Shkroi Himnin e Flamurit, sot ka datëlindjen Asdreni (VIDEO)

Më 11 prill 1872 lindi Aleksandër Stavre Drenova, i njohur me emrin letrar Asdreni i cili në opinionin shqiptar dhe më gjërë njihet se shkroi Himnin e Flamurit, njofton Portalb.mk.

Asdreni ishte një personalitet shumë i njohur i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, jo vetëm si atdhetar i zjarrtë i çlirimit dhe bashkimit të Shqipërisë, por edhe si poet romantik e realist.

Poeti pati një jetë të gjatë krijuese, rreth dyzet vjet. Mësimet e para i mori në Korçë. Që në moshën trembëdhjetëvjeçare shkoi në kurbet, në Rumani, ku vazhdoi shkollën e mesme, dhe më vonë fakultetin e shkencave politike, të cilin nuk arrit ta mbaronte. Për të fituar bukën e gojës dhe për të vazhduar studimet djali i ri detyrohet të bëjë gjithfarë punësh të rënda. Që herët lidhet me lëvizjen atdhetare të shqiptarëve të Bukureshtit dhe bëhet një nga përfaqësuesit më të shquar të saj. Në vitin 1900 filloi të botojë vjershat e tij të para në shtyp dhe të bëhet i njohur si talent i ri që premtonte.

Poezia e tij e kësaj kohe ka karakter kushtrues, po poeti i ri nuk ka gjetur ende individualitetin e vet, është nën ndikimin e Naimit. Në të njëjtën kohë Asdreni botoi në shtyp artikuj me formë të përparuar demokratike dhe antifeudale.

Ai çeli një shkollë shqipe në Kostancë për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë, pasqyroi në shkrimet e veta ngjarjet e Shqipërisë, mblodhi ndihma për kryengritësit e Kosovës, bashkpunoi me Nolin për shkëputjen e kishës shqiptare nga kisha greke, ishte sekretar i mbledhjes së Bukureshtit që e kryesonte Ismail Qemali në vjeshtë të vitit 1912 dhe ku u vendos shpallja e menjëhershme e Pavarësisë. Jo më kot pikërisht në atë vit del në dritë vëllimi i dytë me vjersha i Asdrenit “Ëndërra dhe lotë” ku shfaqet plotësisht talenti i tij dhe që solli një ndihmesë të shquar në letërsinë shqiptare të Rilindjes.

Më 1914 Asdreni erdhi në atdhe që të ndihmonte në forcimin e pushtetit kombëtar, po, i zhgënjyer nga turbullimet e kësaj kohe, u kthye në Rumani. Ai priti me gëzim Kongresin e Lushnjes, i bëri jehonë flakë për flakë luftës së Vlorës. Pas vitit 1924 u tërhoq nga jeta politike, duke shprehur kështu në heshtje qëndrimin e tij kundërshtues ndaj regjimit të Zogut. Në fakt në vëllimin e tij të tretë me vjersha “Psallme murgu” të botuar më 1930 gjejmë aludime për këtë qëndrim të tij. Revoltën e tij Asdreni e derdhi edhe nëpër disa vjersha të mbetura në dorëshkrime. Por zhgënjimi i tij nga realiteti shoqëror politik i frymëzoi edhe vjersha pesimiste ose vjersha të ftohta që nuk janë që nuk janë veçse ushtrime formaliste. Gjejmë kështu çaste, rënieje në krijimtarinë e tij. Me rastin e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, Asdreni u kthye në Shqipëri, po gjeti një pritje tepër të ftohtë nga përfaqësuesit e regjimit. Poeti shkoi sërish në Rumani për të mos u kthyer më kurrë në atdhe. Vitet e fundit të jetës përgatiti një vëllim “Këmbanat e Krujës”.
Veprat e tija janë:

“Rreze dielli”
“Hymni i flamurit”
“Ëndrra e lotë”
“Zëri i kryengritësve”
“Krerëve tradhëtorë”
“Çpërblimi”
“Shqypëria më 1914”
“Burri i dheut”
“Hymni i festës”
“Fisnikët e Shqipërisë”
“Republika shqiptare”
“Trashëgimi”
“Kambana e Krujës”
“Poezi të Zgjedhura”

Më poshtë ju sjellim edhe poezinë “Betimi mbi flamurin”.

Rreth flamurit të përbashkuar,
me një dëshirë e një qëllim,
të gjithë atij duk’iu betuar
të lidhim besën për shpëtim.

Prej lufte veç ai largohet
që është lindur tradhëtor,
kush është burrë, nuk frikohet,
po vdes, po vdes si një dëshmor!

Në dorë armët do t’i mbajmë,
të mbrojmë atdheun në çdo kënd,
të drejtat tona ne si ndajmë;
këtu armiqët s’kanë vend.
që kombe shuhen përmbi dhe,
po Shqipëria do të rrojë,
për të, për të, luftojmë ne!

O flamur, flamur, shenj’ e shtrenjtë
tek ti betohemi këtu,
pë Shqipërin, atdheun e shtrenjtë,
për nder’edhe lavdimn e tu.

Trim, burrë quhet dhe nderohet
atdheuet kush iu bë therror.
Përjetë ai do të kujtohet
mbi dhe, nën dhe si një shenjtor!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button