Thaçi: Kushtetuta e Kosovës ndër më modernet në Evropën Juglindore

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në ceremoninë solemne kushtuar ditës së miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka deklaruar se kushtetuta e vendit të tij është ndër më modernet në Evropën Juglindore, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Drejtësisë, presidenti Thaçi tha se Kushtetuta e Kosovës mishëron vlerat e të drejtave të njeriut dhe të qytetarëve të barabartë duke garantuar liritë qytetare dhe barazinë para ligjit.

“Dita e miratimit të Kushtetutës nuk ishte vetëm legjitimim i shtetësisë sonë, por edhe jetësim i një ideje, i një projekti dhe i ëndrrave të shumë gjeneratave që u flijuan dhe punuan për këtë ditë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit kosovar tha se në këtë dekadë të funksionimit të shtetit, përveç synimeve euro-atlantike, kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë të domosdoshme, edhe ndryshimet kushtetuese, të tilla si ndryshimet për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, përfshirja e komunitetit kroat dhe atij malazez në Kushtetutën e vendit dhe ndryshimet që kërkohen për të përmbyllur reformën elektorale.

Ndërkaq, sipas kryeministrit Ramush Haradinaj, në në aspektin e respektimit të të drejtave të komuniteteve Kushtetuta e Kosovës është ndër kushtetutat më të avancuara në botë.

“Ajo që është karakteristike e kushtetutës tonë është se ajo ka funksionuar të arrijë në standardet më të larta, si respektimi i të drejtave të njeriut, pastaj integrimin dhe respektimin e komuniteteve”, tha Haradinaj.

Nga ana tjetër, kyetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Rama – Hajrizi, duke iu referuar ndryshimeve kushtetuese tha se diskutimet për këto ndryshime janë plotësisht të natyrshme dhe se përpjekjet për të bërë ndryshime edhe më të mira drejtë të ardhmes vlejnë edhe për Kosovën.

“Në krahasim me shumë kushtetuta të tjera në botë, Kushtetuta e Kosovës është një dokument mjaft modern dhe i avancuar. Kjo kushtetutë të gjithë qytetarëve në vend u ka ofruar mundësi të barabarta për t`i realizuar qëllimet dhe idealet e tyre kushtetuese dhe ju ka mundësuar një trajtim të njëjtë përballë ligjit”, tha Rama-Hajrizi.

Në këtë ceremoni kushtuar ditës së miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përveç përfaqësuesve të institucioneve qeveritare të vendit, ishin edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delaëie, ambsadorja turke në Prishtinë, Kivilcim Kilic, si dhe përfaqësues të tjerë të misioneve diplomatike në Kosovë.

Në këtë ceremoni të 10 vjetorit të miratimit të kushtetutës, presidenti Thaçi dekoroi kontribuesit në hartimin e kushtetutës me “Medaljen Presidenciale Jubilare” të dhjetëvjetorit të pavarësisë.

Personat që u dekuruan ishin Arsim Bajrami, Eqrem Kryeziu, Gjylieta Mushkolaj, Hajredin Kuçi, Ylber Hysa, Iljaz Ramajli, Kadri Kryeziu, Mahir Yagcilar, Nekibe Kelmendi (pas vdekjes) dhe Ramë Manaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button