fbpx

Bekteshi në samitin vjetor të investimeve në Dubai – prezantoi mundësitë e investimeve në Maqedoni

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, me ftesë të ministrit të Ekonomisë së Emirateve të Bashkuara Arabe Sulltan bin Said Al Mansuri nga 9 deri më 11 Prill, merr pjesë në edicionin e tetë të Samitit Vjetor të Investimeve në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, që mbahet nën patronazhin e sheik Mohamed Bin Rashid Al Maktum, nënkryetar i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe kryeministër i Dubait.

“Bëhet fjalë për një tubim vjetor i cili paraqet platformë udhëheqëse globale për investimet e huaja, ndërsa këtë vit temë e takimit është “Lidhja e Tregjeve të Zhvilluara dhe të Reja, përmes Investimeve të Huaja Direkte – Partneritet për rritje gjithëpërfshirëse dhe zhvillim të qëndrueshëm”, që mbledh së bashku disa dhjetëra mijëra pjesëmarrës nga sektori publik dhe privat nga mbi 100 shtete, duke përfshirë ministra të ekonomisë, shkencëtarë, odat ekonomike, zonat industriale dhe ekonomike, bankat dhe institucionet financiare, si dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, njoftojnë nga Ministria e Ekonomisë.

Ministri Bekteshi, në kuadër të agjendës, prezantoi mundësitë për investim në vend dhe situatën ekonomike të vendit, me çrast realizoi takime me investitorët e interesuar.

“Gjatë vizitës, Bekteshi u takua me sipërmarrësin e njohur Shetty, i cili është një nga biznesmenët më të suksesshëm në nivel global dhe është një nga njerëzit më të pasur në Emiratet e Bashkuara, ku vepron me shumë kompani dhe fabrika në sektorë të ndryshëm, kryesisht në industrinë farmaceutike, ndërsa është pronar i fabrikës globale NEOPHARMA si dhe spitalet private më të njohura në Emiratet e Bashkuara Arabe, “NMC spitalet”, “Traveleks”, “UAE Exchange”, “Royal”, dhe të tjera. Gjatë takimit, Dr. Shetty shprehu interes në periudhën e ardhshme të viziton Maqedoninë për tu informuar me mundësitë dhe planet për investime në vendin tonë. Gjatë ditës së sotme, në agjendën e ministrit Bekteshi, ka disa takime zyrtare me përfaqësuesit e Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, para të cilëve do të paraqet mundësitë dhe politikat për tërheqjen e investimeve, si dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, i cili nga aspekti i tregtisë, në pjesën e  shkëmbimit tregtar mund të jetë shumë më i kënaqshëm”, thuhet në kumtesë .

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button