Merkel pas takimit me Ramën: Shqipëria ka progres, vendosim në ditët e ardhshme për negociatat

Kryeministri Edi Rama është takuar pasditen e sotme me kancelaren gjermane Angela Merkel, në vizitën e tij zyrtare në Berlin.

Rama dhe Merkel dolën në një konferencë të përbashkët për mediat. Merkel është shprehur se Shqipëria ka bërë progres, ndërsa thotë se do të vendoset në ditët në vijim sa i përket negociatave, transmeton Top Channel. 

“Ekzistojnë disa kushte për fillimin e negociatave të pranimit. Shqipëria ka punuar tashmë shumë për disa gjëra. Në ditët në vijim do të krijojmë opinionin tonë përfundimtar, ndërsa do të diskutojmë edhe me kolegët tanë europianë”, u shpreh Merkel.

Teksa e vlerësoi si tepër të rëndësishëm takimi me kryeministrin Rama, pasi siç tha Merkel i shërben për të mësuar se si e sheh ai zbatimin e kushteve dhe se si mund të vazhdojë ta mbështesim Shqipërinë në reforma, ajo theksoi se Shqipëria ka bërë progres me reformën në drejtësi dhe se tashmë nevojitet një kontroll më i gjerë në polici.

“Më lejoni të them në mënyrë eksplicite se Shqipëria ka nisur projekte të rëndësishme reformash dhe se është bërë përparim. Një prej tyre është vlerësimi i disa qindra gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo gjithashtu forcon sistemin ligjor në tërësinë dhe besueshmërinë e tij. Ne e dimë se tani kontrolli duhet të zgjerohet edhe në polici. Unë vetëm mund ta inkurajoj Kryeministrin të vazhdojë në këtë rrugë”, tha Merkel.

Fillimisht kreu i qeverisë u takua me Wolfgang Schäuble, presidentin e Parlamentit gjerman që javët në vijim jep qëndrimin për rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE-në.

Ndërkohë, Rama falenderoj Merkelin për mbështetjen e dhënë për rajonin, por në veçanti për Shqipërinë.

Ai u shpreh se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave pas reformave të ndërmarra. Rama thotë më tej se feja e shqiptarëve është Europa.

“Falenderoj Merkel për mbështetjen e saj ndaj Ballkanit Perëndimor në rrugën e integrimit evropian dhe në këtë kontekst, Shqipërinë. Falë vizionit të tyre dhe fuqisë së integrimit, procesi i Berlinit e ka transformuar rajonin. Ne kemi bërë përparime të pabesueshme. Kur takuam në vitin 2014, folëm gjithashtu për të bërë një reformë themelore ligjore. Sot jam krenar të them këtu se Shqipëria ka kryer një reformë të thellë në fushën ligjore dhe gjyqësore, e cila është vlerësuar si e tillë nga Komisioni Evropian dhe si një model për të gjithë vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Pas rekomandimit të KE, unë shpresoj të kem mbështetjen e Gjermanisë dhe kancelares në qershor. Është shumë e qartë për ne se ky nuk është fundi. Ky është fundi i një faze dhe hapja e një faze tjetër. Ka shumë reforma, shumë sfida dhe shumë sakrifica që na presin, kështu që ne meritojmë të bëhemi anëtar i Bashkimit Evropian. Unë kam ardhur këtu për të përcjellë kancelarit besimin tim se Shqipëria nuk duhet të humbasë kohë në pritje të hapjes së negociatave për anëtarësim për shkak se Shqipëria e meriton atë.

Shumica për Shqipërinë thotë se jemi myslimanë. Por ne jemi një vend, ku të krishterët dhe myslimanët bashkëjetojnë me njëri tjetrin. Nga veriu në jug i Shqipërisë, ata kanë të njëjtën fe. Kjo fe është Europa”, është shprehur Rama.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button