Roamingu më i lirë dhe lidhja digjitale, në fokus të Samitit Digjital në Shkup

13: 00 – Është e rëndësisë së veçantë që vendet e Ballkanit Perëndimor të mund të përkrahen dhe zhvillohen bashkë pasi që vetëm ashtu mund të arrijnë zhvillim për hyrje në Bashkimin Evropian. Samiti i sotëm është hap i madh për transformimin digjital të vendeve, tha komisarja evropiane për Ekonomi Digjitale, Marija Gaber, njofton Portalb.mk.

”Perspektiva e të rinjve, biznesi dhe ekonomia varen nga vendimet që do t’i bëjnë shtetet në lidhje me digjitalizimin. Të rinjtë kanë nevojë që të nxiten, përkrahen dhe inkurajohen, digjitalizimi atë mund ta realizojë”, tha Gaber.

Komisarja evropiane informoi se Bashkimi Evropian do t’u ndihmojë vendeve të Ballkanit Perëndimor në avancimin e aftësive digjitale te qytetarët. Përskaj kësaj, Gaber theksoi se do të fitojnë shërbime më të shpejta dhe më kualitative.

“Digjitalizimi do të mundësojë kushte më të mira për qytetarët në administratën publike, me siguri do të ketë shërbime më kualitative, ndërkaq do të mënjanohet rrëmuja në sportele dhe nervoza te qytetarët”, tha Gaber.

  • Agjendën e plotë të Samitit mund ta gjeni: KËTU

12:30 – “Një ndër 5 prioritetet që i ka Qeveria e Shqipërisë është shërbimi publik dhe prej tyre mbi 500 janë në mënyrë digjitale”, kështu deklaroi Senida Mesi, zëvendëskryeministre e Shqipërisë, në panelin e kryeministrave në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor në Shkup, njofton Portalb.mk.

“Në Shqipëri mund të bëhen më shumë se 500 transaksione me institucionet online. Në anën tjetër një e treta e këtyre transaksioneve. Agjenda digjitale e shtetit tonë është në lidhje me informimin. 100% e procedurës së importeve bëhet online, do të sjellim edhe nënshkrimet digjitale, do të mundësojmë që edhe procedura e eksportit të bëhet në mënyrë digjitale, të gjitha llogaritë përfundimtare janë të futura në mënyrë elektronike, pos kësaj, të gjitha recetat nga mjeku po merren në mënyrë digjitale, koha e pritjes është shumë më e shkurtër”, deklaroi Mesi.

Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor në Shkup

Videoja e mëposhtme është pas mbarimit të panelit.

\

12:15 – “Kryeministri Zaev tha se ne po ngecim në krahasim me BE-në, kjo është e qartë, në duhet që të punojmë 5-6 apo 10 herë më shpejtë që të kapim atë çfarë po ndodh në BE”, deklaroi kryeministri i Bosnje dhe Hercegovinës Denis Zvizdiç në panel diskutimin e kryeministrave në Samitin Digjital të Ballkanit Perendimor, njofton Portalb.mk.

“Bota në 10 vitet e fundit ka ndryshuar në mënyrë shumë të shpejtë, historia e civilizimit njerëzor ka pasur tre periudha kyçe, e para ka qenë revolucioni bujqësor, i cili ka zgjatur më shumë se 1.000 vjet, periudha e revolucionit industrial e cila ka filluar në vitin 1850 dhe në fund periudha e digjitalizimit. Në Ballkanin Perendimor kemi trend të mirë të shfrytëzimit të internetit.  Është me rëndësi digjitalizimi i shoqërisë, ne kemi momentalisht digjitalizimi në sferën e arsimit, jo vetëm në universitete, por edhe në shkollat fillore dhe të mesme. Jemi të përkushtuar për agjendën digjitale, në mënyrë aktive punojmë në këtë drejtim. Për këtë sferë, ne duhet të jemi të gatshëm që të veprojmë në mënyrë integrale si dhe individuale”, tha Zvizdiç.

