Shumë zhurmë, për asgjë!

Drejtimet me fjalë fyese por edhe me gurëz për udhëheqësinë e Bashkimit Demokratik për Integrim, para selisë në Tetovë por edhe para objektit të Komunës së Çairit në Shkup ishin vetëm reflektim i pakënaqësisë për dy kategori njerzish: për ato që ishin të ofenduar nga ato ngjarje të asaj periudhe por gjithashtu duhet të dijmë që në protestë kishte edhe njerëz të urdhëruar nga qarqe të ndryshme politike që funksionojnë në Maqedoni, duke filluar nga opozita shqiptare. Ajo situatë dhe ato fyerje të pabaza nuk mund të mos kalonin ndryshe, bile duhet të kishte protesta më të ashpra se ato që u organizuan dy javë me rend. Tani është shumë situatë e qetë, kaloi samiti dhe tani do të merremi me deklarata ku na sugjerohet të mendojmë pozitivisht, njejtë si Dale Carnegie i cili nëpër librat e tijë mundohet të shpërndajë frymë pozitive, që ndonjëherë dalin shumë qesharake pasi ndryshon konteksti sipas vendit ku lexohen librat. Këto deklarata aq qesharake nga Bashkimi Demokratik për Integrim, ku thotë se se nuk duhet të humben shpresat janë vetëm vazhdim i freskimit të trurit të atyre që ende ju besojnë, e askujt tjetër.

Më tej, më habit shumë fakti se fjalët e njejta, konteksti dhe kuptimi i njejtë thuhen nga njerëz të ndryshëm. Nuk mund ta kuptoj këtë. Pikërisht, kontradiktat logjike dhe mos përputhja e tyre me realitetin që u shpalosën në opinion kinse shqiptarët e Shkupit por edhe vendbanimeve tjera për rreth janë radikalist islamik ishte teksti nga i cilin funksionarët shqiptar në pushtet nuk i ndryshuan asnjë presje dhe të njejtin e shpalosën si opinion të tyre ekskluziv gjithandej. Këto njerëz sigurisht që kanë edhe kanalet e veta të paguara por edhe të dëgjueshmit e tyre nëpër media që me shumë pompozitet i nxjerrin këto deklarata, në edicionin kryesor të lajmeve, në formë të intervistës së plotë pas lajmeve por edhe të nesërmen në formë të ripërsëritjes. Kjo duhet të ndryshohet, këta njerëz duhet të kenë mendim të vetin personal, kahje kritike të mendimeve por edhe mbrojtje të qëndrimeve rreth diçkaje, ose të ikin diku, të punojnë diçka që nuk do të ndikonte realitetin dhe jetën tonë kaq shumë.

Është e thjeshtë ajo çka na thaujnë neve të gjithë më të rriturit se ne nuk duhet të merremi me politikë pasi jemi të rinj, por politika merret me ne. Merret me ne pasi nuk na mundëson një teatër në Tetovë, një bibliotekë me leximore të ngrohtë, një univerzitet të rregullt, disa rrugë të rafshta e shumë nevoja tjera. Sigurisht se këto mund të jenë shumë për një pushtet për një kohë të shkurt, deri sa të vijnë zgjedhjet, por kemi kohë edhe shumë ne, të rinj jemi, duhet të durojmë. Durimi është pjesë e besimit, e ndërsa nga ana tjetër besimi nuk duhet të jetë i verbër, të paktën për politikën ku duhet të hapen sytë. Gjithçka sot që e sheh në televizor duhet të shihet me dyshim dhe me dozë të lartë të mendimit kritik, pasi gjithçka që del nga kjo kuti magjike i përket politikave të menduara dhe të strukturuara aq mirë nga pushteti. Është fakt që nuk duhet mohuar. Të paktën, atë studioj dhe mund të them me shumë përgjegjësi se këtu në Maqedoni nuk ka mbetur media, çfardë qoftë ajo që nuk është e ndikuar nga politika.

