QENDRA ZEJTARE

Shënime të dhembshme kundër harresës

Prishtinë. Mars. 1999

Më në fund drita depërton mes për mes mëngjesit që përshkon Kosovën. Bardhësia tij e ftohtë, e mprehtë hyri deri në vrimën tonë ku jemi fshehur. Dielli lindi i zbehtë dhe i trishtuar. Qielli është i ulët e me ngjyrën e plumbit. Tamam si të ishte ngjitur tymi deri lartë, drita shkatërruese dhe era e llahtarit njerëzor. Nën ndriçimin e zbardhur të mëngjesit duken fare mirë uniformat, ngjyrë indigoje të policëve këtu afër, menjëherë në rrugë. Tanku si një bark i hekurt nëne, që lind bij të dëshpëruar dhe gjinj të mjerë që i kanë ushqyer. Ka afro dy javë që mëngjesi na i hap sytë kërcënueshëm me tytën e tankut pranë derës sonë të oborrit drejtuar kah dritaret e katit të dytë.
Ditën rrimë në katin e përdhesit, unë, Berita dhe im shoq.

Kah mesnata marrim në krah vajzën e ngjitemi në katin e dytë. Bëjmë rojë me radhë, herë unë e herë ai. Dritareve ua kemi vënë mbulesat e trasha që të mos diktohet drita e qirit në rrugë. Im shoq ka zënë vendin e tij pranë tavolinës, afër kanapesë e punon me pastelet që mezi u dallohet ngjyra. Unë shkruaj, ulur në kanapenë përballë, ndërsa Berita fle me gjumë të thellë pranë meje. Dëgjohen bërtima, ulëritje, vaje, zëre sall trishtim, që nata i sjell aq afër, sa kam ndjenjën se diçka e tmerrshme po ndodh, hiç më larg se në shtëpinë e komshiut.

Ngrita pak mbulesën e trashë në dritare që të vështroja përjashta, mos rastësisht llahtari po ndodhte në rrugën kryesore këtu tek Qendra Zejtare. Por, përveç paramilitarëve që u ndërruan në tankë s’ndodhi asgjë tjetër. Pesë paramilitarë zbritën, e pesë të tjerë hypën. Ata që zbritën një copë kohë folën me disa të tjerë nga policia lokale. Pastaj, me vrap dolën prej territ dhe morën teposhtë, nën strehë, rrugës kryesore. Ishin njëmbëdhjetë. Britmat, ulëritjet, krismat e zërat e trishtueshëm ende s’po qetësoheshin anës majtë të shtëpisë ku jetonim. Kështu siç jam në këmbë, duke vështruar me gjysmë syri nga dritarja pamjen e natës së thellë, për t’i pushuar sytë që dhembin nga terri, vështroj herë tim shoq, herë time bijë në dhomë. I pari është zvogëluar fare.

Në dritën e qiriut vërej vetëm kurbën e shpinës së tij. I tëri është thelluar mbi letër e pastele, duke punuar instiktivisht me ritmin e britmave që vijnë nga rruga. E, nata na i sjell të turbullta në dhomë. Shoh, ai ka frikë siç kam dhe unë, por s’ia themi njëri-tjetrit. Berita është mbledhur kruspull brenda rrobave të trasha që ia bëjnë të dallueshme vetëm fytyrën. Duket si hënë e zbritur qiellit, fëmija ime në gjumë. Sa e zakonshme na u bë lufta, vrasjet prag mëngjesi, zhdukjet, masakrat, dhuna, kalljet, shkatërrimet, vuajtjet, ikjet…..

Poaq e zakonshme si drama që tmerrshëm luhet që kaq kohë. Dhe, sikur u mësuam me të gjitha llojet e fatkeqësisë. Me pak fat, shkathtësi, guxim e zgjuarësi gjejmë mënyrat e mjetet për t’i evituar mungesat e tmerrshme të bukës, ujit, kripës, sheqerit dhe sapunit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button