Vizualizim: Çfarë do të ndodhë nëse ata që marrin rrogë mbi 1000 euro do të paguajnë tatim më të lartë?

A duhet të paguajnë tatim më të madh personal ose jo ata që marrin rrogë më të madhe se 1.000 euro, është njëra nga temat kryesore të diskutimit në opinion këtyre ditëve, pasi ministri për financa, Dragan Tevdovski, tha se për të është e pranueshme që personat që fitojnë mbi 1.000 euro në muaj të paguajnë tatim më të lartë për çdo denar që e fitojnë mbi këtë shumë. Sipas të dhënave të ministrisë, vetëm 2 për qind e popullatës fiton të ardhura mujore mbi 1.000 euro, njofton Portalb.mk.

Kryeministri Zoran Zaev tha se kjo masë do të zbatohet për shkak se tatimi progresiv (ku të pasurit paguajnë më tepër) është pjesë e programit qeveritar. Ai informoi se tatimi personal për qytetarët me të ardhura të larta do të rritet prej 10 në 18 për qind për shumën që do ta marrin mbi 1.000 euro.

Sipas tij, nëse pragu vendoset në vlerën mbi 1.000 euro, tatim personal do të paguajnë 74.000 qytetarë, dhe me këtë buxheti vjetor do të plotësohej për 30 milionë euro.

Tatimi personal që e kanë paguar qytetarët e Maqedonisë është rritur për pak më shumë se 100 milionë euro në 6 vitet e fundit, sipas të dhënave të Ministrisë për Financa. Në vitin 2012, shteti ka mbledhur tatim personal në vlerë prej 155 milionë euro, ndërsa në vitin 2017 kjo shumë ka qenë 248 milionë euro, njofton Portalb.mk. Dallim më të madh ka pasur ndërmjet viteve 2013 dhe 2014 kur shteti ka mbledhur 33 milionë euro më shumë për një vit. Kështu, prej 167 milionë eurosh në vitin 2013, shuma është rritur në 200 milionë euro tatim personal në vitin 2014.

Për shkak se numri i të punësuarve nuk është rritur gjatë këtyre viteve, shkakun për dallimin e këtillë e kërkuam në rritjen e disiplinës tatimore dhe në rritjen e rrogave, gjegjësisht të të ardhurave.

Sipas analizave iniciale, më e goditur nga tatimi personal prej 18% në të ardhurat mbi 1.000 euro do të jetë industria e TI-së, dhe për këtë arsye tashmë ka paralajmërime nga ana e qeverisë për zvogëlimin e tatimit në fitim për kompanitë e TI-së prej 10% në 3%.

Mirëpo, nëse krahasohen rrogat mesatare në Maqedoni me rrogën mesatare në veprimtarinë e programimit kompjuterik, do të vërehet se dallimi është i dyfishtë dhe se ai vjen duke u rritur me kalimin e viteve.

Sipas të dhënave nga Enti shtetëror i statistikave, rroga mesatare neto në Maqedoni në 5 vitet e fundit është rritur për 50 euro. Në janar të vitit 2012, rroga mesatare ka qenë 21 mijë denarë, ndërsa në janar të vitit 2018 ajo ka qenë 24 mijë denarë,njofton Portalb.mk. 

Në sektorin e programimit kompjuterik, prej vitit 2012 deri në vitin 2018 rroga mesatare është rritur për 20,5 mijë denarë, gjegjësisht për 334 euro. Në vitin 2012 ajo ka qenë 32 mijë denarë, ndërsa në vitin 2018 ajo është rritur në 53 mijë denarë.

Rroga më të larta se të punësuarit në sektorin kompjuterik marrin vetëm të punësuarit në sektorin e transportit ajror, ku në janar të vitit 2018 rroga mesatare ka qenë 84 mijë denarë dhe në sektorin e veprimtarive sportive, argëtuese dhe rekreative, ku të punësuarit kanë marrë 113 mijë denarë.

Me qëllim të qartësimit të masës së propozuar për tatim më të lartë personal në dallimet në të ardhurat më të larta se 1.000 euro, do ta marrim një shembull: Për të ardhura prej 2.000 еurosh, në vitin 2019 do të duhet të paguhet tatim personal prej 280 eurosh. Do të thotë, për shumën deri në 1.000 euro, 10% tatim personal dhe për shumën mbi 1.000 euro edhe 18% tatim personal.

 

Vizualizimet e publikuara janë pjesë e projektit D.A.T.A. – Data Analytics for Transparency and Accountability, që implementohet nga ana e Fondacionit Metamorfozis.

Ky projekt është pjesërisht i financuar nëpërmjet grantit të fituar në PeaceTech Exchange Macedonia. Mendimet, konstatimet dhe përfundimet ose rekomandimet e prezantuara këtu, nuk janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i paraqesin ato të Qeverisë së SHBA-ve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button