fbpx

Letër e hapur Qeverisë: Çfarë kërkojnë shqiptarët për tu zgjidhur kontesti i emrit!

Shpetim Pollozhani, Arsim Sinani, Afrim Fanda, Selim Bezeraj, Xhevat Jashari, Qani Abdullai, Alisetar Ramadani dhe disa të tjerë kanë hartuar një memorandum me disa kërkesa që sipas tyre, kanë për qëllim përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni. Ata kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës, rregullimin shtetëror unitar, ndryshimin e emrit të shtetit dhe ndërprerjen e çdo lloj keqpërdorimi të mëtutjeshëm nga cilido popull apo shtet të emërtimit “Maqedoni” dhe maqedonasve antikë, statusin e barabartë të gjuhës shqipe, përfshirjen e shoqërisë civile, diasporës, ekspertëve në proceset aktuale politike të rëndësishme për të ardhmen e shqiptarëve dhe më gjerë.

Këto kërkesa thuhet se vijnë si rezultat i krizës politike, ekonomike, sociale, kulturore si dhe humbjes së besimit ndaj përfaqësueseve të zgjedhur në pushtet, të cilët të zhytur në korrupsion, kriminalitet, pjesëmarrjen në qeveri e shfrytëzojnë për mbulimin e korrupsionit dhe kriminalitetit të tyre.

Ja dhe teksti i plotë të memorandumit:

Nisur nga shkelja, nëpërkëmbja e vazhdueshme e të drejtave kolektive të shqiptarëve në IRJM në të gjitha fushat;

Nisur nga përjashtimi i shqiptarëve nga çdo vendimmarrje për çështje të rëndësishme për të ardhmen e IRJM siç janë aktualisht dhe bisedimet për emrin,

Ne, një grup i intelektualëve shqiptarë të poshtënënshkruar, e shohim si të domosdoshëm artikulimin e shqetësimeve tona nëpërmjet këtij:

M E M O R A N D U M I

Pika 1 E konsiderojmë si të domosdoshme ndryshimin e Kushtetutës, rregullimit shtetëror unitar të IRJM, pasi vjen në kundërshtim me realitetin multietnik të vendit dhe ndeshet me normat ndërkombëtare për shtetet multietnike, duke  e konsideruar kushtetutën ekzistuese si jo detyruese dhe jo obliguese për shqiptarët për vetë faktin se përcakton IRJM si “shtet kombëtar i sllavomaqedonasve“ ku jetojnë edhe bashkësitë e tjera etnike, në mesin e të cilëve janë dhe shqiptarët. E konsiderojmë si të pavlerë çdo lloj Referendumi të mundshëm të organizuar në kushtet e  rregullimit shtetëror unitar të IRJM. Ne, angazhohemi për një referendum ku shqiptarët do të jenë vendimmarrës. E konsiderojmë ndryshimin e kushtetutës dhe rregullimit shtetëror nga ai unitar në federativ apo konfederativ si të vetmen garanci për realizimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve si: përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, i simboleve kombëtare, ndarja e drejtë e buxhetit, arsimi i mirëfilltë, jetë kulturore të denjë,  shtrirja e administratës në shërbim të çdo qytetari shqiptar. E denoncojmë si të pavlerë, abuzues, të rrezikshëm çdo lloj integrimi të shqiptarëve në pushtet pa u bërë ndryshimet e sipërpërmendura.

Pika 2   E konsiderojmë të domosdoshëm ndryshimin e emrit të IRJM dhe ndërprerjen e çdo lloj keqpërdorimi të mëtutjeshëm nga cilido popull apo shtet të emërtimit “Maqedoni” dhe maqedonasve antikë. Shqiptarët do të kontestojnë çdo lloj zgjidhje për emrin e ri të IRJM pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë dhe transparente të faktorit shqiptar, zgjidhje që nuk do ta pasqyronte realitetin etnik dhe historik të këtij territori. Gjykojmë se injorimi i të drejtave të shqiptarëve për të marrë pjesë në zgjidhjen e çështjes së emrit është shkelje flagrante e të drejtave të shqiptarëve. Çdo propozimi për emrin nga ana e përfaqësuesve shqiptarë në pushtet duhet t’i paraprijë një diskutimi publik. Çfarëdo emri që miratohet, ai, duhet të përkthehet në  gjuhën dhe alfabetin shqip. Konsiderojmë se emri i vendit nuk duhet të ketë shtojca: gjeografike dhe sllave. Emri i ardhshëm i IRJM të mos identifikohet me emrin e një etnie. Identiteti etnocentrik i shtetit për shqiptarët ka karakter okupues. Të mos barazohet identiteti shtetëror me identitetin kombëtar të sllavomaqedonasveShqiptarëve nuk u pengon identiteti i sllavomaqeonasve, por i pengon identifikimi i emrit të shtetit me emrin e etnisë.

