Saraçini: falë USAID-it u hapën 3300 vende të reja pune

Pas pesë viteve, Projekti i USAID-it për konkurrencë ka përfunduar me sukses aktivitetet e mbështetjes së mbi 500 kompanive lokale në vend, drejt rritjes së konkurrencës së tyre në tregjet globale përmes qasjes ndaj mjeteve të jashtme financiare, identifikimit të blerësve dhe porosive të reja për eksport, zgjerimit të punës, si dhe trajnimit dhe angazhimit të punëtorëve të ri dhe të  kualifikuar.

‘Falë mbështetjes  së projektit, kompanitë e Maqedonisë kanë krijuar mbi 3,300 vende të reja pune dhe eksport në vlerë prej 88 milionë dollarëve. USAID ka ndihmuar 160 kompani për qasje të suksesshme ndaj financimit të jashtëm në vlerë prej 80 milionë dollarëve, duke përfituar kështu totalin e mbi 145 milionë dollarëve në investime të reja përmes teknologjisë së re dhe rritjes së bizneseve’, deklaroi ministri i ekonomisë Valon Saraçini.

Ai shtoi se duke i shfrytëzuar aktivitetet e shumta për ndërlidhjen e tregjeve, 55 kompani nga Maqedonia të fushës së prodhimit të pjesëve automobilave, veglave dhe tekstilit kanë marrë pjesë në panairet më të mëdha në Evropë, që i ka ndihmuar Maqedonisë të shndërrohet në destinacion burimi.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Paul D. Wohlers tha se USAID është duke punuar me popullin e Maqedonisë për hapjen e vendeve të punës, përforcimin e institucioneve dhe praktikës demokratike, avancimin e edukimit të integruar dhe përgatitjen e nxënësve për forcën e punës.

‘Qëllimi kryesor i programeve zhvillimore është që të krijohen organizata që menaxhohen në nivel lokal, të cilat do ta vazhdojnë me përmbushjen e nevojave të tregut. Kjo është arritur nga Projekti i konkurrencës, që është vetëm një prej shembujve të partneritetit strategjik që e kemi me Maqedoninë’, deklaroi Wohlers.

Lajme të ngjashme

Back to top button