Udhëtimi ynë deri në breg ferri

Shënime të dhembshme kundër harresës

  1. Prill.1999. Bllace

Siç na ngarkuan panumërueshëm, ashtu edhe na zbritën.
Nga treni prapë në kolonë binarëve, prej Hanit të Elezit deri në kampin e improvizuar, ku tashmë po qelbej një pjesë e mirë e fatkeqësisë shqiptare nga Kosova. Lodhja, frika e mundimi skuqte me djersë fytyrat tona. Këmbët i ngrehim zvarrë, e hapat pavullnetshëm hidhen guralecëve të bardhë, të pluhurosur. U ngjajmë qenieve të patrajtë me bohçet, strajcat, çantat e valixhet që fryejnë kolonën e zvargët së gjati. E, duket si gjarpër i murrmë sall gunga. Kështu, derdhet ngadalë e heshtur turma jonë e çuditshme, që ecën duke u kredhur në mendime të tmerrshme. Kur shikon kolonën nga prapa njerëzit duken si statuja të përhirta allçie që lëvizin. Dhe, me barrët ngarkuar trupit duken si mbeturina të fëlliqura të njerëzimit që ecin të dërrmuar e gulçojnë në heshtje.

U zgjua një frymë që rrotullohej në ajër, e me shkujet e saj përplas pluhurin në fytyrat tona. Herë-herë fryen me dallgë e sjell deri në hundë erën e kundërmimit si prej grope coftinash. Dikush pëshpëriti nga prapa, tha se, po i afroheshim kampit të Bllaces. Një tjetër u rrëmbye e duke shtrënguar dhëmbët, pyeti atë që foli para tij:

– Ku di ti se cilit kamp i afrohemi?
Kush të ka tregu se ku do t’na çojnë? Tjetri s’u përgjigj.
Prape u zgju era. Nga dallga e nxehtë e erës kundërmimi bëhet edhe më i fortë. Nga ndotja na këputen këmbët e mezi ecim nëpër guralecë. Kolona vazhdon rrugëtimin me të gjithë, si të vdekur nga lodhja, frika e çdo gjë që ngjallë mërzitjen, neverinë e dëshpërimin. Berita ka kohë s’ndihet e gjallë. Ka lëshuar trupin mbi supet e mia, kokën mbi kokën time dhe e këputur prej gjumit fle. Herë-herë me duart e saj të trasha, të vogla mbahet për fytin tim, aq shtrëngueshëm sa më erren sytë e s’shoh gjë përpara. Sapo e liroi fytin, ajo më kapet për veshë ose ngjet duart për ballin tim. Si një rrumbullake vazhdon gjumin e thellë, në botën e saj të vogël. Arritëm në parambramje. Vapa e dielli po përvëlonte. Berita që nga dje mbrama gjë s’futi në gojë.

Vrapon pa u kontrolluar nëpër kamp. Vrapon e qan, ose ulet në çantat që i sollëm me vete e këndon duke qarë. Kurrë më parë s’më ka ndodhur të shoh njeri duke qarë e kënduar njëkohësisht. Sot, shoh time bijë që më ngjanë në fëmijët që kanë humbur fillin e jetës. Ose, sikur të ishte këputur diçka brenda kokës saj të vogël, prapa ballit me kaçurrela. Prandaj sillet ndryshe. Unë, e im shoq po prisnim duke u pyetur ku e kishim më mbarë të vendoseshim. Në rrafshë, ku do t’jemi më pak të uritur, apo në kodër afër telave, të uritur, por me shpresën se më shpejt do t’arrijmë ta kapërcejmë zonën kufitare. Pavetdijshëm vendosëm për variantin e dytë. Këtu nga një tmerr ramë në një tjetër, për ditë e net tjera. Këtu, në Bllace çdo ditë trishtueshëm nis nga e para. Qielli i vërenjtur e i ulët mbrëmjeve ndrydh tokën.

