Shqipëria, gjenerator i Italisë

Në një raport të  fundit të “Bankwatch Network” lidhur me detyrimin që kanë  vendet e BE-së për të prodhuar apo importuar energji elektrike të rinovueshme, rezulton se Italia  deri në vitin 2016 duhet të importojë nga Shqipëria, gati 2/3 e energjisë së prodhuar në vitin 2009, një nga vitet më të mira në historikun e prodhimit të energjisë në Shqipëri. 

Në këtë raport saktësohet se në Shqipëri po kryehen shumë investime për prodhim të energjisë së rinovueshme, sic janë mullinjtë e erës apo  hidrocentralet, por  vetë Shqipëria nuk do të përfitojë nga këto investime që do të sjellin dëme në mjedis. 

“Mbi bazën e planeve të investimit që ka bërë shteti italian, figuron që në vitin 2016 Shqipëria duhet të interpretojë në Itali rreth 2/3 të vitit 2009 që quhet një vit i mirë në Shqipëri për shkak të reshjeve, ose po të krahasohet me vitin 2008, që ka qenë një vit i thatë, është gati 90 përqind e prodhimit”, thotë ambientalisti, Zamir Dedej. 

Në raport thuhet se Italia është e detyruar nga Bashkimi Europian që të importojë deri në 20 përqind energji të rinovueshme, ndaj ajo po përpiqet të importojë nga vendet e Ballkanit. Në Shqipëri janë me qindra projekte për investime në hidrocentrale, një  pjesë e  disave edhe mbi përrenj.
“Është gati e pabesueshme ose shumë e

rrezikshme që ne të ndërtojmë hidrocentrale në disa përrenj që ose ka pak ujë, ose nuk kanë ujë në periudha të caktuara të vitit. Kjo do të ketë një ndikim të rëndësishëm në mjedis dhe mendoj që prodhimi nuk do të justifikojë koston mjedisore që do të paguhet më vonë. Nga disa raste që ka jashtë Shqipërisë po rezulton që këto investime kanë qenë joefikase”, shton zoti Dedej. 

Ambientalistët tregojnë se këto projekte për energji të rinovueshme duhen riparë me kujdes, pasi një pjesë e tyre do të sjellin një dëm të madh në biodiversitet dhe Shqipëria do të vazhdojë të importojë energji me cmim të lartë për llogari të saj. 

“Nëse prodhimi i energjisë sipas komshiut tonë italian do të shkojë atje, ne do të vazhdojmë të importojmë energji jo të rinovueshme nga jashtë, pra ne nuk do të kthehemi në një superfuqi prodhimi energjie të rinovueshme, por do të vazhdojmë të plotësojmë nevojat tona me import dhe do të eksportojmë energjinë e rinovueshme e cila këtu ka disa arsye që duhet të jemi më të ndërgjegjësuar se pse ne duhet ta cojmë energjinë tonë në Itali. Për sa kohë Shqipëria nuk plotëson nevojat e saj në energji, s’ka pse shet energji dhe kjo është pjesë e asaj që ne duhet të shfrytëzojmë burimet natyrore për qëllimin e popullit tonë dhe jo për qëllime të tjera”, deklaron ambientalisti Dedej.

Në këtë raport të financuar nga Bashkimi Europian thuhet se grupi energjitik “Moncada” në Itali po financon projektin e mullinjve të Karaburunit, si dhe ndërtimin e një linje për transmetimin e energjisë nga Vlora në Brindizi të Italisë.

Marre nga Top channel

Lajme të ngjashme

Back to top button