lidington, përmes një letre të cilën e ka siguruar Top Channel. Pak kohë më parë Aleanca Kuqezi në Britani organizoi edhe një protestë përpara Ambasadës shqiptare në Londër për çështjen e votës së emigrantëve, e cila nuk mbështetet nga dy partitë më të mëdha në parlamentin shqiptar, transmeton TCH.

Lajme të ngjashme

Back to top button