Dështimi i drejtësisë në Maqedoni

Në Maqedoni zbatimi i parimit “të barabartë para ligjit”, përcaktohet e varet nga edukata dhe formimi i shtresës së punonjësve e drejtuesve të aparatit të drejtësisë. Sa më i varfër të jetë populli në Maqedoni, aq më i korruptuar është sistemi i drejtësisë.

Populli në Maqedoni, i bindur se një ditë do të shpërthejë. Ndonëse shumica e njerëzve tek ne, janë aq të trembur, sa pranojnë më mirë të rrinë larg e t’i hapin rrugë mashtrimit në emër të drejtësisë, në vend që të tregohen të vendosur e të fortë dhe t’ia ndalin rrugën kësaj të keqeje njëherë e përgjithmonë. Duket haptazi se shumica e shqiptarëve në Maqedoni nuk kanë besim te drejtësia dhe institucionet e saj në zbatimin e parimit -barazia para ligjit-.

Barazia para ligjit varet nga mjedisi moral. Të tërë e shohin se Maqedonia është e zhytur në urrejtje. Urrejtja, më shumë se në çdo kohë tjetër, është më e dukshme në periudhat zgjedhore, ç’do palë zgjedhjesh në Maqedoni ndihmon për përçarjen më tej. Pas zgjedhjeve, të ndarët nga urrejtja sjellin në organet e larta të përfaqësimit pozitës dhe opozitës parlamentare, nga ku mundohen t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit. Nga këtu marrin rrugë përbërjet e institucioneve të larta të drejtësisë në vend, që duhet të vendosin, duke përfaqësuar popullin.

A është Gjykata e Lartë në Maqedoni një institucion i depolitizuar? Po Gjykata Kushtetuese, a mund të jetë e tillë? Ligji thotë: PO.., ashtu duhet të jetë! Por, në realitet nuk mund të arrihet, për sa kohë politika ndikon.

E drejta kushtetuese vë në dukje se, efektiviteti i sistemit demokratik dhe garancia e lirisë lidhen me ndarjen strikte dhe të baraspeshuar të pushteteve brenda shtetit. Atë, thotë e drejta kushtetuese, duhet të jenë të organizuara në atë mënyrë që njëri pushtet të mund të frenojë fuqinë e tjetrit. Po, si mund të arrihet kjo në Maqedoni, në rrethanat kur organet më të larta të drejtësisë janë produkt politik?

Drejtësia në Maqedoni arrin deri në atë pikë të verbër e të shurdhër, sa që gjykatësit poshtërojnë veten, duke kënaqur elitën e tyre drejtuese, ata që i kanë sjellë në ato poste, që u japin rrogat, që u mundësojnë arsimimin e fëmijëve, që ua emërojnë familjarët e tyre në diplomaci apo poste fitimprurëse, dhe “ata” të qetë e të matur, pa asnjë shenjë hutimi apo lëvizje, të shpallin vendimin: “I pafajshëm, nuk ka prova”.

Sa më i varfër të jetë populli në Maqedoni, aq më i korruptuar është sistemi i drejtësisë. Nuk ka ndodhur të shohim, të dalë në konferencë shtypi ndonjë përfaqësues i organeve të drejtësisë, i cili është ankuar në emër të kolegëve dhe institucionit që përfaqëson se, ndaj tyre po bëhet presion dhe orvatje për t’i denigruar. Asnjë vend që ka respekt për veten nuk lejon që drejtësia të përfundojë në këtë rrënim. Para ligjit duhen të jenë të gjithë të barabartë: pasaniku dhe i varfëri, pushtetari dhe qytetari.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button