Dështoi mocioni i mosbesimit të Qeverisë

Mocioni i mosbesimit të Qeverisë i kërkuar nga partia opozitare maqedonase  VMRO DPMNE dështoi. Pas një debati të stërzgjatur mes akuzave të opozitës dhe mbrojtjes së pozitës, që ka vazhduar pothuajse gjatë gjithë ditës së sotme, është mbyllur në këto momente me votim negativ.

Nga 104 deputetë të pranishëm në Kuvend, 40 votuan ‘pro’, 62 ‘kundër’ dhe 2 ‘abstenim’.

Pas  pauzës,  pasditen e sotme në Parlamentin e Maqedonisë vazhdoi seanca për besimin e Qeverisë. Ziadin Sela nga Aleancës për Shqiptarët tha se bëhet fjalë për një teatër të thjeshtë, pa një debat thelbësor në mënyrë që opozita maqedonase të kthehet në Parlament, transmeton Portalb.mk.

“Aleanca për Shqiptarët është pjesë e opozitës parlamentare dhe ne nuk do të jemi pjesë e këtyre lojërave politike që  të mbështesim interpelancën tuaj për qeverinë aktuale”, tha Sela. Ai mendon se nuk ka reforma thelbësore në drejtësi, nuk është e mirë  gjendja  e fëmijëve shqiptarë në kopshte dhe arsim, ka ndarje etnike në vend dhe duhet përgjegjësi në sektorin e kulturës.

Për dallim nga mbështetja që Aleanca për shqiptarët dha për zgjedhjen e qeverisë, Sela tha se këtë herë  do të votojnë të përmbajtur.

14:00 – Në seancën parlamentare ku po diskutohet mosbesimi i Qeverisë së Maqedonisë, përplasje ka pasur mes deputetës së VMRO-DPMNE-së, Daniella Rangellova dhe ministres së Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska, transmeton Portalb.mk.

“Nuk keni tru, nuk keni vullnet për punë, keni dëshirë për pushtet” kështu është shprehur Rangellova për Carovskën, duke aluduar në menaxhimin e keq të saj.

“Duhet të shkoni sepse lejuat që tre fëmijë të “25 Majit” të dhunohen dhe nuk dhatë përgjegjësi. Si flini e qetë kur ia morët buzëqeshjet fëmijëve. Shoh se qeshni, është mirë që u paraqitet, por a qeshin fëmijët që u dhunuan në “25 Maj”. Çfarë fytyra bëni, nuk mundeni as në çerdhe të shkoni, e lëre të jeni ministre”, tha Rangellova.

Ndaj kësaj ka reaguar ministrja, Carovska duke i thënë se ajo ka trashëguar sistem të dështuar për mbrojtjen sociale.

“Të mos flas për qendrat dhe institucionet të cilat nën udhëheqësinë tuaj, jo vetëm që u shkatërruan por edhe janë grabitur. “Ranka Millanova” ka ndërprerë së funksionuari si institucion publik, sepse drejtori i emëruar nga ministri juaj ka marrë aktakuzë për keqpërdorim në vlerë prej 3 milionë denarë. ne punojmë për strategjinë e humanizmit, strategji të cilën ju e bllokuat”, tha Carovska.

********************************************************************************************

12:00 – Në Kuvendin e Maqedonisë ka filluar seanca e 42-të, në të cilën pikë e vetme e rendit të ditës është çështja e mosbesimit të Qeverisë që e ka dorëzuar grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, njofton Portalb.mk.

Në fillim të seancës deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Danev e ka sqaruar kërkesën për rrëzimin e Qeverisë. Sipas tij, Qeveria është jo-demokratike, jo e aftë, nuk punon dhe më kriminale në historinë e Maqedonisë.

“Atë nuk e flas unë dhe deputetët e VMRO-DPMNE-së por edhe qytetarët e Republikës ë Maqedonisë. Kjo qeveri ka treguar dhe dëshmuar se nuk ka kapacitet për udhëheqjen e institucioneve nga pushteti ekzekutiv. Në vend që t’i përveshni krahët dhe t’i zgjidhni problemet e qytetarëve ju punoni vetëm për interesa partiak dhe personal”, tha Danev.