12:00 – Miratimi për ndërtim, nxjerrja e fletës pronësore, nxjerrja e certifikatave nga librat amë, kontrollimi i hapësirave të lira bujqësore, rreth 30 nevoja të përditshme, qytetarët do të munden që t’i realizojnë nëpërmjet internetit, ka  paralajmëruar kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në panel e kryeministrave në Samitin Digjital, njofton Portalb.mk.

“Është shumë me rëndësi që internet teknologjia të bëhet përditshmëria jonë, qytetarët të mos presin përpara sporteleve që të fitojnë shërbime. Ne nuk duam të jemi shpikës, por tanimë “ujin e vakët që e ka zbuluar Perëndimi” ta sjellim këtu”, deklaroi Zaev.

Ai sqaroi se është formuar këshill IT i cili do t’i koordinojë të gjitha ministrat me qëllim që të gjithë institucionet shtetërore të lidhen mes vete.

“Ndër vite të gjitha ministritë ose ndërmarrjet publike kanë bërë agjendë të tyre digjitale, e cila mes vete nuk mund të lidhet, Këshilli Nacional ka për qëllim që sa më shpejtë atë ta zbatojë që të kenë përfitime qytetarët”, sqaroi kryeministri.

Sipas tij, shteti është i gatshëm që t’u ndihmojë operatorëve të telekomunikimeve nëse ata e ulin profitin e tyre gjatë uljes eventuale të roamingut në rajon dhe me vendet anëtare të BE-së.

“Nëse qytetarët dhe bizneset janë të lidhura mirë, ne ato para do t’i ndajmë nga buxheti. Ta kapim momentin, të mos vonohemi dhe ngelemi mbrapa nga vendet evropiane të cilat shkojnë përpara”, tha Zaev.

11:30 – “Ne jemi vendi më i ri në Ballkan, ekonomia jonë dhe menaxhimi është më i vogël, por kemi popullim më të re e cila krijon trysni në lidhje me digjitalizimin. Megjithatë, qasja deri te interneti ende është në proces të zhvillimit, kemi shumë fusha rurale dhe për shkak infrastrukturës të pazhvilluar kemi vështirë që të arrijmë deri tek ata vende. Kosova ende ka mjaft punë që të bashkëpunojë në lidhje me digjitalizimin”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në panel diskutimin në kornizë të samitit digjital në Shkup, njofton Portalb.mk.

“Për fat të keq kemi regjim të vizave dhe për atë qytetarë e Kosovës nuk mund të udhëtojnë të lirë, që i pengon të komunikojnë me qytetarët e vendeve evropiane”, tha Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës theksoi se si qeveri janë të fokusuar në teknologjitë informatike dhe zhvillim e të njëjtave pas së cilës shtoi se është e mirëseardhur ekspertiza e vendeve fqinje të cilët duan t’i ndihmojnë Kosovës me qëllim që t’i bashkohet ekipit të Ballkanit Perëndimor.

Haradinaj theksoi gjithashtu se Samiti Digjital është i rëndësishëm pasi që tërë rajoni i ka përshëndetur përpjekjet që i ka bërë Republika e Maqedonisë, në këndvështrimin e sfidave me të cilat është përballur shteti në periudhën e fundit.

10:45 –  “Për herë të parë transformimi digjital është i lartë në agjendën politike, që do të thotë se politikanët ndërrohen dhe përgatiten që të përballen me transformimin e shoqërisë”, kështu tha ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, njofton Portalb.mk.

Ai tha se nga ky Samit pret që të ketë ulje të ndjeshme të çmimit të roamingut.

“Pritjet e mia nga ky Samit janë të mëdha, pres shumë lajme të mira për qytetarët tanë, të ulen ndjeshëm çmimet e roamingut me vendet e BE-së. Pres që Ballkani Perëndimor të bëhet IT destinacioni i radhës i BE-së, pres që bashkë t’i pranojmë certifikatat digjitale, me një fjalë Ballkani Perëndimor të integrohet në mënyrë digjitale në BE, shumë më shpejtë përpara se ta bëjë atë politikisht”, deklaroi Mançevski.