Pika3 Theksojmë domosdoshmërinë e integrimin e shqiptarëve si komb si prioritar, para çdo lloj integrimi tjetër, përfshirë dhe atë të integrimit në BE. Askush nuk ka të drejtë t’ua mohojë shqiptarëve të drejtën për integrimin e tyre si komb, duke u imponuar integrime të tjera si zëvendësim për këtë, përfshirë këtu edhe BE. Vetë BE është një bashkim i vullnetshëm i shteteve kombe, nga e cila këto shtete kombe mund të largohen kur të duan, gjë që tregon se BE nuk është garanci për integrimin e shqiptarëve dhe eliminimin e kufijve mes tyre. Asgjë nuk justifikon copëzimin kulturor, arsimor, ekonomik të kombit, gjë që krijon vakuum i cili me lehtësi plotësohet nga ndikime të huaja, të rrezikshme për identitetin e shqiptarëve në IRJM.

Pika 4 Refuzojmë fuqimisht që interesi i shqiptarëve të mbetet peng i paqes dhe stabilitetit të rajonit. Të qenit faktor i rëndësishëm për rajonin duhet përkthyer në mundësi për avancim në pozitat negociuese, e jo si dobësi.

Pika 5  Përcaktimi i interesave të shqiptarëve, vendosja e objektivave, thurja e strategjive nuk mund të jetë ekskluzivitet i një njeriu ose i një grushti politikanësh të zgjedhur një herë në katër vite, në rrethana të diskutueshme. Ky proces duhet të jetë transparent dhe nxjerr në pah rolin e pazëvendësueshëm të grupimeve jopolitike, shoqërisë civile, diasporës, ekspertëve etj. Prandaj inkurajojmë përfshirjen dhe angazhimin e tyre në proceset aktuale politike, të rëndësishme për të ardhmen e shqiptarëve në IRJM e më gjerë.

Pika 6 Denoncojmë fuqishëm dhe njëkohësisht i bëjmë thirrje kryeministrit sllavomaqedon që të ndërpresë menjëherë keqpërdorimin e dosjeve kriminale për eksponentët e klasës politike shqiptare të përfshirë në afera korrupsioni dhe kriminaliteti,  të cilat i shfrytëzon aktualisht për të kontrolluar forcat politike që përfaqësojnë shqiptarët, dhe ato t’i publikojë para opinionit dhe t’ia dorëzojë sistemit të drejtësisë. Vazhdimi i korrupsionit, kriminalitetit, vrasjeve jo vetëm se nxjerrin në dritën e vërtetë klasën politike shqiptare në pushtet dhe jashtë tij, por edhe qasjen dhe qëllimet reale ndaj shqiptarëve të vetë kryeministri sllavomaqedon.

 Pika 7 Për ndjesinë ndaj gjuhës së tyre që kanë kombet europiane mjafton të sjellim këtë fakt relevant: Konfederata zvicerane në aspektin e politikave linguistike është një “aparat i çuditshëm: shtatë milionë ba­no­rë flasin 4 gjuhë të ndryshme, me status të barabartë zyrtar: gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe retoromanisht. Madje, dhe për emërtimin e vendit përdoret latinishtja Confoederatio Helvetica, në mënyrë që t’i iket favorizimit të njërës prej katër gjuhëve zyrtare të Zvicrës. Nga kjo zgjidhje linguistike, Zvicra e vogël asgjë nuk humbet ngaqë nuk ka një gjuhë zyrtare të vetme. E, nga ana tjetër, në Maqedoninë po ashtu të vogël, me 2.2 milionë banorë, ku së paku 1/3 e popullatës janë shqiptarë, ka një ligj vetëm për përdorimin e gjuhës maqedonase si gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e shtetit, por nuk ka një ligj që edhe gjuhës shqipe t’i krijonte një status të tillë të barabartë. 

Me këtë Memorandum, ne grupi i intelektualëve shqiptarë, shprehim vendosmërinë tonë për të insistuar në denoncimin në vazhdimësi të çdo lloj politike në dëm të shqiptarëve si dhe kërkesën e llogarisë nga përgjegjësit për këtë politikë. Njëkohësisht shprehim gatishmërinë tonë për angazhimin e pakursyer me të gjitha burimet njerëzore dhe intelektuale për gjetjen e zgjidhjes përfundimtare të çështjes shqiptare në IRJM.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button