Dera e Qeverisë e hapur, partitë të blinduara

Partitë politike të cilat janë të përfshira në bisedimet për rikonstruimin e Qeverisë dhe zgjerimin e shumicës parlamentare ose nuk japin informata për procesin e bisedimeve ose nuk e hapin telefonin, shkruan Portalb.mk.

“Ende jemi në bisedime”, me katër fjalë iu përgjigj zëdhënësi i LSDM-së, Aleksandar Kiracovski, pyetjeve të Portalb.mk, në lidhje me atë se a ka ndonjë ofertë konkrete për çfarë po bisedohet dhe cilat resorë do të ndahen për partnerët e ardhshëm eventual.

Për dallim nga Kiracovski, Bujar Osmani nga BDI, nuk a hapi telefonin, por as nuk iu përgjigj porosisë së dërguar në numrin e tij.

Liderët e dy fraksioneve të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi, nuk e hapën telefonin, por zëdhënësit e tyre na u përgjigjen me përgjigje të njëjta.

Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë

“Komunikimi është i vazhdueshëm. Në momentin që do të konkretizohen të gjitha çështjet do e njoftojmë opinionin publik”, tha për Portalb.mk, zëdhënësi i krahut të Kasamit, Abdush Demirit.

“Gjithçka që mundemi me thënë tani është që bisedimet vazhdojnë, por nuk ka ende diçka konkrete. Për çështjen e përfshirjes së Kasamit në Qeveri, ne ngelemi në qëndrimin që nuk është mirë që kryeministri problemet e jashtme t’i bartë brenda në Qeveri. Duam që Qeveria të jetë më kohezive, të ketë ambient më të mirë pune, megjithatë është vendim i tij. Nëse eventualisht vendos që edhe Kasami të përfshihet, atëherë organet e partisë do të vendosin nëse do të jemi ose jo në Qeveri”, tha zëdhënësi i krahut të Gashit, Orhan Murtezani.

Portalb.mk, ka tentuar disa herë të kontaktojë edhe me shefin e kabinetit të kryetarit të PDSH-së, Luan Tresi, megjithatë i njëjti nuk iu përgjigj porosisë me pyetje për çështjen në fjalë, por as thirrjeve tona telefonike.

Në opinion qarkullojnë spekulime të ndryshme për përfshirjen eventuale të PDSH-së dhe dy fraksioneve të Lëvizjes BESA në Qeveri, megjithatë të njëjtat janë të paverifikueshme duke e pasur parasysh, klimën tradicionale të nivelit të ulët të transparencës nga ana e partive politike kur bëhet fjalë për “bisedime” apo pazare politike.

Kryeministri Zoran Zaev, sot tha se bisedimet për rikonstruimin e Qeverisë do të mbarojnë këtë fundjavë, ndërkaq pas 1 Majit do të informohet opinioni për ndryshimet në përbërjen qeveritare. I pyetur në lidhje me atë se cilat parti do të jenë pjesë e përbërjes së re qeveritare, Zaev tha se ende nuk dihet për atë, pasi që në fund duhet që të vendosin organet dhe trupat e partive.

Saga me rikonstruimin e Qeverisë ka filluar që nga nëntori i vitit të kaluar. Për plotë pesë muaj, kryeministri Zaev ka realizuar takime me përfaqësuesit e partive politike për zgjerimin eventual të shumicës parlamentare.

Në zgjedhjet lokale të 15 tetorit të vitit të kaluar, kryeministri Zaev përkrahu publikisht në fushatë partnerin e koalicionit BDI-në, ndërkaq Aleanca për Shqiptarët, edhe pse ka qenë në koalicion qeveritar, lidhi “aleancë” opozitare me Lëvizjen BESA.

Me këtë rast, ministri i atëhershëm i Shëndetësië Arben Taravari kandidoi për kryetar komune dhe i fitoi zgjedhjet kundër kandidatit të BDI-së, Nevzat Bejta.

Sherri qeveritar u bë pasi që Zaev, nuk e pranoi propozimin e Aleancës për Shqiptarët që të emërojë ministër të Shëndetësisë. Zaev në vend të Taravarit, vendosi që ta emërojë Venko Filipçen nga LSDM-ja. Pas këtij vendimi, Aleanca për Shqiptarët doli nga Qeveria dhe i deponoi të gjitha dorëheqjet, megjithatë të njëjtat ende nuk janë aprovuar.

Dorëheqjet nuk u janë procesuar ministrit të Drejtësisë, Bilen Saliji nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe tre zëvendësministrave të Aleancës për Shqiptarët, të Punëve të Jashtme, Arta Toçi, të Transportit dhe Lidhjeve, Remzi Mehmedi dhe të Punës dhe Politikës Sociale, Elmi Aziri të cilët ka më shumë se tre muaj që janë larguar nga postet ministrore dhe ende kanë të drejtë nënshkrimi e marrje të rrogës.

Rikonstruimi i Qeverisë mbaron në fundjavë, pas 1 Majit Zaev do t’i tregojë ndryshimet

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button