Kim thotë se do t’i ndërpresë testet bërthamore dhe lëshimin e raketave

Lideri veri-korean, Kim Jong Un, thotë se do t’i ndërpresë testet e armëve bërthamore, të raketave balistike, si dhe do ta mbyllë një vend ku testohen armët bërthamore, ka njoftuar agjencia e lajmeve jugkoreane, Yonhap, njofton REL. “Nga 21 prilli, Koreja e Veriut do t’i ndërpresë testet bërthamore dhe lansimet e raketave balisitike interkontinentale”, citon agjencia Yonhap raportimet e medias shtetërore të Koresë së Veriut.

“Veriu do të mbyllë një vend për testimet bërthamore që gjendet në veri të shtetit për të dëshmuar zotimin për suspendimin e testeve bërthamore”, citohet të ketë raportuar agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.

Këto njoftime nga Koreja e Veriut u bënë të ditura më pak se një javë para se Kim të takohet me liderin e Koresë së Jugut Moon Jae-in, në një samit në Zonën e Demilitarizuar në mes të dy shteteve. Kim, po ashtu, pritet, që në një të ardhme të afërt të takohet edhe me presidentin amerikan, Donald Trump.

Agjencia KCNA, gjithashtu, tha se Koreja e Veriut do t’u bashkohet përpjekjeve ndërkombëtare për të ndërprerë plotësisht testet bërthamore.

“Pasi pajisja me armë bërthamore është verifikuar, nuk është e nevojshme që ne të kryejmë më shumë teste bërthamore apo të lansojmë raketa balisitike me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi”, citohet të ketë thënë Kim gjatë një takimi me partinë në pushtet, sipas agjencisë KCNA.

“Testet bërthamore të Veriut kanë kryer misionin e tyre”, citohet të ketë thënë tutje lideri verikorean.

Presidenti amerikan, Donald Trump, reagoi në Twitter pas këtyre zhvillimeve. Ai tha se njoftimi i Phenianit është “një progres i madh”, duke shtuar se “është lajm shumë i mirë për Korenë e Veriut dhe për botën”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button