Shqipëri, kriza greke i shtyn shqiptarët e kthyer drejt tregtisë së drogës

Shqiptarët që jetonin duke punuar si emigrantë në Greqi po kthehen në shtëpi. Është e vështirë të sigurosh të dhëna, por flitet për numër shumë të madh emigrantësh shqiptarë të papunë, sidomos emigrantë ilegalë që udhëtonin drejt Greqisë çdo vit për të bërë punë sezonale.

“Është shumë keq atje,” thotë 40 vjeçari Abert Kupe, që sapo është kthyer nga një qëndrim dymujor në Greqi. “Shumë shqiptarë mezi e mbyllin muajin, por nuk kthehen dot në shtëpi sepse kanë fëmijët në shkollë dhe ndonjëherë kanë kredi për të paguar”.

Kupe është nga fshati Lavdar në Korçë dhe vitet e shkuara ka udhëtuar ilegalisht përmes kufirit disa herë. Por herën e fundit, puna nuk dukej askund në sfond.

Sokol Kreli, një 35 vjeçar që ka kaluar vite të tëra duke punuar në plantacionet e ullinjve në Greqi, pohon këtë gjë. “Kalova një muaj duke kaluar sa në një fshat në një tjetër, duke trokitur derë më derë, por nuk gjeta asnjë ditë punë,” thotë ai.

Edhe pse ekonomia shqiptare është goditur rëndë nga kriza greke, disa sektorë kanë sfiduar rënien.

Plantacionet e kanabisit, që rriten në një fshat pranë Gjirokastrës, po lulëzojnë dhe pronarët duken të vendosur për t’i rezistuar krizës dhe aksioneve të policisë.

Puna intensive dhe kanabisi në rritje ka bërë që dhjetëra emigrantë të kthyer t’i hyjnë biznesit të drogës, duke bërë që autoritetet vendore të reagojnë.

I vendosur rrëzë malit, afër Gjirokastrës, fshati i Lazaratit njihet edhe si kryeqyteti i drogës në Shqipëri. Ai mbetet i famshëm për kanabisin e tij dhe për paligjshmërinë.

E vendosur në një postbllok në të vetmen rrugë që të çon në fshat, policia nuk ka hyrë aty që nga viti 2007, kur njësitë speciale vranë një 27 vjeçar të kërkuar për pengmarrje.

Në përgjigje, banorët sulmuan dhe dogjën rajonin e policisë në Gjirokastër. Forcat speciale u kthyen nga Tirana për të rivendosur rendin në fshat, por policia nuk ka hyrë më aty që prej atëherë.

Tre vjet më parë, lazot, siç quhen shpesh banorët, qëlluan mbi një helikopter italian që fluturonte mbi fushat e kanabisit në fshat.

Ndërkohë që ekonomia e ligjshme në Gjirokastër është në rënie të shpejtë për shkak të krizës në Greqi, tregtia ilegale e lazove është në rritje.

Në gjashtë muajt e shkuar policia në Gjirokastër ka sekuestruar 2.4 ton kanabis të rritur në fshat, ndërkohë që kanë kapur të paktën pesë herë më shumë në pikat e kalimit kufitar.

Në atë ditë kur Alberti dhe Sokoli folën për Balkan Insight, nja pesë furgona të bardhë që vinin nga Lazarati morën punëtorë në tregun e punës në Gjirokastër.

Të dy, edhe Alberti, edhe Sokoli mohojnë të kenë punuar në fushat e kanabisit, por zyrtarët lokalë, që preferojnë të mbeten anonimë, thonë se shumica e emigrantëve që shkojnë në ato furgona, punojnë në fushat e kanabisit.

Policia, që nuk guxon të hyjë në fshat nga frika e përplasjeve të armatosura me fshatarët, zakonisht kalon një pjesë të mirë të verës duke ndaluar botet e ujit të hyjnë në fshat ose duke kapur ndonjë dërgesë me kanabis që e shohin duke dalë prej aty.

Në një ndryshim të taktikave të tyre, ata tani po kapin edhe punonjësit e plantacioneve.

Javën e fundit policia ndaloi rreth 150 punëtorë, që ishin nisur për në Lazarat, ndërkohë që sezoni po arrin kulmin.

Të dielën, kreu i policisë shqiptare, Hysni Burgaj, tha se me ndihmën e helikopterëve italianë, ata do monitorojnë fushat e Lazaratit nga ajri.

Nëse do jetë e nevojshme, policia do veprojë ndaj tyre, insistoi ai. Nëse policia ka synim që vërtet të shkojë më tej apo të arrestojë emigrantë të varfër dhe të ndalojë botet e ujit, vetëm koha do e tregojë. /gazetatema

Lajme të ngjashme

Back to top button