Pas tij, ka reaguar edhe deputeti i LSDM-së, Tomisllav Tuntev, i cili tha se është dëshpëruese se si VMRO-DPMNE e arsyeton kthimin e saj në Kuvend me interpelancë.

“Është dëshpëruese dhe jo-serioze që të arsyetoni kthimin tuaj në Kuvend. Në sqarimin e interpelancës shihet qartë se nuk ka objektivitet, por vetëm gënjeshtra. Në tërë interpelancën nuk ka asnjë kritikë kundër ministrave të BDI-së. Ju jeni të njëjtët deputetë që i dëgjuat “bombat”, ishit në natën e përgjakshme të 27 prillit. Vetëm gënjeshtra, asgjë tjetër”, tha Tuntev.

 

Diskutimi në këtë temë duhet që të zgjatë deri në mesnatë, kur të bëhet dhe votimi. Nëse eventualisht votohet për mosbesimin e kabinetit të Zoran Zaevit, VMRO-DPMNE duhet të sigurojë 61 vota. Me diskutimin për interpelancën e Qeverisë, opozita kthehet në punën e Kuvendit, pas afër pesë muaj bojkot.

—————————————————

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, për sot në orën 11 e ka caktuar seancën për mosbesimin e Qeverisë, të cilën e ka kërkuar partia opozitare VMRO-DPMNE, njofton Portalb.mk.

“Projektet e vetme që i ka zbatuar Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së në periudhën e kaluar janë partizimi i institucioneve dhe degradimi i tyre, gjyqësor të robëruar, funksionarët kanë harxhuar paratë e qytetarëve për luks si dhe revanshizëm politike”, thuhet në sqarimin e VMRO-DPMNE-së për ngritjen e mosbesimit të Qeverisë, e cila është nënshkruar nga 41 deputetë të partisë opozitare.

Në këtë dokument, të publikuar në ueb-faqen zyrtare të Kuvendit, VMRO-DPMNE akuzon se LSDM dhe BDI që ta mbajnë koalicionin e kanë shkelur demokracinë në shtet, Kushtetutën, ligjet dhe Rregulloren e Kuvendit. Ata gjithashtu thonë se me forcë e kanë votuar ligjin për gjuhët, nuk kanë zbatuar asnjë nga reformat e planit 3-6-9, i cili sipas partisë ka përjetuar kolaps të plotë.

Sipas Rregullores së Kuvendit, votimi për mosbesim të Qeverisë kryhet pas skadimit të tre ditëve nga dorëzimi i kërkesës.

Për votim eventual të mosvesimit është e nevojshme shumicë absolute, gjegjësisht 61 vota “për” nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Votimi i mosbesimit do të jetë testi i parë më serioz i Qeverisë dhe për kryeministrin Zoran Zaev pas 10 muajve të kaluara në pushtet. Interpelanca vjen në moment kur po mbarojnë përgatitjet e fundit për rikonstruimin e parë të kabinetit të kryeministrit dhe kur po kryhen bisedime me disa parti për zmadhimin e shumicës parlamentare.

Partia opozitare nuk merr pjesë në punën e Kuvendit pas arrestimit të gjashtë deputetëve të tyre dhe qytetarëve të tjerë për dhunën në Kuvend më 27 prill të vitit të kaluar.

Me vendim të Gjykatës Supreme, nga paraburgimi u lëshuan deputetët Kërsto Mukoski dhe Sasho Vasilevska, të cilët tani janë në paraburgim shtëpiak. Në paraburgim është edhe deputeti Lupço Arnaudov. Deputetët e tjerë duhet që të kthehen në punën e Kuvendit – për Zhaklina Peshevskën, Prokuroria e ka ndaluar procedurën, ndërkaq Johan Tarçullovskit dhe Lupço Dimovskit u është shqiptuar masa e kujdesit. Me këtë, ashtu siç thonë nga VMRO-DPMNE, pjesërisht është plotësuar kushti i parë për kthimin e grupit të deputetëve në Kuvend.

Në njoftimin e Kuvendit, thuhet se seanca e 22-të, 34-të dhe 35-të, në vend sot, do të vazhdojnë të enjten (12 prilli) në ora 11:00.

VMRO-DPMNE-ja e ka dorëzuar në Kuvend iniciativën për votimin e mosbesimit të Qeverisë

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button