Berisha: Zgjedhja e presidentit, përmes negociatash

Kryeministri Berisha ka deklaruar sot se procesi i zgjedhjes së Presidentit të vendit respektoi si germën, ashtu edhe frymën e Kushtetutës.  Gjatë një takimi me Drejtorin për Zgjerimin e BE dhe Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme, në Mbretërinë e Bashkuar Ouen Jenkins, Kryeministri theksoi se mazhoranca bëri të gjitha përpjekjet për konsensus dhe se zgjedhja e presidentit erdhi përmes një procesi negociatash dhe konsultimesh mes faktorëve politikë. 

 Në lidhje me marrëveshjen e nëntorit 2011 kryeministri çmoi se në tërësi palët e kanë respektuar atë marrëveshje dhe me kontribut të përbashkët është arritur plotësimi i pjesës më të madhe të angazhimeve të asaj marrëveshje.

Kryeministri vlerësoi se palët kanë bërë punë shumë të përgjegjshme në reformën zgjedhore dhe atë parlamentare dhe se çështjet e mbetura janë plotësisht të zgjidhshme. Kryeministri e siguroi zotin Jenkins për vullnetin e plotë pozitiv të mazhorancës për të kontribuar në zgjidhjen sa më shpejtë të çështjeve të mbetura.

Nga ana e tij, Jenkins ndërsa vlerësoi arritjet e bëra që nga marrëveshja e nëntorit 2011 për reformën zgjedhore, atë parlamentare dhe ligjet me shumicë të cilësuar, shprehu besim se me vullnetin e të gjitha palëve ekzistojnë të gjitha mundësitë që këto reforma të përmbyllen në kohë. Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për të asistuar në reformat e nevojshme për përmbushjen e prioriteteve në kuadër të integrimit evropian.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajon. Drejtori për zgjerimin e BE dhe Ballkanin Perëndimor në Mbretërinë e Bashkuar, zoti Ouen Jenkins vlerësoi rolin e vazhdueshëm pozitiv të Shqipërisë si faktor kyç për stabilitetin dhe paqen në rajon. Nga ana e tij, kryeministri theksoi rolin e rëndësishëm që ka procesi i integrimit evropian dhe perspektiva e qartë në këtë drejtim për të gjitha vendet e rajonit në kuadër të paqes stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button