AI:Maqedonia kreu fushatën për heshtjen e mediave

Liria e shprehjes së gazetarëve dhe mediave të pavarura u kufizua gjithnjë e më shumë nga ndërhyrjet e qeverisë, duke filluar nga kërcënimi i drejtpërdrejtë e deri në vendosjen e kontrollit me anë të reklamave. 

Kështu thuhet në Raportin më të fundit të organizatës “Amnesty International” publikuar më 24 maj, që u dedikohet ngjarjeve në Maqedoni për vitin 2011, ku përmblidhen vërejtjet për respektimin në përgjithësi të të drejtave të njeriut dhe në veçanti të lirisë së mediave, diskriminimit, torturave nga ana e policisë dhe vrasjeve.

Mbyllja e televizionit A1 dhe gazetave Vreme, Shpic dhe Koha e Re, janë shënuar si pjesë e fushatës “për heshtjen e medieve”, ndërsa theksohet gjithashtu se përkitazi me tetorin e vitit të kaluar, janë regjistruar 105 raste të padive, e shumta e tyre nga zyrtarë qeveritarë, kundër gazetarëve.

Respektimi i të drejtave të njeriut u përkeqësua gjatë vitit 2011. Pas bojkotit të opozitës, pjesërisht për shkak të pretendimeve të Qeverisë për përzierje në punën e medieve, u organizuan zgjedhje të parakohshme parlamentare ku fitues dolën VMRO dhe BDI.

“Ndërtimi i monumenteve nacionaliste i ngacmoi tensionet ndër-etinke” shkruhet në raport duke përmendur rastin me incidentin në Kalanë e Shkupit si dhe dështimin e regjistrimit të popullatës. 
Më tej, AI shkruan se implementimi i Marrëveshjes së Ohrit po vijon, ndonëse në arsim, fëmijët shqiptarë dhe romë vuajnë përkatësitë e tyre etnike. Decentralizimi i pushtetit qendror në atë lokal po zhvillohet me hapa të ngadaltë, ndërsa Ligji për Gjuhë nuk po zbatohet plotësisht dhe ashtu siç duhet.

“Implementimi i Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001 që i adresohet diskriminimit të shqiptarëve, po vazhdon. Decentralizimi i pushtetit nëpër komuna po përparon ngadalë, ndërsa Ligji për Gjuhë po zbatohet pjesërisht. Segregimi i fëmijëve shqiptarë dhe romë në arsim po vijon tutje”, thuhet në Raportin e AI-së për vitin 2011. 

Më tej, AI shkruan se në prill Zyra e Avokatit të Popullit filloi funksionimin si një Mekanizëm Kombëtar Parandalues sipas Protokollit Fakultativ ndaj Konventës së OKB-së kundër Torturës, por i mungonte autoriteti dhe burimet për të përmbushur mandatin e saj.

Vazhdoi mosndëshkimi për keqtrajtimet e bëra nga ana e policisë.

“Prokurorët dështuan në mënyrë efektive të hetojnë akuzat. Kanë vazhduar rastet e keqtrajtimeve nga njësia policore “Alfa”. Martin Neshkoski u rrah në mënyrë brutale në natën e 6 qershorit dhe vdiq nga plagët e marra” thuhet në Raportin e AI-së për vitin 2011. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button