fbpx

Çfarë do ta mësojë Zaevin për investime të huaja, ish ministri i Policisë Boshkoski?

Ish ministri i Punëve të Brendshëme Lube Boshkoski, nuk është person adekuat për t’i dhënë këshilla kryeministrit Zoran Zaev në fushën e investimeve të huaja. Kështu komentojnë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP) dhe ekonomisti Visar Ademi për Portalb.mk, pasi që dje Qeveria kumtoi se Boshkoski është emëruar këshilltar i veçantë për investime të huaja në kabinetin qeveritar, shkruan Portalb.mk.

“Në këtë nënqiell që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot është praktikuar vendosja e personave  jo adekuat në pozita kyçe të ekzekutivit por edhe më gjerë prandaj,  vendimi i marrë nga ana e qeverisë për vendosjen e z-ri Lube Boshkoskit në pozitën këshilltar për investime të huaja e vlerësojmë si vendim jo adekuat për pozitën në fjalë, pasi që në këto pozita këshillëdhënëse duhet të emërohen persona profesionist të dëshmuar me të vetmin qëllim që të kemi rritje dhe zhvillim më të madh ekonomik”, thonë nga OEMVP për Portalb.mk.

Ademi vlerëson se Boshkoski nuk është emëruar për shkak të kualifikimeve të tij, por për shkak se siç thotë ai, për ta marrë një rrogë pasi që ka qenë përkrahës i Zaevit në kohërat kur ishte në opozitë.

“Është iluzore të flitet se sa mund të kontribuojë Boshkoski në fushën e investimeve të huaja. Njeriu ka  ardhur vetëm të marrë një  rrogë se ndoshta është ky rast social nga koha që ka qenë në burg. Nuk është vetëm Boshkoski ka edhe persona tjerë jo të kualifikuar, pra që s’e kanë vendim, por janë zgjedhur si këshilltarë. Tani vjen fatura e pagesës, ato të cilët i kanë dhënë bllanko përkrahje Zaevit tani kanë ardhur ta marrin araçin e vet. Araçi është ndoshta ndonjë post, beneficion apo interes i vogël dhe në këtë situatë nuk është vetëm Boshkoski. Tani ata duke dashur ta kthejnë mbrapsht përkrahjen politike në kohën kur ka qenë në krizë Zaevi tash mundohen t’i sistemojnë  nëpër vende për shembull që ndoshta i kanë të mundshme”, thotë Ademi.

Ai shton se është e paqartë heshtja e partisë koalicionuese BDI, e cila “lejon të rehabilitohet një kriminel lufte, një njeri i cili ka një lloj dosje negative për shqiptarët dhe mundohet tani në derë të vogël të futet nëpër kabinetet e Zaevit dhe më vonë të ketë dhe një forcë qeveritare”, transmeton Portalb.mk. 

Kush është Boshkoski që duhet t’i japë këshilla Zaevit për investime të huaja?

Nga Qeveria dje theksuan se nga të gjithë kandidatët e paraqitur në konkursin për këshilltarë të posaçëm, vetëm Boshkoski i ka përmbushur të gjitha kushtet.  Nëse e shohim biografinë e Boshkoskit, në asnjë moment i njëjti nuk ka pasur lidhje profesionale me fushën e përgjithshme të ekonomisë, e aq më pak në atë të investimeve të huaja.

Boshkoski nga Çellopeku i Tetovës, me diplomë juristi dhe karrierë policore, do të duhet që ta mësojë kryeministrin Zaev, se si t’i joshë investitorët e huaj, si të krijojë kushte për investime, por edhe si të njëjtat do të ndikonin në zhvillimin ekonomik të Maqedonisë.

Boshkoski fillimisht ka punuar në Kroaci, si jurist në Fondin për Sigurim Shëndetësor.

Karriera e tij politike fillon në vitin 1998, kur pas fitores së atëhershme të VMRO-DPMNE-së, ai emërohet për zëvendës/drejtor i Shërbimit Sekret të Maqedonisë.

Lube Boshkoski
Lube Boshkoski

Më  31 janar të vitit 2001 është emëruar sekretar shtetëror në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërkaq gjatë konfliktit të vitit 2001, është emëruar ministër i Punëve të Brendshme, përcjellë Portalb.mk.

Në vitin 2002 shkarkohet nga pozita e ministrit dhe bëhet deputet në Kuvendin e Maqedonisë

Në vitin 2004, Kuvendi ia ka marrë imunitetin për shkak të dyshimit të përzierjes së tij në rastin “Vreshtat e Rashtakut”, më saktësisht për nxitjen e vrasjes së gjashtë pakistanezëve dhe një shtetasi të Indisë më 3 mars të vitit 2001.

I njëjti arrestohet dhe qëndron 6 muaj paraburgim në Pullë të Kroacisë. Pas 6 muajve kundër Boshkoskit ngritet akuzë për përzierje në rastin në fjalë, por gjykimi nuk filloi pasi që Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka kërkuar që Boshkoski të depërtohet në burgun e Sheveningenit për rastin e Masakrës së Lubotenit, më saktësisht për vrasjen e 10 civilëve të 12 gushtit të vitit 2001 në fshatin Luboten të Shkupit.

Në vitin 2004 Gjykata e Shkupit solli vendim për lirimin e Boshkoskit nga akuzat për “Vreshtat e Rashtakut”, ndërkaq pritej dhe vendim nga Gjykata e Pullës, e cila e kishte ngrirë lëndën për shkak të shkuarjes së Boshkoskit në Hagë.

Dënim i ri me burg për Ljube Boshkovskin

Në dhjetor të vitit 2004 Gjykata e Hagës ngriti akuzë kundër Boshkoskit dhe Johan Tarçullovskit, ndërkaq në mars të vitit 2005 të njëjtin e kanë transferuar në Hagë. E njëjta gjykatë më von e liroi nga akuza, ndërkaq bashkëpunëtorin e tij, Johan Tarçullovski u dënua me 12 vjet burg.

Pas kthimit nga Haga, Boshkoski u prit me nderimit me të larta shtetërore, ashtu siç edhe më vonë ia bënë edhe Tarçullovskit – veprim që lënduan thellë familjet shqiptarë të të vrarëve të Lubotenit.

Asokohe, ai ka dashur t’i kyçet partisë VMRO-DPMNE, por pasi që nuk ka gjetur gjuhë të përbashkët me Nikolla Gruevskin, ai është distancuar nga partia e tij e dikurshme dhe formoi parti të re “Të Bashkuar për Maqedoninë”.

Pasi ia ktheu shpinën Gruevskit, Boshkoski publikisht në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2011, ka dërguar kritika të ashpra kundër Gruevskit dhe shefit të atëhershëm të Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, transmeton Portalb.mk.

Menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të 2011-tës, përpara restoranti “Vodenica” në Shkup, Boshkoski është arrestuar nga ana e njësitit policor “Alfa” nën dyshimin për financim ilegal të fushatës zgjedhore. Më pas, në korniza të rastit “Fushata”, Boshkoski është dënuar me 5 vjet burg, të cilën e ka mbajtur në Burgun e Idrizovës.

Përskaj asaj, Boshkoski ka qenë i akuzuar edhe në rastin “Rover” në lidhje me vrasjen e Marjan Tushevskit, gjatë së cilës është dënuar me burg prej 12 vjetëve. Megjithatë, aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Shkupit dy herë është shfuqizuar nga ana e Gjykatës së Apelit, ndërkaq më vonë, në vitin 2016 i është tërhequr akuza.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button