E, tokë e qiell të dyja bashkë i rrinë përballë njëra-tjetrës, dhe përngjahen si ky kamp i trishtimit që i ngjanë fushës së vdekjes. Lëvizim si të ngurosur ose rrimë ulur e duarkryq. S’dimë si ta kalojmë natën e gjatë me shi. Dridhemi nga të ftohtit e kërcejmë nga guri në gur si bagëtia në vathë t’u bëjmë ballë netëve që s’dinë të zbardhen. Netëve të dëshprueshme me shi, e ditëve të kthjellta gastare me zhurmë të fuqishme që t’shurdhon veshët. Aeroplanët fluturojnë pandërprerë. Ulen e ngriten duke formuar vija të bardha, të trasha tymi në qiell. Berita që orë e çast trembet nga zhurma, nis e rrah shuplakat që i dridhen, për ta mposhtur frikën me sytë drejtuar qiellit bërtet:
– Natooooooo! Natoooo….Ko…so…va! Llu…go…va (Rugova)…UKC…UKC…UKC (UCK)!
Për një çast ndalet e më pyet:
– Nanë…Nanë,…. ku jemi?
– Në Bllace, zemër!
– Ç’është Bllace?
– Është një vend-pikniku ku njerëzit….
– Bllace a është n’Gjakovë?
– Jo, zemra nanës, Gjakova është…( prapë m’ndërprenë).
– Pse ka kaq njerëz t’pa pastër këtu?
– Sepse, jemi në piknik!
– Pse në Bllace s’ka shtëpia, s’ka “Dodona” (Teatri Fëmijëve dhe të Rinjve) si n’Prishtinë?
– S’ka Beritë, s’ka! Këtu s’jemi as n’Gjakovë, as n’Prishtinë.
– E, pse s’ka? Unë dua që të ketë! Eja, ta ndërrojmë Bllacen, nanë, këtu s’ka kurgja!
– Uaaa, mu kujtua…eja, zemra nanës t’shkojmë poshtë te tendat, do?
– Ku…? Atje te traktori?
– Po, gëzimi nanës, eja!
– Edhe traktori është në Bllace a?
– Beritë, t’thashë nana, gjithë çka ndodhet këtu, është në Bllace!
– E, pra s’dua! – ngul kambë, ime bijë.
– Eja, drita nanës, ndoshta marrim nga traktori gja për t’hangër, për të pi e për tu mbuluar;
– S’dua! S’e du Bllacen. Traktori i keq! Ka veq pampersa….pampersa……pampersa!
– Po, s’kemi ku tjetër të shkojmë, oj nanë, i them.
– Në Pllishtinë. N’shtëpi! N’dhomën time. Nanë, eja t’shkojmë! (dhe, nis e më ngreh përdore me të dy duart)).
– Do t’kthehemi edhe në Prishtinë, por njëherë eja të shk…..- prapë më ndërpret dhe insiston.
– A t’shkojmë nesër?
– Ani, pra shkojmë nesër!
– Eja, pra t’nisemi!
– Beritë, thamë se shkojmë nesër, shpirt!
– Pse, tash a nuk jemi nesër a?
– Jo, pra! Nesër është pasi zgjohemi nga gjumi!
– Eja, pra t’flemë e nesër shkojmë n’Pllishtinë!
– Beritë t’past nana, si të flemë kur ende s’ka ra nata?
– Nanë, ma mirë t’flemë tash, se natën bie shi!
– Beritë, mjaft! Mos e zemro nanën, kuptove?
– Që të mos zemroj, eja t’shkojmë n’shtëpi! Dua të ha djathë….kos me fruta… të pi kakuçino (kapuçino)!
– Beritë nëse s’pushove fillova t’nervozohem, nana!
Ajo u qetësua për një kohë dhe pushoi së foluri. Kisha ndjenjën se dua me vjellë, aq m’ishte tha fyti nga mallëngjimi e lodhja prej të folurit. Po, nuk zgjati shumë. Berita që më ishte paluar në prehër, tani hodhi kambët anash e m’u mbështoll në gji. Filloi të dënesë. Në fillim mendova se bënte me qëllim kinse qanë. Nuk i fola gja duke menduar se pas pak do t’pushoj. Por, pas pak çastesh pashë se i ishte mbushë zemra e kishte nevojë ti zbrazej. Ajo, po qante në heshtje me lot e me dënesë. Pas pak nisi prapë bisedën. Kësaj radhe i fliste pikëllimi, mallëngjimi saj i butë:
– Nanë….nana ime, ta dish sa jam mërzitur!
– Oh, e Bukra jeme bahet e mërzitur!
– Nanë, nuk bahem. Unë jam e mërzitur. Kupton? Unë jam mërzitur! Bellita është shumë e mërzitur! – dhe, me zërin që i dridhej, buzën n’vaj nisi të fliste derikur ia plasi të qarit.
– Mirë pra, tregoi nanës, për kë kaq fort je mërzitur?

– ….për Gjergjin (kukullën djalë me të cilën flinte), Xhesiken….pastaj, nanë….qenushit….arushit……lepurushit kush do…t’iu japë biberonët?….ëëëë……do të vdesin të shkretët….mmmëëëë….kurrë s’do ti shoh……mmmëëëë….!
– Oh, shpirti nanës! Përqafoje nanën tande! Shtrëngomë foooooort! Pusho, mos qaj. Ata do të vizatojnë, qeshin, luajnë e këndojnë sëbashku, e siq i kemi lënë ashtu do t’na presin në dhomë. Ke me pa! Pusho tani, mos qaj. Nëse ti qanë qaj edhe unë! Derisa po e qetësoja Beritën duke e marrë me t’mirë, me përkdhelje, e shtrënguar fort në gji, u dëgjuan shpërthime të thella bombash. U dridhëm përnjiherë të dyja.

Aq papritur, aq papandehur sa kujtova do t’hapet toka e të dyjave do t’na përbinte brenda. Pas pak pushuan. Berita e trembur m’u fut edhe më thellë në gji, sa mu dukë se u zvogëlu nga frika. Kujtoja se po mbaja në kraharor diçka tê rrumbullakët, të lehtë, të vogël sa njê kërmill. Më ishte strukur e mbledhur dhe me duart e vogla, të trasha kishte mbyllur veshët. Sytë poashtu me majat e gishtave. Kështu, çdo herë m’lodhet trupi. Goja. Shpirti. Prehëri. Derikur Beritën e zë gjumi. Fillioi shiu. Terri e nata e thellë në Bllace. Sidoqoftë dita këndellë fytyrën e secilit nesh. Këtu, ku jetojmë sëbashku veq për një gjë jemi të lumtur. Pësuam, por ferrit i shpëtuam. Të gjithëve vdekja para syve na kaloi e nuk na preku. Prandaj, kaq e vogël lumturia në ne. Kaq e cekët. Kaq e pakët.

Fëminore si dita – lumturia jonë. Nuk shohim larg. Nuk mendojmë thellë. Nuk shikojmë rreth e rrotull. As vrasim mendjen për t’ardhmen. Jetojmë për sot e për nesër. Cdo mëngjes e kuptojmë sa jemi të lumtur që ende jemi gjallë, e mund t’ngrihemi këmbë. Marrim frymë e nisim të lëvizim. Kështu jetojmë gjithë ditën e bekuar. Këtu, majë Bllace.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button