Ecja e Bujar Osmanit në rrugë të errëta që as vetë nuk besoj se i ka kuptuar nuk len për të dëshiruar. Këto rrugë janë shumë të dëmshme për atë në njërën anë dhe në anën tjetër të dëmshme për ne, pasi ai ishte zëri që mbronte të keqën e që na kërcënonte neve. Nuk e di për çfarë arsye, por shëndrimi nga ministër i shëndetësisë në zëdhënës i partisë është një rrugëtim në kahje të kundërt duke vlersuar pozitën por edhe mos përputhjen e profesionit. Ai e di më së miri. Ne, si qytetarë të ndërgjegjshëm, të dëgjueshëm dhe të sjellshëm do të luteshim që të mos jemi ne viktimat e radhës të konferencave për shtyp që ai i drejton. Më mirë do të ishte sikur të na njoftonte neve si publik për projekte kapitale dhe fabrika ku mund të punësoheshin disa punëtor me diplomë fakulteti që sot punojnë kamarier dhe ndoshta ia shërbejnë kafet e mëngjesit.

Nga ana tjetër nuk mund të jetë gjithçka keq dhe zi. Duhet të kemi në anën tjetër diçka që na bënë të fortë e na mundëson të përballemi me gjithçka. Mjafton të kujtojmë se kemi një rini të shëndoshë që shkollohet në shkallë të ndryshme. Duke filluar nga faza e shkollave të mesme ku përgaditen për fakultet por edhe për studimet e magjistraturës. Rastësisht, duke lexuar lajmet e mëngjesit më ra në sy një lajm se një studente nga Tetova ka prezantuar biznes planin e sajë para Mohammad Yunus, fitues i Çmimit Nobel për Paqe në vitin 2006. Sinqerisht, nuk e njoh këtë studenten por ndjehem krenar për këto student pasi janë vetëm një ndriçim i rrugës për gjeneratat e reja dhe ky sigurisht që është mision i madh. Për të lidhur shkrimin me këtë ngjarje, do desha që atyre të pushtetit të jua sugjeroja këtë kuadër për ministritë e tyre, ku jam i sigurt se do të bëjë shumë më shumë për neve se sa kjo që po bëjnë tash këto.

Në mungesë të udhëheqësve të mirëfillt shqiptar në pushtet dhe në opozitë, krijohet një humnerë e madhe në mes popullit, në këtë rast shqiptarët dhe pushtetit e shtetit. Këtë humnerë mundohet ta përmbush Kim Mehmeti, por ashtu si shohim dhe dëgjojmë ky zë nuk dëgjohet shumë pasi është i vetëm dhe është jo i sigurt pasi i njejti zë më herët mundohej të mbronte Bashkimin Demokratik për Integrim. Parashtrohet pyetja, sa ndikon ky zë ? Aspak ! Me forcën dhe fuqinë mediatike që posedon por edhe kanalet e veta të komunikimit me publikun, gjithmonë të krijuara nga trazirat dhe turbulencat politike, Kim Mehmeti mund të formojë një parti politike dhe të provojë fatin por edhe aftësitë në udhëheqje. Të komentohet nga larg është lehtë, e ndërsa të dalish faqe bardhë nga udhëheqja është rëndë.

Për të mos dashur të zgjatem në këtë shkrim dua vetëm ta mbyll me një situatë qesharake të krijuar këto ditë në Maqedoni. Jo për herë të parë, kryeministri doli në opinion me deklarata kundër të gjithëve. Këtë situatë, që vazhdoj ta quaj qesharake e karakterizuan dy elemente : deklarimet kundër presidentit dhe qëndrimit kundër shteteve më të fuqishme me një vend, Nato-s. Është e tmershme trajektorja Maqedoni-Serbi-Rusi-Kinë që ngjan si një pakt i djallit kundër njerzimit. Përderisa Rusia, Kina kanë forcat e tyre për të ekzistuar si shtet, ndërsa Sërbia ende luan rolin e të përkdhelurës nga Europa, më habit fakti, ku do të gjejë ngushëllim Maqedonia nëse ende vazhdon me këtë politikë kokforte, e jo më larg se sytë e sajë i rrezikohet ekzistimi ? Për të shtuar edhe më këtë rrezik, do të doja të theksoj numrin e atyre shtetasve të Maqedonisë që kanë fituar pasaportë të Bullgarisë, numër ky që arrin deri në 2200 e mos më shumë.

Lajme të ngjashme

Back to top button