——————————————————————————–

Ka filluar Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor në Shkup ku pritet që sot dhe nesër të diskutohet për siguri kibernetike, lidhje digjitale, ekonomi dhe shoqëri digjitale, raporton Portalb.mk.

Kryeministri Zaev duke u dëshiruar mirëseardhje mysafirëve nga rajoni, gjatë fjalimit të tij tha se investimi në teknologji të reja sjell lidhje, efektivitet dhe produktivitet, duke nënvizuar rëndësinë e inovacionit teknologjik në botë.

“Mirë se erdhët në këtë ngjarje, që të lidhemi më fuqishëm nëpërmjet teknologjisë digjitale dhe t’i shfrytëzojmë mundësitë teknologjike për ardhmërinë tonë që të kemi bashkëpunim më të fortë, por edhe më kreativ. Revolucioni digjital i ka mënjanuar barrierat gjeografike. Largësitë e pikave të ndryshme në botë me të njëjtin interes tanimë nuk anë kurrfarë rëndësie. Para nesh qëndrojnë mundësi të mëdha që duhet t’i shfrytëzojmë, revolucioni digjital tanimë ka filluar, teknologjitë e reja fuqishëm ndikojnë në jetën e qytetarëve, por edhe në ndërmarrjet e vogla dhe të mëdha. Në ekonomikë botërore, ata që i shfrytëzojnë plotësisht teknologjitë e reja, do të jenë të pozicionuar në mënyrë më të mirë në konkurrencën globale. Investimi në teknologji të reja do të sjellë lidhje, efektivitet dhe produktivitet. Shfrytëzimi i kombinuar i teknologjive digjitale me teknologjitë tjera të reja sjell deri te modelet inovative të biznesit, gjeneron vlera, vende pune dhe rritje ekonomike. Në botën digjitale nuk ka lojtar të mëdhenj dhe të vegjël., në fillim të gjithë janë të barabartë dhe më të rëndësishëm janë idetë inovative të njerëzve kreativ”, tha Zaev.

Eurokomesarja Maria Gabriel, gjatë e theksoi nevojën që të ulet çmimi i roamingut, jo vetëm në Ballkan, por në tërë Evropën.

“Roamingu është një nevojë e madhe për qytetarët dhe bizneset. U bëj thirrje të gjitha faktorëve të merremi vesh dhe t’i ulim çmimet e roamingun jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë. Së bashku mund ta bëjmë. Neve na shkoi një dekadë deri sa e bëmë në Evropë. Jam e bindur që kjo do të ndodhë nëse bashkëpunojmë të gjithë”, tha Gabriel.

Në këtë Samit, edhe pse kanë qenë të ftuar të gjithë kryeministrat e Ballkanit, në ditën e sotme janë të pranishëm vetëm kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ai i Boshnje dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiç. Vendet tjera të Ballkanit Perendimor, janë të përfaqësura nga nivelet e ndryshëm.

Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor në Shkup
Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor në Shkup

Fokusi i këtij Samiti do ta ketë rritja digjitale dhe bashkëpunimi mes vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian, me qëllim të hapjes së mundësisë për vende të reja të punës.

Në Samit marrin pjesë edhe eurokomesari Johanes Han, përfaqësues nga Komisioni Evropian, Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, përfaqësues nga industria e IT-së, sektori i biznesit, komuniteti akademik, organizata civile, të rinj etj.

Gjithsej janë të parapara që për këtë Samit të harxhohen mbi 400.000 euro, prej të cilave nga Buxheti i Maqedonisë janë ndarë 79.000 euro, nga ndihmës të ndryshëm të Samitit 166.000 euro, nga kompanitë të cilët marrin pjesë (sponsorë) 111.000 euro, nga Këshilli Rajonal për Bashkëpunim 50.000 euro dhe nga Fondacioni Ndërkombëtarë Gjerman për Bashkëpunim 5.000 euro.

Pjesë e aktiviteteve të Samitit do të jenë edhe aktivitet tjera të cilat do të jenë të hapura për të gjithë qytetarët e interesuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button