Maqedoni, duhen politikanë të rinj, jo parti të reja

Pas informacioneve që së shpejti në Maqedoni pritet të formohet një parti e re politike shqiptare, ku përmenden emra si Hajredin Kaza, Musli Ferati, Baki Sulejmani, Adil Mustafi, Nexhat Bexheti dhe Gafur Adili, shtrohet pyetja se sa është e nevojshme hapja e një subjekti të ri politik shqiptar në vend? Njohësit e çështjeve politike thonë për Portalb.mk se shqiptarët në Maqedoni ka nevojë për parti me koncept qytetar dhe politikanë të rinj, shkruan Portalb.mk.

Analisti politik Mersel Bilalli vlerëson për Portalb.mk se skena politike shqiptare ka nevojë për parti e cila punon për konceptin qytetar dhe në vete përmban vlera perëndimore dhe demokratike.

“Mendoj se është e drejtë ligjore dhe kushtetuese që secili që mendon të formojë parti ta bëjë atë, por me siguri bëhet fjalë për struktura që nuk përfaqësojnë figura relevante dhe në pyetje janë interesa të caktuara individuale që nuk kanë kapacitet të zgjojnë ambientin politik. Por mund të bisedojmë për nevojën e subjektit të ri politik i cili është i orientuar nga vlerat demokratike dhe perëndimore. Për këtë lloj partie ne kemi nevojë ngase një të tillë nuk e kemi këtu. Po kjo bëhet në një mënyrë tjetër dhe më seriozë dhe jo tendencioze të cilat parti hapen ngandonjëherë në Maqedoni. Evropa kerkon parti qytetare e cila do ti valorizon vlerat qytetare në të gjitha sferat. Për kete kemi nevoje tani. Te ne ende votohet në bazë të liderit, se a ëshët shqiptarë apo maqedonas”, tha Bilalli.

Sefer Selimi nga Democracy Lab thotë për Portalb.mk se skena politike shqiptare ka njohur më shumë iniciativa të reja politike, të cilat në të shumtën e rasteve kanë dështuar pa sjellë ndonjë ndikim serioz në përmirësimin e kualitetit të ofertës politike për shqiptarët e Maqedonisë.

“Që nga pavarësia e Maqedonisë dhe fillimi i funksionimit të sistemit pluralist, skena politike shqiptare ka njohur më shumë iniciativa të reja politike, të cilat në të shumtën e rasteve kanë dështuar pa sjellë ndonjë ndikim serioz në përmirësimin e kualitetit të ofertës politike për shqiptarët e Maqedonisë. Për këtë kanë kontribuar më shumë faktorët, e mes tjerash: monopoli i trupit votues përmes klientelizmit politik nga partitë ekzistuese; sistemi elektoral i cili nuk favorizon partitë më të vogla që garojnë jashtë koalicioneve të mëdha; mungesa e kapaciteteve serioze njerëzore dhe financiare për të konkurruar në zgjedhje; etj. Megjithatë, sipas meje faktorët kryesor për dështimin e partive dhe iniciativave të reja politike shqiptare në Maqedoni janë: 1.Vobektësia intelektuale; 2. Oferta politike dhe 3. Sinqeriteti i tyre”, tha për Protalb, Selimi.

Ai shtoi se pothuajse të gjitha iniciativat e reja janë bërë me aktorë të vjetër

“E para, vobektësia intelektuale – Pothuajse të gjitha iniciativat e reja janë bërë me aktorë të vjetër. Dështimi për të siguruar prurje të reja intelektualësh dhe profesionistësh lë të kuptohet se  bëhet fjalë për individë të cilët i bën bashkë apetiti për më shumë pushtet dhe jo vullneti për t’ju shërbyer qytetarëve. E dyta, oferta politike – Kryesisht ofertat politike i bazojnë në dy elementë: 1) Në më shumë folklor patriotik/nacionalist; ose 2) Në figurat politike historike, – psh. RDK e Rufi Osmanit e cila de-fakto u shua pas largimit të tij. Dështimi për të sjellë vizion të ri, bashkëkohor dhe të përshtatshëm me realitetin socio-politik të Maqedonisë dhe aspiratat e qytetarëve të saj i bënë ato atraktive vetëm për një numër të vogël dhe të kufizuar votuesish. Dhe e treta, sinqeriteti i tyre – Dështimi në dy pikat e para vënë në pikëpyetje sinqeritetin e tyre tek votuesit. Përderisa partitë e reja politike do të themelohen nga ‘’lojtarë’’ të vjetër me apetite të reja dhe do të bashkohen rreth dëshirës për pushtet dhe jo rreth idesë – janë të destinuara të dështojnë si gjithë të tjerat para tyre. më shumë se sa për parti të reja politike, në Maqedoni kemi nevojë për politikanë të rinj shqiptarë të cilët janë të përgatitur profesionalisht dhe kanë potencial të zhvillojnë një politikë të re, të bazuar në filozofi moderne politike, strategji bashkëkohore për të nxitur zhvillim socio-ekonomik dhe vizion të qartë për ta zhvendosur Maqedoninë dhe shqiptarët nga vorbulla në të cilën gjenden tash e 25 vite.”, shtoi Selimi.

Ndryshe, në Maqedonia spektri politik është mjaft i gjerë, gjegjësisht momentalisht ekzistojnë: BDI, PDSH, Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja BESA (e cila funksionon me dy kryetarë paralel), RDK dhe PPD. Partitë që së fundmi janë krijuar në Maqedonia janë Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët e cila u nda nga PDSH-ja.

Formimi i partive të reja është përpjekje permanente opozitare për të rrëzuar nga pushteti BDI-në, e cila me vetëm një pauzë dyvjeçare ka qëndruar në pushtet prej pas konfliktit të vitit 2001.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button