Liria akademike nuk nënkupton vetëm lirinë e krijimtarisë shkencore

Liria akademike nuk nënkupton vetëm lirinë e krijimtarisë shkencore, por edhe lirinë e dhënies së kontributit intelektual në krijimin dhe udhëzimin e opinionit publik.

Liria akademike gjegjësisht liria e shprehjes së lirë të mendimit intelektual-e para ndër liritë dhe të drejtat themelore të njeriut të garantuara me ligj, ishte shtylla kryesore e demokracive perëndimore që bëri revolucion me shndërrimin e sistemit feudal në sistemin kapitalist si rregullim shtetëror, është liria e njeriut për të bërë vetë zgjedhjen dhe për të marrë përgjegjësinë e fatit në duart e veta, të jetojë i lirë, dhe të mendojë i lirë, për ta shprehur mendimin e vet për ardhmërinë e vendit, dhe për të marrë mbi supe pjesën e vet të përgjegjësisë, pa u ndikuar nga vullneti i tjetrit.

Pararendësit e këtij revolucioni botëror ishin mendjet më të ndritura të kohës, filozofët dhe letrarët më të njohur në vend dhe ne fqinjësi, të cilët e formësuan kornizën ideore të ndërtimit të një shteti të drejtë dhe të paanshëm, që do të siguronte shanse të barabarta për të gjithë, pa marrë parasysh statusin social, prejardhjen dhe bindjet personale politike.

Fryma dhe jehona e këtyre ndryshimeve sistemore ekonomike dhe shoqërore s’mundi të mos e kishte ndikimin e vet edhe në vendet e gadishullit ballkanik, të sfilitur nga pushtimet shekullore dhe luftërat pushtuese të fqinjëve të deridjeshëm, edhe pse me një vonesë kohore mjaft të madhe.

Në vendet e dalura nga luftëra të tilla sa pushtuese po aq çlirimtare, filozofia e demokracive perëndimore e pati të vështirë të lëshonte rrënjë të thella në botëkuptimin individual të jetës dhe mbjelljen e shpresës për një jetë më të mirë të çliruar nga luftërat dhe grindjet e përditshme, por të bazuar në vullnetin e palëkundur për të siguruar një jetë më dinjitoze për pjesëtarët e familjes, pa trysni dhe imponim të vullnetit nga ana e askujt.

Ne një shtet të mirëfilltë demokratik, liria e shprehjes së lirë të mendimit është treguesi më i mirë i shkallës së demokracisë, dhe bën diferencën ndërmjet shteteve autoritare dhe diktatoriale, me demokraci “virtuale” dhe të kufizuar të të drejtave themelore të njeriut.

Për shtetet dhe vendet e tilla, mënyra më e lehtë për të sunduar me qytetarët e tyre është kufizimi i lirisë akademike gjegjësisht kufizimi (indirekt) i lirisë së fjalës dhe të shprehjes së mendimit të intelektualit, si pararojë e zhvillimit tekniko-shkencor dhe garant i gëzimit të të drejtave themelore simotra të shprehjes së lirë të mendimit gazetaresk dhe televiziv gjegjësisht të mjeteve të shtypit, informacionit dhe televizionit.

Pra, liria akademike nuk nënkupton vetëm lirinë e krijimtarisë shkencore, por edhe lirinë e dhënies së kontributit intelektual në krijimin dhe udhëzimin e opinionit publik, prej të cilit pastaj varen edhe liria e zgjedhjes gjegjësisht vendimmarrjes gjatë organizimit të zgjedhjeve të lira dhe të drejta demokratike.

Pikërisht kësaj të fundit i druhen pushtetarët dhe prandaj ndërmarrin masa preventive në parandalimin e tij dhe kufizimin e mendimit intelektual brenda sojit të vet, dhe i shmangen ballafaqimit televiziv dhe debateve gazetareske me ata që mendojnë ndryshe ose që nuk janë të varur prej tyre, në rrugëtimin e tyre intelektual dhe shkencor.

Barometri i mirëfilltë i shkallës së demokracisë është liria e shtypit dhe e shprehjes së lirë të mendimit sidomos të atyre që janë më të thirrur profesionalisht për ruajtjen dhe kultivimin e mendimit kritik, dhe të ndryshëm prej atij të pushtetarit apo të partisë në pushtet.
Mbijetesa e gjatë në pushtet e një individi apo grupi partiak, përkundër meritave eventuale personale në progresin shoqëror, është simptoma e parë dhe kryesor i humbjes së terrenit të lirive themelore të njeriut, dhe i kufizimit të tyre në “përmasa” të pranueshme për pushtetin aktual.

Vetëm atëherë kur mungojnë debatet dhe liria e shprehjes së mendimit intelektual, duhet menduar seriozisht se diçka nuk është në rregull, sepse kjo gjendje në fillim e qetë dhe e pa turbullt, është faza e parë e instalimit të pushtetit autoritar dhe regjimeve diktatoriale, që zakonisht përfundojnë në letargji dhe gjendje apatike, të të gjithë sistemit në të gjitha rrafshet, pa përjashtuar edhe ato individuale.

Kur mungon arsyeja, mbisundon injoranca, dhe të sundosh me injorancën është shumë lehtë, por përfundimi është kaosi dhe “injoranca” e të gjithëve pa përjashtim!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button